Gratë ende vazhdojnë të jenë një përjashtim në pozicionet kyçe të pushtetit. Në hapësirën jashtëparlamentare megjithatë gratë po bëhen gjithnjë e më shumë të pranishme dhe me influencë, mendon Anja Brockmann.
Nëse shikon zhvillimet aktuale të politikës në botë, ato janë zhgënjyese: Në SHBA as sivjet nuk duket se do të ketë një grua që t’ia dalë të jetë në krye të vendit. Në Afganistan gratë rrezikohen të kthehen në kohët më të errëta si pasojë e marrëveshjes me talibanët. Dhe në Europë presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen dështoi me planin e saj për një përbërje të barabartë të personelit të Komisionit nga gra dhe burra për shkak të rezistencës së kryeministrave burra.
Gratë në krye të politikës në mbarë botën mbeten të rralla. Aq të rralla sa shpërthen një entuziazëm mediatik i jashtëzakonshëm sapo ndonjë grua ia del në krye, sikurse ishte së fundi rasti i finlandezes Sanna Marin, e cila jo vetëm grua, por është edhe e re, duke shënuar kësisoj një përjashtim të dyfishtë. Në shumicën e parlamenteve në mbarë botën deputetet gra vazhdojnë të jenë pakicë, ndonëse kjo është në kundërshtim me idenë demokratike të parlamentit si pasqyrë e shoqërisë.
Heroina të reja si model
Edhe gruaja më e pushtetshme në botë, Angela Merkel, në atdheun e saj në Gjermani e ka lënë pasdore të insistojë që në partinë e saj me ndihmën e një kuote t’u krijojë grave më shumë influencë. Ndaj nuk duhet të habitemi, që tani kolegu i partisë së saj Friedrich Merz, i cili dëshiron fort të jetë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, ankohet publikisht për diskriminimin e burrave dhe dëshiron të aplikojë një listë elektorale, në të cilën të ketë po aq gra sa edhe burra.
Por sidoqoftë diçka ka ndryshuar. Ka gra, që nuk qendrojnë jashtë jetës politike. Vajza luftarake si Greta Thunberg, që e ka vendosur në mënyrë të pakthyeshme katastrofën e klimës në agjendën globale të politikës. Gra si Carola Rackete, e cila angazhohet për shpëtimin e refugjatëve në det të hapur dhe e kundërshtoi ministrin e Brendshëm italian. E gra si Emma González, që në SHBA lufton për ligje më të ashpra kundër armëmbajtjes.
Heroinat e reja politike janë të reja dhe po i venë gjërat në lëvizjë – në një opozitë jashtëparlamentare. Ato janë antipodi i burrave si Donald Trump, Vladimir Putin e Jair Bolsonaro. Ato duan të arrijnë diçka, pa dashur të bëhen vet pjesë e pushtetit. Ato sakrifikojnë personalisht: Urrejtja me të cilën përballen ato, kryesisht prej burrave, është e pamasë dhe jashtëzakonisht e rëndë. Por pikërisht qendrueshmëria e tyre i kthen ato në udhërrëfyese për një politikë të re ndryshe. Ato bëhen shembull për gratë e reja në mbarë botën.
Edhe pse ende shumë vajza në këtë botë vetëm për shkak të gjinisë përjashtohen nga arsimi, UNESCO konstaton edhe zhvillime pozitive: Në shumë rajone të Azisë, në vendet arabe dhe në Amerikën Latine gratë përftiojnë nga arsimimi. Atje ku kanë shansin për arsim, gratë janë mesatarisht më të kualifikuara, më fort të motivuara dhe me një kompetencë sociale më të mirë krahasuar me bashkëmoshatarët burra të tyre. Këto gra synojnë pjesëmarrje shoqërore dhe politike. Hap pas hapi ato fitojnë më shumë autonomi. Atje, ku ato gëzojnë ligjërisht barazinë gjinore, gratë kujdesen, që ligjet të jetohen dhe të mos mbeten thjeshtë në letër.
Pa votat e grave nuk fitohen zgjedhjet
Politikë kundër gruas nuk mund të bëhet më kaq lehtë. Edhe macho-t më të regjur në selitë e partive e dinë mirë që pa votat e grave nuk mund të fitojnë më asnjë zgjedhje. Gratë duhen bërë për vete me programe politike, por edhe duke i zgjedhur ato si kandidate. Sepse gratë zgjedhin gratë – kur e kanë këtë mundësi. Këtë nuk e di askush tjetër më mirë në Gjermani se sa partia kristiandemokrate, që me Angela Merkel-in ka mundur të fitojë pikë në masë prej votave nga gratë.
Gratë pra duhet të jetë më të vetëdijshme për forcën e tyre. Ato duhet ta ndëshkojnë politikën, që nuk i merr ato parasysh. E për këtë duhet të jenë konseguente. Për këtë ato i detyron e drejta e votës – një e drejtë për të cilën ato kanë luftuar gjatë dhe fort për ta arritur e që edhe sot u duhet të luftojnë për ta ruajtur atë. Në mënyrë që të mos bëhen më prapakthesa të mëdha. Në mënyrë që të ecet vetëm përpara. Për të mirën e grave në mbarë botën./DW