Dëshmia tronditëse e Ai Fen, shefes së urgjencës në Spitalin Qendror të Wuhanit, mjekja e parë që paralajmëroi eprorët e saj për rrezikun e koronavirusit.
Pak ditë më shumë se një muaj pasi emocioneve që u ngjallën në Kinë nga vdekja, më 7 shkurt, e mjekut Li Wenliang, okulisti që u qortua nga policia për ngjalljen e alarmit për ashpërsinë e virusit, dëshmia e Ai Fen, shefes së departamentit të urgjencës në të njëjtin spital, shkakton një tronditje të re elektrizuese. Botuar në 10 Mars, ditën e vizitës së papritur të Presidentit Kinez Xi Jinping në Wuhan, në revistën Ren Wu (“The People”), një degë e grupit të Daily People – organi zyrtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës – dëshmia e saj u censurua shumë shpejt. Megjithatë, ajo u shpërnda gjerësisht në mediat sociale, duke dëshmuar nevojën për më shumë transparencë të një pjese të tërë të shoqërisë kineze.
Dëshmia e gjatë e mjekes së urgjencës, të cilën gazetari Ren Wu e takoi në fillim të marsit, ishte pjesë e një rubrike me temë “Mjekët në Wuhan”. Nëse kopjet e printuara të revistës u kapën shpejt dhe nga faqja e internetit u hoq dëshmia, vetë fakti që ajo u botua zbulon një kundërshti të re nga ana e disa mediave kineze. Kopje e foto të tekstit të Ren Wu, si dhe përkthime në të gjitha llojet e gjuhëve të kodifikuara, të vështira për tu zbuluar me mjete elektronike censurimi, si Brail ose hieroglife egjiptiane, më pas filluan të qarkullojnë në WeChat, rrjetin social kinez.
Doktore Ai ka qenë direct në qendër të informacionit të shpërndarë më pas nga mjeku Li Ëenliang: ka qenë ajo që u dërgoi kolegëve të saj, në WeChat, një foto nga raporti i laboratorit i cili kishte analizuar mostrat që vinin nga një pacient i shtruar në spital më 16 dhjetor, gjendja e të cilit vijonte përkeqësimin. Më pas zoti Li e shpërndau atë te njerëzit e tjerë jashtë spitalit, të cilët e qarkulluan në publik. Duke lexuar atë raport të parë, më 30 Dhjetor, Dr. Ai ishte mbuluar nga “djersë të ftohta”: laboratori tregote se ishte një koronavirus i llojit “SARS” – një shprehje të cilën e rrethoi me të kuqe – dhe se mënyra kryesore e transmetimit ishte përmes pikave nga sekrecionet pulmonare të pacientit, dhe se pneumonia atipike që rezultonte ishte “padyshim ngjitëse” – një tjetër shenjë e ngjitjes nga një njeri te tjetri, fakt ky që u njoftua zyrtarisht nga autoritetet kineze vetëm më në 20 janar ndonëse dihej shumë më herët.
Zonja Ai u kujdes të paralajmëronte departamentin e sëmundjeve infektive të spitalit. Por në mbrëmjen e 1 janarit, ajo u thirr nga personi i ngarkuar me disiplinën e institucionit, i cili të nesërmen i komunikoi asaj paralajmërimin e rëndë: si kishte mundësi që ajo “ishte treguar kaq shumë pa profesionalizëm dhe sens të disiplinës ekipore “, duke “përhapur thashethemet kudo” dhe “duke krijuar probleme”. Ajo u udhëzua të mos postojë asgjë në WeChat dhe të mos thotë asgjë: ajo thjesht duhej të sigurohej që 200 pjesëtarët e ekipit të saj të mbroheshin mirë, duke folur me ta një për një. Mjekja i shpjegoi gazetarit Ren Wu se ndonëse nuk qe një nga shtatë mjekët e thirrur nga policia bashkë me Li Wenliang, ajo megjithatë qe e tronditur thellësisht dhe se nuk kishte patur mundësi të bënte “asgjë përveçse të përmbushte detyrën e saj si mjeke”. Në javët që pasuan, ajo do ta drejtojë shërbimin e saj mes trazirave të thella, duke qëndruar e heshtur për atë që dinte.
Dyzet punonjës të infektuar
Pacientët që shpesh mbërrinin tek tafi mjekësor në Kinë ishin në një gjendje të rëndë. Radhët mund të zgjasnin deri në pesë orë. Më 21 janar, më shumë se 1.500 pacientë u drejtuan në shërbimin e urgjencës – tre herë më shumë se normalja – nga të cilërt 655 ishin me ethe, thotë shefja e urgjencës. “Një ditë, një grua elegante, me taka të larta dhe e veshur me një xhaketë lëkure, u rrëzua në radhë dhe mbeti e pajetë në vend pa e guxuar askush ta ndihmojë – përpara se mjekët ta vërenin. Një burrë erdhi në panik sepse babai i tij ishte në gjendje të rëndë, por hyrja në parkingun e urgjencës ishte mbyllur. Kur punonjësit e urgjencës shkuan tek makina, burri tashmë kishte vdekur. Një plak i tronditur, me flokë të bardhë, për të cilin dyshohej se ishte një punëtor migrant, po ashtu vdiq. Mjeku ia dorëzon certifikatën e vdekjes djalit të tij 32-vjeçar – pa testin e virusit, i cili do ti jepte të drejtë, kuptohet, që ti rimbursoheshin kostot. Kjo është ajo që dua ta bëj të qartë. Jo të gjithë pacientët që vdiqën në departamentin e urgjencës mundën të testohen [për Covid19]. Shpesh ata ishin të varfër. Kur të ketë mbaruar kjo epidemi, shpresoj të jemi në gjendje t’u japim familjeve sqarime dhe pak ngushëllim”, dëshmon mjekja.
Dyzet punonjës në departamentin e saj përfundimisht u infektuan me Covid19. Katër mjekë të spitalit, përfshirë doktor Li, humbën jetën nga virusi. Ai Fen tha se ajo ndjente “pendesë të thellë”: “Nëse do ta kisha ditur se çfarë do të ndodhte, s’do të kisha pyetur për qortime. Dhe do t’u thoja të gjithëve. Kujtdo që të mundja.”