Nga BoldNews.al
Qeveria shqiptare po përshkallëzon masat për lëvizjen e qytetarëve, me qëllimin e dyfishtë për të parandaluar përhapjen e korona-virusit dhe për të shpëtuar sistemin e shëndetësisë nga kolapsi i paralajmëruar për shkak të praktikave abuzive me koncensionet.
Për të arritur qëllimin, Edi Rama është i detyruar që të prezantojë kufizime, të shoqëruara me gjoba të rënda për shkelësit.
Ndërkohë që pjesa më e madhe e masave kufizuese, pikërisht atyre që janë kopjuar nga autoritetet italiane, janë në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare, disa të tjera, ato me karakter “lokal” përshkohen nga “çudira”, të cilat vetëm kryeministri shqiptar nëpërmjet rrjeteve sociale mund t’i propozojë dhe miratojë.
“Boldnews.al” ka bërë një përmbledhje të disa prej kufizimeve apo kërcënimeve “të çuditshme” në Aktet Normative apo Urdhërat qeveritarë, të miratuar së fundmi si pasojë e situatës me korona-virusin.
Bëhet fjalë për kufizime apo kërcënime, të cilat bien ndesh me logjikën e legjislacionit shqiptar dhe për të cilat çalon argumenti që “janë masa të jashtëzakonshme për një situatë të jashtëzakonshme”.
Masat “e çuditshme”
- Në Aktin Normativ nr. 4, dt. 15 Mars 2020, qeveria parashikon, ndër të tjera:
“Individët, të cilët nuk zbatojnë urdhrin e dhënë nga organet kompetente për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbërta të hapura, në zonat urbane, apo mjedise të tjera publike të hapura, dënohen me gjobë në masën 20 000 (njëzet mijë) lekë dhe me bllokim 3 muaj të automjetit privat, nëse e disponon një të tillë”.
Masa për kufizimin e lëvizjes në grup apo për daljen në ambjente me shumë njerëz është e logjikshme në situatë pandemie. Ajo që e bën “të çuditshme” parashikimin e qeverisë shqiptare është masa për “bllokimin e automjetit, nëse posedojnë, deri në 3 muaj”.
Lëvizja në këmbë, edhe kur është e ndaluar, nuk ka asnjë lidhje me bllokimin e automjetit, i cili qëndron në prehje (i parkuar) në një zonë shumë larg këmbësorit.
Bllokimi i automjetit realizohet në rastet e parashikuara nga Kodi Rrugor (në aksidente) ose nga Kodi Penal (për mungesë apo falsifikim dokumentacioni). Në rastin konkret, Akti Normativ nuk e lidh bllokimin e mjetit për shkeljet në Kodin Rrugor apo në Kodin Penal.
Është e paqartë për cilindo ekspert të fushës, por edhe për qytetarët e thjeshtë, se çfarë lidhje ka mes ecjes në këmbë dhe bllokimit të mjetit, për ata qyterarë që e kanë në dispozicion një të tillë.
- Në bazë të Urdhërit më të fundit, të lëshuar nga kryeministri Rama nëpërmjet rrjeteve sociale, qytetarët që thyejnë rregullin e qarkullimit (në këmbë) jashtë fashave orare të miratuara (06.00-10.00 dhe 16.00-18.00) do të gjobiten me 10 mijë lekë të reja, si edhe do t’u privohet ndihma shtetërore.
Ndihma shtetërore (sociale) është një detyrim që shteti ka për mirëqenien e qytetarëve në nevojë. Dhënia e ndihmës shtetërore nuk është dëshirë apo vullnet, por është detyrim kushtetues.
Ndihma shtetërore për qytetarët mund të pezullohet apo hiqet vetëm në rastet e parashikuara në ligj, kur përfituesit kanë abuzuar me këtë të drejtë, duke treguar rrethana të rreme apo duke falsifikuar dokumentacionin përkatës.
Në asnjë nen të legjislacionit shqiptar apo atij ndërkombëtar, nuk është parashikuar privimi i dhënies së ndihmës shtetërore, përveç falsifikimit të dokumentave. Detyrimi i qeverisë për të afruar ndihmë shtetërore hyn tek Të Drejtat e Njeriut.
Por, kryeministri shqiptar duket se nuk e ka lexuar Kartën e të Drejtave të Njeriut.
- Kryeministri, po nëpërmjet rrjeve sociale, deklaroi se, punonjësit e administratës, të cilët, gjatë jetës së tyre jashtë punës, shkelin fashat orare të lejim-qarkullimit, do të penalizohen me 3 muaj heqje rroge dhe, në rast përsëritjeje, do të largohen nga puna.
Ky kërcënim për punonjësit e administratës është tërësisht pa lidhje me Kodin e Punës dhe Statusin e Nëpunësit Civil.
Të dy këto dokumenta parashikojnë rastet e penalizimit të zyrtarëve gjatë ushtrimit të detyrës. Pra, punonjësit e administratës mund të penalizohen, deri në shkarkim nga puna, në rastet kur ata kryejnë shkelje të detyrës. Dalja shëtitje, qoftë edhe jashtë fashave orare të ndalim-qarkullimit, si qytetarë të thjeshtë, nuk përbën shkelje të detyrës së zyrtarëve.
Këto i ka Kodi i Punës dhe Statusi i Nëpunësit Civil. Por, këto duhen lexuar, para nxjerrjes së Akteve Normative apo Urdhërave, pasi i bëjnë mirë “shëndetit” të Shtetit.
- Një vendim i Bankës së Shqipërisë, i shoqëruar më pas me një Urdhër të Përbashkët të Kryeministrit dhe Guvernatorit të Bankës, parashikon mundësinë e riskedulimit (shtyrjes) së pagesave të kësteve të kredisë për një periudhë 3-mujore.
Por, përtej entuziazmit të treguar nga titullarët e lartë shtetërore për këtë masë “në shërbim të biznesit dhe qytetarëve kredimarrës”, një detaj brenda Urdhërit nuk lejon shumë optimizëm.
Sipas Urdhërit, kredimarrësit, të cilët, gjatë periudhës së “karantinës”, kanë paaftësi paguese për këstet e kredisë, duhet të njoftojnë bankën përkatëse.
Por, më pas, do të jetë kjo e fundit, e cila, në bashkëpunim me kredimarrësin, do të vlerësojë kërkesën dhe do të marrë vendim.
Praktikisht, qytetarët kredimarrës, në këto kushte ndalim-qarkullimi, duhet të sigurojnë dokumentacionin, duhet të paraqiten në sportelin e bankës ku do të dorëzojnë kërkesën me motivet e saj.
Dhe, pavarësisht këtyre ece-jakeve, do të jetë sërish banka kredidhënëse që do të vendosë nëse qytetarit do i pranohet kërkesa për shtyrje pagesash kësti kredie apo jo.
Praktikisht, Kryeministri dhe Guvernatori i Bankës lëshuan një Urdhër të Përbashkët për të bërë, asgjë më shumë se sa “një vrimë në ujë”!