Nga Peter McCaffery, Conversation
Vitamina C është një ilaç i zakonshëm që disa njerëz besojnë se mund të kurojë ftohjen dhe gripin e zakonshëm. Edhe pse na ndihmon të ruajmë funksionimin e mirë të imunitetit, ka pak prova se ajo mund të parandalojë ose zvogëlojë ndjeshëm ndonjërën nga këto sëmundje. Por në mesin e shpërthimit të koronavirusit të ri, disa ‘influencues’ pretendojnë se marrja në doza të mëdha e vitaminës C mund të kurojë sëmundjen e shkaktuar nga koronavirusi.
Por le ta marrim me radhë. A mundet që vitamina C të kurojë koronavirusin? Duket marrë parasysh se koronavirusi i ri i përket të njëjtës familje të viruseve- koronavirusë- si ftohja e zakonshme dhe gripi, nuk ka gjasa që marrja e vitaminës C t’ju parandalojë apo t’ju shërojë nga një infeksion COVID-19.
Kam shkruar më parë se përdorimi i vitaminës C për të trajtuar ftohjen e zakonshme është një ide e popullarizuar nga kimisti i njohur, fituesi i çmimit Nobel, Linus Pauling dhe e promovuar nga industria e suplementeve dietikë. Fatkeqësisht, që prej pretendimit të Pauling në vitet ’70, ka pasur pak prova për ta mbështetur këtë.
Vitaminat ose vital-aminat u zbuluan për herë të parë në fillim të shekullit të 20-të si një element i pranishëm në sasi të vogla në dietat tona, që ishin jetike për shëndetin. Sigurisht, njerëzit që nuk kanë vitaminat e caktuara, mund të zhvillojnë një sëmundje mangësie. Për shembull, njerëzit me mungesë të vitaminës C mund të preken nga skorbuti. Sidoqoftë, deri në fillim të viteve ’30 nuk dihej se sëmundja shkaktohej nga mungesa e vitaminës C dhe marrja e saj mund të kuronte sëmundjen.
Shkenca e të ushqyerit lindi me zbulimin e vitaminave, dhe që prej atëherë është bërë një industri konkurruese, e parregulluar, shpesh me një element shkencor, që konkurron kundër atyre që përhapin dezinformacion dhe kërkojnë të përfitojnë: shpërthimi i koronavirusit është shembulli i fundit.
Këto artikuj mashtrues janë përhapur shpejt dhe ka të ngjarë që të jenë arsyeja se përse ka mungesa të vitaminës C në Azi.
Sistemi imunitar i trupit
Vitamina C është e rëndësishme për të ruajtur ekuilibrin ‘redoks’ në indet e trupit- këto janë llojet e reagimeve në qeliza që shtojnë ose heqin oksigjenin dhe janë esenciale për shumë procese si gjenerimi i energjisë në qeliza. Këto reagime të njëjta, megjithatë, mund të krijojnë produkte të dëmshme për qelizat njerëzore- siç janë speciet reaktive të oksigjenit, të cilat reagojnë me lipide (yndyrë), proteina dhe acide nukleike. Vitamina C mund të zvogëlojë këto reagime të dëmshme. Ndihmon gjithashtu që enzimat të prodhojnë kolagjen, i cili është i nevojshëm për të mbështetur indet e trupit tonë.
Edhe pse vitamina C nuk ka veti të mrekullueshme për shërimin e sëmundjeve, disa studime kanë treguar se mund të ndihmojë sistemin imunitar për të luftuar bakteret dhe viruset. Roli i saj në mbrojtjen kundër infeksioneve virale u shfaq në një studim të fundit, që zbuloi se qelizat imune kanë nevojë për vitaminë C për të prodhuar proteina që aktivizojnë sistemin imunitar në të gjithë trupin kundër sulmeve të viruseve.
Duke thënë këtë, ne mund të marrim lehtësisht nivele të mjaftueshme të vitaminës C në dietën tonë që të mbajmë sistemin imunitar plotësisht funksional. Vitamina C është e bollshme në shumë fruta dhe perime, përfshirë portokallin, brokolin dhe pataten. Dhe ndërsa është relativisht jo-toksik, pasi tretshmëria e lartë në ujë e bën të lehtë ekskretimin nga tropi, dozat e tepërta mund të sjellin diarre, ngërç dhe ndjesi të vjelle.
Edhe pse kam thënë se vitamina C nuk ka të ngjarë që të jetë një kurë dramatike për koronavirusin, fakti që mund të promovojë një sistem më të mirë imunitar, do të thotë që do shkoja shumë larg nëse do thosha se nuk ka asnjë efekt. Edhe pse një studim zbuloi se vitamina C nuk ka asnjë efekt në reduktimin e shpeshtësisë së ftohjes, ajo zbuloi se personi mesatar kishte një rënie të kohëzgjatjes së simptomave të ftohjes. Te njerëzit që merren me aktivitet të fortë fizik, vitamina C e përgjysmoi kohëzgjatjen dhe ashpërsinë e rrezikut të zakonshëm.
Këto efekte të vogla të vitaminës C te koronavirusi që shkakton ftohjen e zakonshme, kanë nxitur testime të reja klinike, në kërkim të kurës për infeksionin COVID-19, duke përdorur sasi shumë të mëdha intravenoze të vitaminës C. Testimet sapo kanë filluar dhe rezultatet nuk kanë dalë akoma. Aplikimi intravenoz i vtaminëz C do të rezultojë në nivele shumë më të larta dhe të shpejta të vitaminës në gjak, sesa çdo sasi që gjendet në suplementet që merren me gojë. Megjithëse kjo qasje mund të rrisë efektin e butë mbrojtës të vitaminës C, kjo është ende hipotetike dhe injeksioni intravenoz sjell rreziqet e tij, siç është infeksioni, dëmtimi i enëve të gjakut, embolia e ajrit dhe mpiksja e gjakut.
Pra, megjithëse vitamina C ka ndonjë efekt të vogël në ftohjen e zakonshme, nuk ka të ngjarë që marrja e sasive të mëdha të shtojcave me vitaminë C të shërojë infeksionin COVID-19- ose të ketë ndonjë efekt të madh. Edhe nëse vitamina C intravenoze funksionon për të shkurtuar ose kuruar COVID-19, ka të ngjarë që të jetë vetëm një ndalesë përpara se situatën ta marrin në dorë vaksinat. Mënyra më efektive për të shmangur virusin mbetet ende larja e duarve, mosprekja e fytyrës dhe mbajtja e distancës nga kushdo që shfaq simptomat.