Kurti e lëviz pak taksën ndaj Serbisë; Amerika, LDK dhe opozita nuk pajtohen
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se më 15 mars do të marrë vendim për heqjen e tarifës 100% për lëndën e parë të mallrave të importuara nga Serbia. Kjo sipas Kurtit, erdhi pas analizës mbi reciprocitetin e munguar me Serbinë, dhe pas diskutimeve me Ministritë e Ekonomisë dhe Punësisë. Por, këto masa, të cilat çojnë deri te heqja e taksës me kushte të caktuara, nuk janë mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partitë opozitare. Kundër këtij vendimi ka dalë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është në koalicion qeverisës. Taksa vë në pah edhe shenjat e parë të përçarjes VV-LDK.
Nga Prishtina, Fatos Shala
Albin Kurti ende nuk e ka mbushur një muaj qëkur ka marrë postin e shefit të qeverisë së Kosovës, por ai ka vendosur që të merret me tema të mëdha që në fillim, siç është taksa me Serbinë. Kryeministri Albin Kurti ka bërë me dije se nga data 15 mars 2020, do të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Kjo, siç bëri të ditur ai, si shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë.
Në paraqitjen e tij para gazetarëve, kryeministri Kurti ka ftuar Serbinë që si përgjigje ndaj këtij vendimi të palës kosovare të zotohet se do ta ndërpresë fushatën për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe po ashtu të nisë me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës. Kurti ka deklaruar se fillimi i heqjes së tarifës, nisur me atë për lëndën e parë, “është një shenjë e vullnetit të mirë”.
“Është shenjë e gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”, ka thënë Kurti. Siç ka thënë Kurti, nëse pala serbe dëshmon përkushtimin në ndalimin e fushatës jomiqësore ndaj Kosovës dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave tregtare jotarifore, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do ta heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina për një periudhë prej 90 ditësh.
Kryeministri Kurti ka theksuar që Bashkimi Evropian duhet ta vlerësojë lart vendimin e palës së Kosovës për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, duke e ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit, që do të mbahet më 7 maj 2020.
Kurti ka shtuar që në rast se Serbia nuk e përfill vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës për eliminimin e barrierave tregtare, ekonomike dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë, nuk e pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marrëdhëniet me Kosovën, “atëherë, Qeveria e Kosovës, me fillim nga data 1 prill do të nisë me implementimin gradual të principit të reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë dhe më pastaj edhe në fushën ekonomike dhe atë politike”.
Në rast se pala serbe nuk reflekton gjatë periudhës prej 90 ditësh, siç ka thënë kryeministri Kurti, “Qeveria e Kosovës, nga data 15 qershor, do ta rikthejë tarifën për importet nga Serbia, ndërkaq që do të vazhdohet edhe zbatimi i filluar me 1 prill i reciprocitetit”.
Kurti ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të dalin me instrumente të detajuara dhe afate kohore që listojnë përfitimet nga angazhimi i sinqertë i palëve në tejkalimin e barrierave tregtare, ekonomike dhe politike, mekanizmat për evidentimin dhe adresimin preciz të mospërmbushjes eventuale të detyrimeve nga palët, si dhe të listojnë pasojat për palën jobashkëpunuese në proces.
Koalicioni qeverisës, i përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk ka treguar unitet të plotë në lidhje me taksën. Prej më shumë se një jave, zyrtarët e LDK-së i kanë bërë thirrje Kurtit të mbledhë qeverinë dhe të shfuqizojë taksën. Kurse pas vendimit të fundit, të cilin Kurti e bëri publik përmes një konference për media, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë në se LDK nuk do të mbetet në qeverinë aktuale, nëse taksa nuk hiqet pa kushte. Zëvendëskryeministri nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, tha se ai nuk është qëndrim i dakorduar në koalicionin qeverisës.
“Unë kam qenë në dakordim për t’i diskutuar kushtet. Nuk është qëndrim i dakorduar nga ne vendimi i Kurtit lidhur me taksën”, ka thënë Hoti. Sipas marrëveshjes së koalicionit, ai tha se tarifa duhej zëvendësuar me reciprocitet.
“Pjesë e marrëveshjes së koalicionit është të hiqet tarifa dhe të zëvendësohet me masat e reciprocitetit nëse Serbia nuk reflekton me heqjen e pengesave. Kërkesa jonë ka qenë të ulemi dhe të dakordohemi lidhur me çështjen e taksës. Ne jemi qeveri dhe duhet konsensus që vendimet e qeverisë të merren së bashku. Besoj se duhet ulemi të bisedojmë”.
Kurse kryeparlamentarja Vjosa Osmani, ka folur edhe për përçarjen mes partnerit të koalicionit qeverisës, LDK, dhe Vetëvendosjes, dhe ka mohuar se po ndodh një gjë e tillë. E pyetur rreth qëndrimit të LDK-së për taksën dhe vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që e mori për të pa ndonjë dakordim me LDK-në, ajo tha se gjatë ditës së premte do të diskutohet dhe do të marrin vendime të përbashkëta.
“Ne do t’i diskutojmë sot gjatë ditës bashkë me kryeministrin dhe ju informojmë. Është tejet me rëndësi që partnerët të ulen të diskutojnë detajet dhe të marrin vendime të përbashkëta. Me rëndësi është që shoh bashkëpunim shumë të mirë nga ana e partnerëve të koalicionit dhe të dy kanë qëllimin e përbashkët dhe ajo është mbrojta e interesit të vendit dhe mbrojtja e raporteve me partnerët ndërkombëtarë. Takimet që do të kemi sot do të jenë në funksion të arritjes së këtij dakordimi të përbashkët”.
Amerika dhe BE me qëndrime të ndryshme për taksën
Qeveria e Kosovës, gjatë javës së ardhshme do të marrë vendim që nga data 15 mars, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Mirëpo, me këtë veprim nuk po pajtohet Amerika.
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell në një postim në Twitter, ka shkruar se “nuk i mbështet masat gjysmake të kryeministrit Kurti”.
“Pozicioni ynë është mjaft i qartë: tarifat duhet të hiqen plotësisht. Kurti është duke bërë një gabim serioz – dhe kjo i është bërë sot e qartë presidentit Hashim Thaçi në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Grenell.
Për shfuqizimin e taksës, Kurti ka pasur nxitje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Madje, Amerika është duke e kërkuar që sa më parë të hiqet kjo taksë. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se pret që Kosova të heqë tarifën ndaj mallrave serbe dhe të shfrytëzojë momentin e krijuar pas nënshkrimit të dokumenteve për krijimin e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe tokësore midis Prishtinës dhe Beogradit.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus, tha përmes një komunikate se sekretari Pompeo gjatë takimit në Uashington me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ripohoi partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe mbështetjen për një Kosovë të pavarur dhe sovrane. “Sekretari Pompeo po ashtu, ritheksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Gjykatën Speciale, puna e të cilës është jetike për të sjellë drejtësi për viktimat dhe për të forcuar shtetin ligjor në Kosovë”, thuhet në komunikatën e zëdhënëses së Departamentit të Shtetit.
Kurse i dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell, ka ripërsëritur disa herë se taksa duhet të hiqet në mënyrë që t’u hapet rrugë investimeve. “Taksa duhet të hiqet në mënyrë që investimet të zhvillohen. Është themelore”. Grenell tha se taksa duhet të hiqet, ndërsa reciprociteti nuk duhet aplikuar.
Ndërkaq, Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka treguar se pret nga qeveria e Kurtit të dalë me ide të reja, në mënyrë që të rinisë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Konsiderojmë që taksa ka shkelur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe marrëveshjet tjera si CEFTA, anëtare e së cilës është Kosova. Tani po presim që qeveria e re të dalë me propozime dhe ide të reja se si do të trajtojë këtë çështje, nuk dëshirojmë të parashikojmë se cila do të jetë zgjidhja. Vetëm dëshirojmë që këto bisedime të vazhdojnë, në mënyrë që për ne është e rëndësishme, që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të fillojë”. Një vendim të tillë e ka mirëpritur edhe Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së.
Përmes një deklarate të zëdhënësit të Shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, është thënë se ky hap mund të ofrojë një mundësi për rifillimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, të ndihmuar nga Bashkimi Evropian.
Deklarojnë se Borrell është gati ta luajë rolin e tij si ndihmës në dialog nga ana e Bashkimit Evropian.
“Shumë kohë është humbur. Besimi duhet të rikthehet në mënyrë urgjente. Serbia dhe Kosova duhet të krijojnë një ambient që është i favorshëm për vazhdimin e dialogut, për të mirën e të dyja vendeve. Zëvendëspresidenti/Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, është gati ta luajë rolin e tij si ndihmës në dialog nga ana e Bashkimit Evropian”, thuhet në deklaratë.
Veseli e Haradinaj kritikojnë Kurtin
Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili, përmes një postimi në “Facebook”, e ka konsideruar këtë vendim “dorëzim para Serbisë”. “Sonte Albin mashtruesi u dorëzua para Serbisë. Ky është fillimi i kthimit të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë. Albin mashtruesi nga sot je përgjegjës për ripushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia”, tha Haradinaj. Kurse kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka shkruar në “Facebook” se vendimi i Kurtit nuk ishte asgjë e re.
“Të paktën ta respektonte të drejtën e autorit. Sepse vendimi i tij për taksën dhe reciprocitetin qenka huazuar nga ideja e propozimit tim të janarit të vitit 2019, të cilin, si çdo gjë tjetër, ai e pati refuzuar. Si opozitar, ishte në gjendje ta digjte Kosovën dhe të përdorte dhunë dhe jetë të rinjsh idealistë për të ardhur në pushtet. Sot, kur udhëheq qeverinë, ideali i tij po shihet se është vetëm mbajtja e pushtetit. Duke u shantazhuar, po e djeg veten më shpejt sesa kanë pritur të tjerët”, shkroi Veseli.
Propozimet e Kurtit erdhën pas thirrjeve të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që taksa të shfuqizohet, në mënyrë që të vazhdojë dialogu për arritjen e një marrëveshjeje paqësore me Serbinë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, sipas një komunikate për media të lëshuar pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se pret që Kosova të heqë tarifën ndaj mallrave serbe dhe të shfrytëzojë momentin e krijuar pas nënshkrimit të dokumenteve për krijimin e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe tokësore midis Prishtinës dhe Beogradit.
Serbia ka humbur rreth 461 milionë euro
Serbia ka humbur rreth 461 milionë euro në vlerë të mallrave në 14 muaj nga vendosja e taksës nga Kosova.
Ministri i Tregtisë së Serbisë, Rasim Ljajiç ka deklaruar se dëmet për Serbinë, nga vendosja e taksës nga Kosova, 14 muaj më parë, kanë arritur shifrën prej 461 milionë euro duke shtuar se në Kosovë në bazë ditore hyjnë mallra me 1 milion euro më pak vlerë.
Ljajiç ka thënë se pasojat e vendosjes së taksës ndaj mallrave serbe i kanë shfrytëzuar shtete të tjera të rajonit, që në Kosovë kanë futur mallin e tyre duke e shtuar prodhimin. Ai ka theksuar se do të jetë e vështirë nëse Prishtina heq taksën dhe vazhdon me disa masa të tjera, të ashtuquajtura si reciprocitet dhe që në fatura të shkruhet Republika e Kosovës, sepse sipas tij do të ketë prodhues që nuk do të pranojnë ta nënshkruajnë si të tillë mallin e tyre dhe “vështirë se pikat tona kufitare do të lejojnë daljen e një malli të tillë nga Serbia”.
Ljajiç ka thënë se Serbia është e gatshme për heqjen e të gjitha barrierave dhe kërkon tregti të lirë duke lavdëruar marrëveshjet për trafikun hekurudhor dhe ajror, por insistoi se për heqjen e taksës nuk po shënohej përparim.
Edhe Adriatik Stavileci, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, ka bërë të ditur humbjet që ka pasur Serbia pas vendosjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnja e Hercegovina.
“ Para vendosjes së taksës, Serbia në Kosovë për një vit ka eksportuar rreth 450 milionë euro, derisa Bosnja ka pasur një eksport 70 deri 80 milionë euro drejt Kosovës. Pas aplikimit të taksës, ky import ka pasur rënie nga të dyja shtetet. Nga data 21 nëntor e vitit 2018 deri më sot kemi pasur import 10 milionë euro. Serbia ka dërguar në Kosovë 6 milionë euro mallra, ndërsa Bosnja rreth 4 milionë euro, të gjithë e kanë paguar tarifën 100 për qind”.
Historiku i taksës
Tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës është vendosur në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, si kundërpërgjigje, siç është thënë, ndaj fushatës agresive diplomatike të Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe për tërheqjen e njohjeve të saj. Që nga atëherë, Beogradi zyrtar ka refuzuar të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pa heqjen e kësaj tarife.
Ashtu si qeveria e ish-kryeministrit Haradinaj, edhe qeveria e re e kryeministrit Kurti është përballur me kërkesën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për heqjen e tarifës, si kusht për rifillimin e dialogut Kosovë – Serbi, për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të zgjidhte kontestin ndërmjet dy vendeve. Që nga vendosja e taksës 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, importi nga këto shtete ka rënë për 99 për qind.
Para vendosjes së taksës doganore, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë. Ky shtet, para 21 nëntorit të vitit 2018 – kur u vendos taksa 100 për qind – gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro apo rreth 450 milionë euro brenda një viti. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka nisur në Bruksel që nga viti 2011 për çështje teknike dhe më pas ka vazhduar në nivelin e përfaqësimit të lartë politik, ku janë arritur më shumë se 30 marrëveshje. Një pjesë madhe e këtyre marrëveshjeve ende nuk janë zbatuar ose janë zbatuar pjesërisht.
7 pikat e Kurtit për taksën ndaj Serbisë
1. Si qeveri e Kosovës, gjatë javës së ardhshme, do të marrim vendim, që nga data 15 mars 2020, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Kjo si shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë.
2. Ftojmë Serbinë që, si përgjigje ndaj këtij vendimi të palës kosovare, të zotohet se do ta ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe po ashtu të nisë me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës. Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në ndalimin e fushatës jomiqësore dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave jotarifore me Kosovën, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do të heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe BeH për një periudhë prej 90 ditësh.
3. Bashkimi Evropian ta vlerësojë lart vendimin e palës kosovare për ta hequr tarifën prej 100%, duke ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit më 7 maj 2020.
4. Në rast se Serbia nuk e përfill vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës për eliminim të barrierave ekonomike, tregtare dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë nuk e pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marrëdhëniet me Kosovën, atëherë qeveria e Kosovës, nga data 1 prill do të fillojë implementimin gradual të principit të reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë e më pastaj edhe në atë ekonomike e politike.
5. Në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe prej 90 ditësh nga vendimi fillestar për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qershor do ta rikthejë tarifën për importet nga Serbia, teksa vazhdohet implementimi i filluar me 1 prill i reciprocitetit.
6. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dalin që në fillim me instrumente të detajuara dhe afate kohore që listojnë benefitet nga angazhimi i sinqertë i palëve në tejkalimin e barrierave tregtare, ekonomike dhe politike; mekanizmat për evidentimin dhe adresimin preciz të mospërmbushjes eventuale të detyrimeve nga palët; dhe, po ashtu, edhe listimin e konsekuencave për palën jobashkëpunuese në proces.
7. Rivlerësimi i këtij vendimi varet nga rezultatet qe ai prodhon në arritjen e këtyre objektivave. Reciprociteti i plotë tregtar, ekonomik dhe politik instalohet pas 15 qershorit./Monitor.al