Jo të gjithë personat e infektuar nga COVID-19 do të kenë nevojë për kujdes mjekësor spitalor. Epidemiologu Ilir Alimehmeti thotë se shumica e të infektuarve nuk do të kenë asnjë shenjë ose do të kenë simptoma fare të lehta.
“Ndër të infektuarit me shenja të qarta të sëmundjes, që janë vetëm një pjesë më e vogël e të infektuarve totalë, 80.9% nuk do të kenë nevojë aspak për ndihmë spitalore. U mjafton kujdesi në shtëpi me mjekime klasike si, paracetamoli (kujdes të mos përdoret ibuprofen, apo preparate të tjera të ngjashme që janë raportuar se e shtojnë replikimin viral). Më pas, ndër 19.1% e atyre me shenja të dukshme dhe që kanë nevojë për kujdes spitalor, vetëm çereku do të ketë nevojë për kujdes intensiv”, pohon doktori i cili na njeh edhe me rrugët e transmetimit të koronavirusit.
COVID-19 nuk shkakton tështima, por mund të shkaktojë kollë të lehtë deri në 74% të rasteve. Rruga kryesore e transmetimit është ajo nëpërmjet spërklave. Por së fundmi është hedhur hipoteza që infektimi mund të ndodh edhe nga ajri. “Në disa kondita të veçanta, siç është ambienti spitalor, virusi mund të mbijetojë për njëfarë kohe në ajër. Kjo varet shumë nga kushte si temperatura dhe lagështia, por ambientet e brendshme spitalore kanë mundësi gjenerimi të aereosoleve me SARS-CoV-2”, sqaron Alimehmeti.
Në lidhje me rëndësinë e kryerjes së testeve, pa u kufizuar vetëm tek ata që shfaqin simptoma të rënda, doktori vë në dukje se kryerja e tamponit ndaj sa më shumë persona, mundësisht në nivel popullate do të ishte një ndihmë e jashtëzakonshme. “Por, duhet të jemi realistë, kjo procedurë nuk vjen dot pa një faturë, e cila mund të jetë shumë e vështirë për t’u mbajtur barrë nga një popull me të ardhura të mesme si Shqipëria”.
Deri më tani, të dhënat zyrtare tregojnë për 59 persona të infektuar. Eshtë kjo situata reale apo numri i të infektuarve mund të jetë disa herë më i lartë dhe pse mendoni që nuk do të ndodh ajo që po ndodh aktualisht në Itali?
E drejtë, deri më sot, datë 18 mars 2020, burimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë njoftojnë të jenë diagnostikuar 59 persona me virusin SARS-CoV-2 njohur më gjerësisht si shkaktar i sëmundjes COVID-19. Ky është numri i personave të identifikuar përmes hetimeve epidemiologjike (kontakte me persona të infektuar brenda apo jashë vendit), apo që kanë shfaqur simptoma dhe shenja të rënda dhe kanë ngritur dyshimin se mund të jenë infektuar nga virusi në fjalë.
Nga të njëjtat burime mësohet se janë kryer 665 teste te kjo popullatë e dyshuar si e infektuar si rrjedhojë e simptomave dhe/ose e rrethanave, pra rezultojnë pozitivë 9.1% e popullatës së testuar. Kjo përqindje e lartë pozitiviteti është indikator i punës së mirë të bërë nga stafet përkatëse, të cilat kanë ngushtuar rrethin e dyshimit rreth popullatave në risk. Një tjetër popullata shumë në risk është personeli mjekësor. Ministria e Shëndetësisë njofton se është kryer depistimi i personelit shëndetësor të Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, ku kanë rezultuar pozitivë 8 mjekë dhe infermierë ndër 89 persona, për 9.0%. Kjo është kundraprova e aftësisë së identifikimit të rasteve në popullatën e përgjithshme. Pra, në kushtet aktuale, nëse të kërkohet të kryesh ekzaminimin e tamponit nga një staf i kualifikuar, mundësia e pozitivitetit është rreth 9%.
A janë identifikuar të gjitha rastet? Ose e thënë ndryshe, kaq janë gjithsej të infektuarit me virusin e COVID-19?
Përgjigja ndaj kësaj pyetjeështë e thjeshtë. Jo. Kjo për shkak se shpeshherë personat bartës të virusit kanë mungesë të shenjave dhe simptomave ose këto shenja dhe simptoma janë shumë të lehta, nuk është e mundur t’i identifikosh nga ana mjekësore, madje edhe ata vetë nuk dyshojnë aspak të jenë të infektuar. Këto shfaqje të infektimit janë akoma më të lehta ose inekzistente në moshat e reja dhe te fëmijët, fatmirësisht.
Kështu që, patjetër ka edhe raste të paidentifikuara në popullatë. Kjo është pyetje shumë më e vështirë. Le të marrim një qasje globale për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje si edhe pyetjes suaj pse mendoj se nuk po ndodh e njëjta gjë si në Itali. Në Kinë, Kore të Jugut dhe Itali, në fazat e pakontrolluara të fillimit të epidemisë, pra gjatë ecurisë natyrore, koeficienti R0 (raporti bazë i riprodhimit) ishte 2.3, që do të thotë se një person i infektuar me COVID-19 do të infektojë mesatarisht edhe 2.3 persona të tjerë.
Për krahasim, R0 e fruthit shkon deri në 18, pra gati 8-fish më e lartë. Kjo është faza eksponenciale e infektimit të popullatës. Nga të dhënat e Italisë, në këtë fazë, numri i personave të infektuar dyfishohej çdo 2.4 ditë, ngjashmërisht me Kinën dhe Korenë e Jugut. Por, lind natyrshëm pyetja pse Italia ka një numër shumë më të lartë të infektuarish atëherë? Shumë e thjeshtë. Masat e kufizimeve absolute në Itali filluan 8 ditë më vonë se në Kinë dhe 10 ditë më vonë se në Korenë e Jugut.
Dhe në shkallë eksponenciale, kjo përkthehet në pothuaj 8-fish më shumë raste se Kina dhe 16-fish më shumë se Korea e Jugut gjatë të njëjtës periudhë të epidemisë. Në këtë aspekt, siç të gjithë e dimë, Shqipëria ka reaguar me distancimin social fillimisht të moderuar (mbyllje e shkollave/universiteteve, lokaleve, aktiviteteve publike) e më pas të plotë(vetëizolim dhe ndalje qarkullimi me mjete apo në këmbë) në kohë shumë më të shpejtë se Italia.
Pra, edhe pse nuk po kryen numrin e testeve aq të lartë sa Koreja e Jugut, është duke marrë masat e shëndetit publik të ngjashme me të dhe në kohë edhe pak më të shpejtë. Kjo vjen edhe si rrjedhojë e eksperiencës së përftuar duke vëzhguar se çfarë ndodhi në këto shtete që u goditën më parë. Nëse Shqipëria do të kishte ndjekur masat fillestare të Italisë, atëherë sot numri i të identifikuarve pozitivë përllogaritet të ishte në rendin e rreth 250-400 personave dhe këta do të ishin pacientë me simptoma të moderuara deri në të rënda. Paralelisht, edhe numri i të infektuarëve lehtë apo pa simptoma do të ishte 5-8 fish më i lartë.
Numri aktual i të infektuarve lehtë ose pa simptoma fare mund të hamendësohet në rreth 4 raste për çdo rast të identifikuar (kujdes ky numër është rrjedhojë përllogaritjeje indirekte ndërmjet koeficientit R0, koeficientit Re, kohës së diagnostikimit dhe të fraksionit të impaktit potencial PIF të masave të marra dhe nuk mund të sigurojmë saktësinë e plotë në këtë fazë paraprake).
Por lajmi i mirë është që shumica e tyre edhe pse nuk janë në dijeni të gjendjes së tyre të infektimit, ndodhe në situata vetëkarantinimi apo vetëizolimi, si rrjedhojë nuk paraqesin risk të lartë për pjesën tjetër të popullatës të paekspozuar, me përjashtim kuptohet të personelit shëndetësor, policor, shërbimeve sociale, etj. Mjafton të ndiqen normat bazë të kujdesit dhe të higjienës. Por, shifrën reale do të mund ta zbulojmë vetëm në fund të epidemisë përmes studimeve serologjike, të cilat identifikojnë antitrupat ndaj SARS-CoV-2 te personat që kanë rënë në kontakt me të.
Cilët janë rrugët e transmetimit të koronavirusit, meqë ka shumë paqartësi dhe së fundmi është hedhur hipoteza që mund të qendrojë edhe në ajër për të të paktën 3 orë?
Rruga bazë dhe kryesore e transmetimit të virusit SARS-CoV-2 nga personi te personi është tashmë e mirënjohur dhe ndodh përmes spërklave të vogla nga hunda dhe/ose goja. Këto spërkla krijohen kur një person me COVID-19 kollitet, nxjerr frymën ose teshtin. Kujdes, COVID-19 nuk shkakton teshtima por mund të shkaktojë kollë të lehtë deri në 74% të rasteve. Këto spërkla bien mbi sipërfaqe të ndryshme dhe personi tjetër mund të infektohet nëse i prek këto sipërfaqe dhe më pas me duart e palara prek gojën, hundën apo sytë. Kujtoj që një person normalisht e prek fytyrën e tij pa e vënë re rreth 3-4 herë në minutë. Kjo është arsyeja pse larja e duarve, metodë e mirënjohur e ruajtjes së shëndetit, është mbrojtja kryesore ndaj virusit. Një tjetër rrugë është që këto spërkla të merren direkt nga personi i pasëmurë gjatë frymëmarrjes. Kjo është arsyeja pse ka kaq shumë rëndësi qëndrimi të paktën 1 metër një personi të sëmurë.
Rruga tjetër që po merret në konsideratë është transmetimi përmes ajrit. Në disa kondita të veçanta, siç është ambienti spitalor, virusi mund të mbijetojë për njëfarë kohe në ajër. Kjo varet shumë nga kushte si temperatura dhe lagështia, por ambientet e brendshme spitalore kanë mundësi gjenerimi të aereosoleve me SARS-CoV-2. Kjo është arsyeja pse Organizata Botërore e Shëndetësisë, më 17 mars 2020, këshilloi marrjen e masave parandaluese për eventualitetin e transmetimit përmes ajrit, por vetëm për personelin shëndetësor në kontakt të ngushtë me pacientët e infektuar. Për momentin, popullata normale nuk ka asnjë arsye të evidentuar se pse të shqetësohet për këtë rrugë transmetimi. Së fundmi, rruga oro-fekale është rruga e fundit që po vëzhgohet. Në dy raportime të botuara në revistën prestigjioze Gastroenterology,1,2 raportohet se transmetimi me rrugë oro-fekale mund të jëtë pjesë e kuadrit të transmetimit të virusit. Studiuesit kanë gjetur se ARN-ja e virusit mund të nxirret përmes feçeve dhe të vazhdojë të jetë i pranishëm në feçe edhe disa ditë pas zhdukjes së simptomave respiratore. Kjo rrugë transmetimi ka më shumë rëndësi për pacientët që duhet t’i nështrohen procedurave mjekësore si kolonoskopia dhe endoskopia. Për sa i përket popullatës së përgjithshme, kujdesi konsiston sërish në higjienën personale të larjes së duarve dhe në gatimin e mirë të ushqimeve përpara konsumimit të tyre, të gjitha norma të mirënjohura dhe të përdorura rutinë. Kujdes i veçantë, si në çdo sëmundje që merret me rrugë oro-fekale, është evitimi i ushqimeve të gatshme, fastfood, etj. dhe të konsumimi vetëm i ushqimeve të gatuara vetë apo të ambalazhuara në konfeksionime sterile.
Doktor, sa prej të infektuarve me COVID-19 kanë nevojë për kujdes spitalor?
Siç u përmend edhe më lart, shumica dërrmuese e popullatës që do të infektohet nuk do të ketë asnjë shenjë/simptomë ose do të ketë simptoma fare të lehta. Ndër të infektuarit me shenja të qarta të sëmundjes, që janë vetëm një pjesë më e vogël e të infektuarve totalë, 80.9% nuk do të kenë nevojë aspak për ndihmë spitalore. U mjafton kujdesi në shtëpi me mjekime klasike si paracetamoli (kujdes të mos përdoret ibuprofen, apo preparate të tjera të ngjashme që janë raportuar se e shtojnë replikimin viral). Më pas, ndër 19.1% e atyre me shenja të dukshme dhe që kanë nevojë për kujdes spitalor, vetëm çereku do të ketë nevojë për kujdes intensiv.
Aktualisht burimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë flasin për 3 persona nën kujdes intensiv, pra 4.7% e totalit, shifër që shkon në linjë me shifrat e raportuara nga shtetet e tjera (rreth 5%). Sërish kujdes, kjo shifër është 5% e personave me shenja nga të dukshme deri në të rënda, nuk është 5% e personave të infektuar në popullatë. Sërish, shifrën reale do të mund ta zbulojmë vetëm në fund të epidemisë. Ndërkohë sapo konfirmoi Ministria e Shëndetësisë lajmin e shërimit të plotë të pacientit të parë me COVID-19. Brenda lajmit të mirë duhet të shohim edhe informacionin e duhur. Ky pacient ishte në gjendje të mirë fizike dhe në moshë të re, 24 vjeç. Megjithëse një lajm shpresëdhënës, që në fillim nuk duhet të kishte shumë dyshime për ecurinë e mirë të tij.
Në një shkrim tuajin, postuar në rrjetet sociale ju analizoni atë që po ndodh sot në botë duke sjellë në vëmendje situatën në Itali dhe Korenë e Jugut. Në Itali ju thoni që po aplikohet metoda kosto-efikase pra po testohen vetëm ata që shfaqin simptoma. E njejta gjë po ndodh edhe në vendin tonë. Mendoni që kjo qasje duhet të ndryshojë, po të kemi parasysh këtu edhe apelin e bërë nga OBSH se kjo pandemi s’mund të luftohet me sy mbyllur?
Apeli i OBSH-sëështë i qartë dhe nuk ka asnjë dyshim që kryerja e më shumë testeve do të ndihmonte efortin e përbashkët kundër COVID-19. Ky kontekst ama nuk është kaq bardhë e zi. Ekziston një fazë e parë në kurbën e epidemisë, e cila karakterizohet nga raste të pakëta kryesisht të importuara. Në këtë fazë luan rol kyç hetimi epidemiologjik, pra identifikimi dhe vlerësimi i të tërë personave në risk (p.sh. personat që kthehen nga udhëtime nga zonat epidemike, por jo vetëm) dhe, në rast pozitiviteti, gjurmimi prapa në kohë i të tëra kontakteve që ka pasur personi COVID-19 pozitiv që ditën e dyshuar të infektimit, apo që ditën e hyrjes në Shqipëri. Kjo është faza kur nuk bën sens të kryesh tampone në të gjithë popullatën, pasi patjetër shumica dërrmuese do të dalin negativë, por kjo nuk eviton infektimin e tyre pas disa ditësh apo javësh. Në fazë më të përparuar të epidemisë, kur mendohet se ajo është përhapur përtej rrethit të personave të gjurmueshëm dhe të identifikueshëm, atëherë modeli i Koresë së Jugut është i preferueshëm.
Kryerja e tamponit ndaj sa më shumë persona, mundësisht në nivel popullate do të ishte një ndihmë e jashtëzakonshme. Por, duhet të jemi realistë, kjo procedurë nuk vjen dot pa një faturë, e cila mund të jetë shumë e vështirë për t’u mbajtur barrë nga një popull me të ardhura të mesme si Shqipëria. Gjithsesi, ky vendim u takon politikanëbërësve dhe ekonomistëve. Nga pikëpamja mjekësore kryerja masive e tamponeve është një ndihmë e pamohueshme, por ndoshta nuk kemi mbërritur ende në këtë fazë.
Pra, modeli i kosto-efikasitetit mund të jetë ende i justifikueshëm. Por, duhet të kemi të qartë se në këtë model përqindjet llogariten vetëm ndër rastet më të rënda dhe të vështira duke na dhënë një panoramikë më dramatike se realiteti. Kur do të duhet të kalojmë në modelin e depistimit masiv? Vetëm në momentin e duhur! Nga pikëpamja e shëndetit publik, ndërhyrjet duhet të jenë si të duhura ashtu edhe të kryera në momentet e duhura, përndryshe nuk janë efikase.
Virologët në Gjermani e lidhin vdekshmërinë e ulët së pari me epërsinë e diagnostikimit, i cili po bëhet tek të gjithë dhe ka nisur që prej muajit janar të këtij viti..
Nuk ka si të jetë ndryshe. Duke marrë parasysh që evidentohen të gjitha rastet përfshirë personat shumë të fuqishëm dhe ata që kanë pak apo aspak shenja, kjo përqindje vetëm ulet. Marrim një shembull hipotetik. Nëse kemi 400 persona me COVID-19, nga të cilët njëri vdes por vetëm 15 kanë shenja të dukshme dhe u bëjmë tamponin, atëherë vdekshmëria e rasteve (CFR case fatality rate) do të dilte 1/15 = 6.7%, ngjashmërisht me Italinë. Por nëse ua kemi bërë tamponin të gjithëve, edhe atyre pa shenja fare ose me shenja fare minimale, atëherë vdekshmëria në popullatë do të dilte 1/400 = 0.25%, ngjashmërisht me Gjermaninë.
Me të drejtë Gjermania e lidh shifrën e ulët me epërsinë e diagnostikimit, pasi karakteristikat e virusit, karakteristikat e popullatës, trajtimet dhe shërbimet spitalore nuk kanë ndryshim madhor ndërmjet Gjermanisë dhe Italisë. Si rrjedhojë, mund të shohim qartë se kemi të bëjmë vetëm me problemin e emëruesit, pra me cilin numër arrijmë ta pjesëtojmë numrin e rasteve fatale. Emëruesit e ndryshëm janë arsyeja pse CFRështë 6.8% në Itali,2.03% në Francë, 1.8% në Shqipëri, 1.2% në Hollandë, 0.9% në Korenë e Jugut, 0.88% në Greqi dhe 0.2% në Gjermani. Prandaj, le të mos i kemi sytë e fiksuar vetëm drejt Italisë, por të shohim kuadrin e përgjithshëm.
Doktor, në analizën tuaj ju ndaleni edhe në nivelin e vdekshmërisë. Sipas jush, cilët janë faktorët që ndikojnë në uljen e shkallës së mortalitetit?
Kujdes, nga ana etike dhe mjekësore asnjë vdekje e vetme nuk konsiderohet e ulët. Edhe sikur të ishte një rast i vetëm ndër tre milionë do të na dhembte shumë nëse do të ishte familjari ynë. Ajo ç’ka publikova nga përllogaritja është për të ulur pak ndjenjën e frikës nga numrat tmerrues nga Italia që bombardojnë popullatën përmes mediave audio-vizive dhe sociale. Shifrat 6.8% si të Italisë nuk janëperspektivëreale për Shqipërinë. Në jemi vende fqinje por shumë të ndryshme. Karakteristika kryesore dalluese është pikërisht popullata.
Nga të dhënat e Kombeve të Bashkuara (Ëorld Population Prospects 2019) mund të shohim lehtësisht se 29.4% e popullatës italiane janë mbi 60 vjeç, ndërsa në Shqipëri kjo grupmoshë përbën 21.3%, pra në Itali në shkallë relative ka (29.4-21.3)/21.3 = 38.0% persona në moshën në risk. Në Itali, në këtë grupmoshë janë 59.6% e pacientëve me COVID-19. Mosha më e re, patjetër e ndihmon Shqipërinë. Karakteristikë e dytë është sociologjia e popullatës, me Italinë të organizuara në institucione kujdesi për të moshuar, pra duke krijuar vatra grupesh komunitare të moshuarish vulnerabël ndaj COVID-19, ndërkohë që në Shqipëri shpërndarja e të moshuarve është më homogjene dhe kryesisht me bazë familjare. Karakteristika e tretë, e fundit por jo më pak e rëndësishme, është ndërhyrja e shpejtë, fillimisht e moderuar dhe më pas radikale, e distancimit social e ndërmarrë nga qeveria shqiptare.
Pavarësisht se kjo nuk është masë e lehtë për t’u përballuar, ka aftësinë e ngadalësimit të përhapjes së sëmundjes, duke mos lejuar përmbytjen e spitaleve përtej kapacitetit të tyre dhe duke i dhënë mundësitë më të mira për kujdes shëndetësor dhe shpëtim të rasteve më të rënda të pacientëve më vulnerabël, të moshuar dhe me sëmundje bashkëshoqëruese (sëmundje kardiake, pulmonare, hipertensioni, diabet, etj.) Mund të bëjmë një paralelizëm në këtë drejtim. Kujdesi shëndetësor mund të krahasohet me një lumë që i hedh njerëzit në një ujvarë. Kujdesi spitalor i ngjan ngritjes së një rrjete në buzë të ujvarës për të shpëtuar rastet më të rënda, është vija e fundit e mbrojtjes. Ndërsa kujdesi i shëndetit publik i ngjan një rrjete që nuk lejon rënien e njerëzve në lumë. Që sistemi të funksionojë, shëndeti publik duhet të ngadalësojë sa më shumë rënien e njerëzve, në mënyrë që rrjeta e spitaleve të shpëtojë sa më shumë persona nga rënia në ujvarë. Dështimi i shëndetit publik do të sillte automatikisht dështimin pas rreth 1 jave të kujdesit spitalor.
Jemi përballë një virusi me 1 mijë e 1 të panjohura. Në Kinë, po raportohet për rikthim të virusit. Cili është probabiliteti që kjo të ndodh?
Përgjigja e vetme për përfundimin e çdo lloj epidemie është krijimi i imunitetit të tufës, që për virusin e COVID-19 është llogaritur të jetë rreth 70%. Çfarë do të thotë? Nëse 70% e popullatës imunizohet ndaj virusit të COVID-19, atëherë ky imunitet mbron edhe pjesën tjetër të popullatës pasi nuk kanë nga ta marrin sëmundjen. Imunizimi mund të arrihet me rrugë natyrore (pas infektimit) apo të fituar (pas vaksinës).
Aktualisht nuk ekziston një vaksinë e tillë, si rrjedhojë pritet krijimi i imunitetit të tufës, pra infektimi i kontrolluar i ngadaltë i 70% të popullatës pa lejuar përmbytjen e spitaleve, për të bërë të mundur shpëtimin e personave më vulnerabël. Ajo që ende nuk kemi të qartë, për shkak se nevojitet më shumë kohë, është sa kohë zgjat ky imunitet dhe a është e mundur që personi të infektohet sërish nga i njëjti virus. Si rrjedhojë, duke shpresuar që nuk do të ketë një valë të dytë në Kinë apo kudo tjetër, kjo nuk mund të përjashtohet me siguri. Kjo sepse aktualisht numri i të infektuarve në Kinë është shumë më i ulët se vlera 70% (të infektuar 81.077, popullata e Kinës 1.386 miliardë, 0.00006%). Por, nga ky moment mund të rifutet skema fillestare e ndaljes së epidemive, pra monitorimi i personave të riskuar. Gjithashtu, kjo bën të mundur fitimin e kohës që mund të investohet në gjetjen e trajtimeve dhe të vaksinave ndaj SARS-CoV-2.
Së fundmi, sa është impakti real në nivel popullate i COVID-19?
Më në fund mund të të marrim në konsideratë pikërisht të dhënat më të rëndësishme: impaktin e COVID-19 mbi sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë si përqindje e popullatës totale të secilit shtet të prekur. Në fund të fundit, kjo është e dhëna që na intereson realisht dhe që duhet të mbajmë mend përballë çdo bombardimi tjetër shifror. Shteti më i prekur deri më sot është Spanja me 0.167% të popullatës pozitive me COVID-19 dhe 0.006% vdekshmëri me COVID-19 në nivel popullate, duke u pasuar nga Italia me 0.041% të popullatës pozitive dhe 0.003% vdekshmëri me COVID-19 në nivel popullate.
Shtetet e tjera, përfshirë Shqipërinë, Kinën, Korenë e Jugut, SHBA, etj. paraqesin shifra aq të ulëta dhe me aq shumë zero pas presjes dhjetore, sa nuk ia vlen as të përmenden.*Të dhënat janë marrë nga raporti nr. 56 i OBSH-së mbi COVID-19 (Coronavirus disease 2019 (COVID-19)Situation Report – 56, Data as reportedby national authorities by 10 AM CET 16 March 2020) dhe nga raporti i Kombeve të Bashkuara mbi popullatën (United Nations Ëorld Population Prospects 2019).A u habitët nga kjo e dhënë? Si është e mundur? Si ka mundësi që diçka me këtë impakt kaq të vogël t’ju ketë shqetësuar kaq shumë? Kujdes miq, vendimet e marra në kondita emocionesh sociale të forta mund t’ju shtrembërojnë shumë vizionin e fakteve. Prandaj nevojitet të luftohet paniku dhe frika nëpërmjet antagonistit natyror të tyre: diturisë.
Duhet pasur parasysh që vdekjet nga COVID-19 janë minimale në krahasim me shkaqe të tjera të vdekjes. Ndërkohë që me COVID-19 kanë ndërruar jetë gjithsej 6606 persona deri më sot, Universiteti i Hamburgut (Gjermani) ka llogaritur se vetëm në muajin janar dhe shkurt 2020 kanë ndërruar jetë 193.479 persona nga aksidentet rrugore dhe 716.498 persona nga duhani. Por, edhe pse aksidentet rrugore kanë vrarë 29.3 herë më shumë asnjë nuk ka panik nga ngarja e makinës/motorit dhe shumica nuk e vendos me dëshirë rripin apo kaskën. Edhe pse duhani ka vrarë 108.5 herë më shumë se koronavirusi, nuk ka panik nga duhanpirja dhe njerëzit paguajnë që ta blejnë atë. Pra, le ta ridimensionojmë qëndrimin tonë psikologjik ndaj koronavirusit./PANORAMA.al