Nga Erl Kodra
Edhe ne jemi pjesë e botës. Kështu që do të ishte e paimagjinueshme që shqiptarët të mos preken nga epidemia e rëndë. Por, sinqerisht asnjëherë nuk i kam kuptuar, ose më mirë të them, nuk i kam mirëkuptuar këshillat e specialistëve të fushës në Shqipëri përgjatë më shumë se një muaji.
- Kam dëgjuar me veshët e mi duke deklaruar me siguri absolute se “gripi i zakonshëm vret më shumë se SARS-CoV-2”.
Ky pohim thjesht nuk është i vërtetë. Asnjë grip i zakonshëm nuk vret kaq brutalisht sa SARS-CoV-2. Asnjë grip i zakonshëm nuk përhapet kaq masivisht. Asnjë grip i zakonshëm nuk është kaq i pamposhtur sa SARS-CoV-2. Shifrat e vdekjeve në rajone kaq të vogla provojnë se ky lloj virusi është një ndër vrasësit më të rrezikshëm, i krahasueshëm me gripin spanjoll.
- Kam dëgjuar me veshët e mi duke deklaruar se “maskat nuk të mbrojnë nga SARS-CoV-2”.
Deklarim totalisht i pavërtetë, sepse maskat të mbrojnë, pasi 99 % infektimeve me virus ndodhin nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes. Rrallë mund të ndodhë një infektim nëpërmjet ushqimit.
- Për 2 javë me rradhë u vazhduan lëvizja e udhëtarëve nga Italia dhe anasjelltas, pa marrë asnjë masë serioze, por duke e trajtuar si diçka normale. Ekipet e kontrollit në Aeroportin “Nënë Tereza” dhe në Portin e Durrësit dhe Vlorës ishin tragjikomike dhe sharlatane. Asnjë nga specialistët e shëndetit publik nuk deklaronte nevojën e izolimit të këtyre udhëtarëve, ose mbylljen e kufinjëve. Me qindra njerëz, të kthyer direkt nga zonat e infektuara në Itali sot janë kthyer në armë biologjike, të cilat po e shpërndajnë lirisht virusin nëpër fshatrat e Shqipërisë.
- Masat gjysmake për të siguruar maskat e fytyrës dhe tamponët për kryerjen e analizave e ka zhvlerësuar totalisht karantinimin e popullsisë shqiptare. Po ashtu, mospaiasja e personelit shëndetsor me veshje të posaçme, po rrezikon seriozisht jo vetëm shëndetin e tyre, por edhe shëndetin e mbarë popullatës.
- Karantina e plotë e popullsisë mund të funksionojë edhe një javë, por pas kësaj kohe, në kushtet ekstreme të mungesave bazike për jetesë, do të nxisë tensione dhe trazira sociale të forta, deri në rrebelime të pakuntrollueshme.
Përfundime: Qytetarët shqiptarë gjenden në mes të një katastrofe humane, me përmasa të paimagjinueshme. Shtresa të tëra të popullsisë janë të rrezikuara direkt të përfshihen nga tensione të forta, kriza emocionale, dhe sëmundje të tjera të ndryshme. Heshtja e qeverisë, duke mos përcjellë mesazhe shprese për siguri për të ardhmen e afërt, sidomos duke mos deklaruar asnjë masë financiare për mbështetje të popullatës të mbyllur në shtëpi, brenda disa ditëve do të përkthehet në kaos.
– Presidenti duhet të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Sot, tani.
– Edi Rama duhet të marrë përgjegjësinë dhe të sillet qoftë edhe për një javë të vetme si Kryeministër, duke u kërkuar falje shqiptarëve dhe të shpallë buxhetin e Luftës. Këtë duhet t’a bëjë sot, jo nesër.
Edhe pak ditë mund të bëjmë diçka për të parandaluar katastrofën totale. Tik – tak, Tik – tak, Tik – tak.