Kreu i PD-së Lulzim Basha iu ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës së dytë të shënuar në vendin tonë nga COVID19.
Përmes një postimi në rrjetet sociale gjithashtu Basha i ka bërë thirrje qeverisë edhe një herë që të marrë masa për personelin mjekësor, pasi edhe këta janë të prekur nga ky virus.
Kryedemokrati iu ka bërë apel edhe qytetarëve që të zbatojnë këshillat e mjekëve, pasi vetëm në këtë mënyrë parandalohet ky virus vdekjeprurës.
Postimi i plotë i Lulzim Bashës:
Është i trishtueshëm lajmi që një tjetër qytetar ka humbur jetën për shkak të komplikacioneve të shkaktuara nga COVID 19. Me këtë rast i shpreh ngushëllimet familjes së tij. Dua gjithashtu të përgëzoj dhe uroj ekipin e mjekëve dhe pacientin që mbrëmë e fitoi betejën me COVID 19.
Prej ditësh kam shprehur shqetësimin për ekspozimin e mjekëve dhe stafit shëndetësor ndaj COVID 19. Fatkeqësisht sot kemi 9 raste të konfirmuara mjekësh të prekur nga Covid 19 si dhe dhjetra raste të tjera të vetëkarantinuar.
Do ta përsëris edhe shumë herë të tjera pa u lodhur thirrjen ndaj qeverisë që të pajisë personelin shëndetësor me të gjjthë mjetet e duhura mbrojtëse si dhe të marrë urgjentisht masat për të ngritur ambjente të veçanta në spitalet rajonale për të pritur dhe trajtuar personat që kane shenja apo dyshime se mund të jenë prekur nga COVID 19. Kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur stafin mjekësor kaq të domosdoshëm në këtë situatë të rënduar, por dhe pacientët e tjerë që kurohen në spitale.
Mjekët dhe infermierët janë mburoja jonë, janë garancia për ta kaluar me sa më pak dhimbje këtë situatë tejet kritike. Qeveria duhet që në mënyrë emergjente të verë në dispozicion fonde për të blerë paisje mjekësore dhe tamponë të nevojshëm për të kryer ekzaminimet për COVID 19.
Sa më shpejt të identifikohen bartësit e këtij virusi aq më e lehtë bëhet kufizimi i përhapjes dhe trajtimi i të prekurve. Nuk duhet lejuar kurrsesi që situata të përkeqësohet, duhen marrë masa para se të jetë tepër vonë.
Të dashur bashkëqytetarë!
Ndërsa bilanci i të prekurve nga COVID 19 sa vjen e rritet, mbetet shumë e rëndësishme të zbatoni këshillat e mjekëve dhe të qëndroni në shtëpi.
Në këtë menyrë do të ndalojmë përhapjen e virusit COVID 19 dhe do t’ju japim mundësi mjekëve të trajtojnë me kujdes personat që janë në gjendje të vështirë shëndetësore.
Mos harroni se duhet një kujdes i veçantë ndaj të moshuarve të cilët janë dhe grupmosha më e rrezikuar.
Ndërsa një vëmendje e shtuar duhet dhe ndaj qytetarëve në pamundësi ekonomike, atyre që jetojnë në kushte të vështira në çadra apo banesa të papërshtashme. Pa humbur kohë duhet siguruar furnizimi me ushqime dhe detergjent për ta. Koha nuk pret.
Dua me përulësi t’ju shpreh mirënjohjen time të gjithë atyre që në këto ditë të vështira dhe të ngarkuara psikologjikisht po punojnë pareshtur, mësuesit që po asistojnë me mijëra nxënës në forma alternative, shitësit e marketeve apo dyqaneve, punonjësit e furrave të bukës, farmacistët, punëtorët e ujësjellësve, elektricistët, e shumë e shumë të tjerë që janë sot në krye të detyrës. Mirënjohje gjithashtu dhe për punonjësit e mediave që pa marrë në konsideratë rrezikun vazhdojnë të jenë në krye të detyrës për të mbajtur të informuar qytetarët që sot më shumë se kurrë më parë janë me sytë, veshët dhe mendjen nga informacionet që përcjell media.
Mirënjohje pa kufi për të gjithë ju të dashur bashkqytetarë që pavarësisht situatës së vështirë, duke lënë pas çdo ndasi po i jepni kurajo dhe mbështetje njëri tjetrit!