Nga Walter Russell Mead
Ndërsa pandemia e koronavirusit mbizotëron të gjithë titujt e lajmeve, një krizë edhe më e fortë po shpaloset pas hijes së saj. Është përmbysja në marrëdhëniet SHBA-Kinë, një shtyllë e rendit ekonomik dhe politik botëror që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Pandemia do të kalojë, kriza në marrëdhëniet
kino-amerikane mund të ndjehet me dekada.
Partia Komuniste e Kinës këtë javë përshkallëzoi luftën e saj ndaj medave amerikane. Arsyeja zyrtare për urdhërin e dëbimit të afro një duzinë gazetarësh amerikanë që punojnë për New York Times dhe Washington Post nuk e kalon testin e qesharakes. Këto media, deklaron Pekini në mënyrë solemne, janë agjentë të qeverisë amerikane, ushtare të Presidentit Trump. Më tej, Partia Komuniste insiston që SHBA ti trajtojë mediat në pronësi të shtetit dhe të kontrolluara nga shteti i Kinës sikur të ishin ndërmarrje të vërteta gazetare. Vetë “diplomatët ujqër” të Kinës, një racë e veçantë e përfaqësuesve hiperagresivë të Ministrisë së Jashtme e kuptojnë se kjo është marrëzi dhe me siguri e dinë se të dyja pretendimet janë absurde.
Në të kaluarën, komunistët kënaqeshin me parandalimin e njerëzve në Kinë për të lexuar atë që shtypi i lirë thoshte për to. Kjo nuk është më e mjaftueshme. Sot, ata janë duke u përpjekur të ndërtojnë një Perde të re të Hekurt për ta mbajtur botën larg prej asaj që po ndodh brenda kufijve kinezë.
Aspekti më i trishtuar i punës sime si kolumnist i Global View ka qenë dokumentimi i rënies së vazhdueshme të marrëdhënieve midis SHBA dhe Republikës Popullore të Kinës. Në këto 20 vite kam udhëtuar gjerësisht në Kinë, kam marrë pjesë në seminare dhe koloni me studiues kinezë, kam ligjëruar në universitetet kineze dhe kam mësuar studentët kinezë në kampuse kudo nëpër botë. Kultura e pasur e Kinës, shkëlqimi i mendimtarëve të saj dhe kurioziteti i etur i studentëve të saj janë ndër thesaret më të mëdha të racës njerëzore. Asgjë nuk mund të përmirësojë botën më shumë sesa një partneritet i fortë SHBA-Kinë. Asgjë nuk është më e rrezikshme për të dy vendet dhe botën në përgjithësi sesa rivaliteti i gjatë dhe i hidhur mes tyre.
Si shumica e amerikanëve, unë i mirëprita reformat e Deng Xiaoping dhe prosperitetin që sollën ata në Kinë. Shpresova se zhvillimi ekonomik i Kinës do të hapte një shteg drejt reformës politike paqësore dhe graduale. Në mungesë të kësaj, unë shpresoja se interesat e përbashkëta ekonomike do t’i shtynin të dy vendet të shmangnin rivalitetin e llojit shkatërrues që karakterizonte marrëdhëniet SHBA-BS gjatë Luftës së Ftohtë. Por shpresa nuk është gjithmonë e mjaftueshme.
Prishja e një marrëdhënieje rrallë është faj vetëm i njërit partner. Uashingtoni mund ta kishte menaxhuar më mirë portofolin e Kinës gjatë dekadës së kaluar. Por zemra e problemit është refuzimi i Partisë Komuniste Kineze që të kuptojë kohën dhe të pranojë një vizion më të gjerë, më njerëzor, dhe në fund të fundit më të qëndrueshëm edhe për marrëdhëniet e saj me shoqërinë kineze. Këmbëngulja për të qëndruar në konformitet të prapambetur me një popullatë të gjallë, të arsimuar, e shtyn atë në rrugën e shtypjes dhe të centralizimit të pushtetit, duke minuar qeverisjen e brendshme të Pekinit dhe duke shkaktuar mungesë respekti dhe pranimi jashtë vendit.
Në një sistem ku mençuria dhe gjithëpërfshirja e partisë duhet të pranohet kudo, një kulturë e sterilitetit dhe konformizmit e degradon në mënyrë të pashmangshme marrjen e vendimeve dhe, siç e pa bota në Ëuhan, çon në gabime të mëdha. Kultura e kundërshtimit shtohet dendur, ashtu si frika e pushtetit nga zërat e pavarur dhe informacioni i saktë. Një shtet i tillë, sado imponues dhe i fuqishëm të duket, është i burgosur prej frikës së tij. Një qeveri e fortë dhe e sigurtë nuk do të frikësohej nga kritika e gazetarëve apo intelektualëve të huaj. Komunistët e Kinës kanë shumë frikë.
Ekziston një faktor tjetër që dobësoi marrëdhëniet kino-amerikane. Kriza financiare e vitit 2008-09 bëri që shumë njerëz në Kinë të besojnë se sistemi i tyre ishte më i mirë se modeli “i lodhur” amerikan, dhe se rrjedha e presidencave të Obamës dhe Trump e kanë konfirmuar atë analizë. Të verbëruar pjesërisht nga propaganda e tyre, zoti Xi dhe ata rreth tij i shohin çrregullimet në aleancat amerikane, shohin kaosin në Lindjen e Mesme, ndikimin ekonomik të pandemisë dhe polarizimin e brendshëm të Amerikës, dhe besojnë se ora e tyre ka ardhur. Ata gjithashtu mund të shpresojnë se një përplasje globale me SHBA-në do t’i ndalojë qytetarët kinezë të bëjnë pyetje të pakëndshme në lidhje me Ëuhanin.
Kolegu im i Institutit Hudson, Michael Pillsbury, ka shkruar për një incident të shekulli i shtatë pas Krishtit, që përkon me pranverën e historisë kineze. Ndonëse mund të ketë ndonjë pasaktësi në detaje ai shkruan se kur dinastia Zhou mbizotëruese, por në rënie, mbante festa të mëdha ceremoniale në pallatin e saj, duke simbolizuar pronësinë e vet të “Mandatit Qiellor”, sundimtari tjetër i një shteti në rritje Chu pyeti një lajmëtar se sa peshonin karrocat e Zhou. Ky ishte një sinjal për Zhou që Chu, megjithëse dukej e pamundur po planifikonte të sulmonte. Aq i deshi Zhou-së që të nisë të përgatitet. Kjo rrëfenjë kineze përmblidhet në mësimin: “Kurrë mos pyet për peshën e karrocave të perandorit”.
Amerikanët e të gjitha anëve politike e kanë vërejtur se Pekini po pyet për “karrocat” tona. Dëbimi i gazetarëve të SHBA -së e përforcon këtë perceptim. Kjo mund t’i shtyjë SHBA-të në qëndrime më luftarake kundër komunistëve kinezë. E gjithë bota tani duhet të shpresojë që Pekini të rishqyrtojë rrugën që ka zgjedhur, jo vetëm për hir të vetes. /WSJ