Depresioni, titulli i vjedhur Milanit me “skenën e Alemaos”, dhimbja për nënën në çmendinë, grindja me Cruijff, Messi më i mirë se Ronaldo dhe provokimi i Ibras.
«Nuk e meritojmë, e kuptoni? Kemi parë Van Basten, nuk mund ta durojmë këtë». Ishte ndeshja e fundit në shtëpi e sezonit 2001 – 2002. Një prej atyre viteve të gabuar, në kapërcyellin midis dy cikleve. Javi Moreno, i quajtur El ratón, miushi, një meteorë, luante si titullar. I erdhi një kros i fortë përgjatë vijës së djathtë. Teksa vraponte, qendërsulmuesi spanjoll nxorri në mënyrë qesharake këmbën e djathtë përpara, një herë, edhe një herë akoma, krejtësisht i pasinkronizuar, për të kontrolluar topin që po përgatitej të prekte tokën. Më pas ju ngatërruan këmbët dhe u rrëzua. Një spektator ju afrua dhe nisi t’i ulërijë sikur të ishte e tmerrshme të asistoje në këto spektakle, por kë kishte përjetuar sezonin e shkurtër e Mjellmës hollandeze. Papritmas, publiku i tribunës u zgjua nga topitja dhe duke duartrokitur. Ovacione. Shfryrja individuale e një tifozi ishte transformuar në zbulimin e një ndjenje kolektive. Asaj të pa-Marco, i kujt ka qenë dëshmitar i një bukurie, i një elegance aq absolute sa të bëjë të pamundur akoma sot kërkimin e një trashëgimtari.
Në fund të një pasditeje të ngadaltë e kaluar në sallën private e një restoranti të Utrecht të tij, Marco Van Basten shtrëngon me të dyja duart filxhanin e çajit dhe për herë të parë ul kokën, si për të fshehur sytë. Titulli italian i autobiografisë së tij është “Fragile”. Nuk i referohet vetëm kaviljes që e tradhëtoi, por rrugëtimit ekzistencial të një ish kampioni të puthuar nga perënditë e futbollit dhe nga fati i keq, që ka kaluar momente të vështira dhe i është dashur të presë «vjeshtën e jetës së tij» për t’u shfaqur lakuriq dhe pranuar dobësitë e tij njerëzore, ai që për nga hijeshia dhe talenti dukej si qenie superiore. «Në Milano ndjehesha sikur të isha pjesë e një familjeje. Sëbashku kemi jetuar një jetë të tërë. Më keni parë të lind si lojtar dhe si njeri. Më keni parë të rritem dhe, fatkeqësisht, keni parë edhe fundin».
Van Basten, çfarë kujtoni nga ceremonia e lamtumirës se futbollit në fushën e blertë të San Siro?
«Ishte gjithçka e trishtë. Qenë të trishtuara shikimet e ish shokëve të mi, që kërkoja t’i kryqëzoja sa më pak të ishte e mundur, pasi më ishte premtuar të mos qaja. Nuk qe aspak festë. Kishte trishtim kudo. Ajo e publikut dhe e imja. Vrapoja, pasi nuk doja të shikohesha se çaloja, përplasja duart me njerëzit dhe ndërkohë mendoja se tashmë nuk ishja më. Më dukej sikur isha i ftuar në funeralin tim».
Kishti frikë për të ardhmen?
«Atë mbrëmje mendoja vetëm se heta ime kishte qenë futbolli. Tani isha bërë kanal ujërash të zeza. Isha vetëm 31 vjeç, nuk luaja më prej dy vitesh. E kisha mëlçinë copë prej ilaçeve kundër dhimbjes. Kisha një dhimbje të tmerrshme në atë kavilje të mallkuar. Isha i dëshpëruar».
Ishit edhe depresiv?
«Më pas, kur kam dalë, kam kuptuar se kisha përjetuar diçka të ngjashme me depresionin. Në atë kohë nuk e kuptoja. Isha tejet i përqëndruar mbi faktin që isha i sëmurë. Pyesja veten se pse kjo vuajtje duhej të më takonte pikërisht mua. Nuk e kam gjetur kurrë një përgjigje».
Ndjeheni akoma viktimë e një padrejtësie?
«Kam pushuar kur kam kaluar të 40-at, domethënë mosha kur të gjithë pushojnë së luajturi. Deri në atë moment nuk ka pasur mëngjes ku të mos kem menduar për atë që do të mund të kisha qenë».
Çfarë do të ishte bërë Marco Van Basten me një kavilje normale?
«Praktikisht kam pushuar së luajturi në moshën 28 vjeçare. Kisha fituar 3 Topa të Artë. Shiko sot mbi 30 vjeçarët Ronaldo e Messi në çfarë gjendjeje janë».
Me që ra fjala…
«Ronaldo është një lojtar i madh. Ama kush thekson se është më i fortë se Messi, atëhere ose nuk e kupton futbollin, ose është dashakeqës. Messi është unik. I paimitueshëm dhe i papërsëritshëm. Si ai, një në çdo 50 vjet. Si fëmijë ka rënë në tiganin e gjenisë futbollistike».
Çfarë bëtë që dolët nga ajo periudhë e zezë?
«Do të doja t’ju thoja se më ka ndihmuar ime shoqe, familja. Në të vërtetë kam qenë një barrë për ta. Kanë qenë vite shumë të këqij. Ndoshta, duhet të prekja fundin për të filluar më pas jetën time të re».
Kur e keni kuptuar se kishit arritur?
«Një ditë kur po kthehesha në shtëpi nuk e di se nga cili event promocional. Zbres nga makina. Angela, një prej vajzave të mia, vrapon drejt meje për të më përqafuar».
Çfarë kishte që nuk shkonte?
«Kishte patericat e mia në dorë, po mi sillte, sikur të ishte një gjest i natyrshëm. Tashmë ishte mësuar të më shikonte kështu. Nuk mund ta duroja më idenë se vajzat e mia mendonin për babain e tyre si për një çalaman. Mora telefonin dhe i telefonova doktorit».
Për t’i thënë?
«Se e pranoja propozimin e tij për të ma bllokuar përgjithmonë kaviljen. Ma ka shkrirë me pjesën tjetër të këmbës. Nuk mund as ta përkul, as ta rrotulloj më. Nuk mund të vrapoj më. Ama nuk ndjej më dhimbje. Nga ai moment rinisa ta mendoj veten si një njeri me një jetë përpara dhe jo si për një të gjymtuar të pasur e nazeli që qan me lot për veten».
Kujtimi juaj i parë si futbollist?
«Jam 9 vjeç, jam me vonesë për në stërvitje. Im atë Joop del nga makinat në trafik për të marrë korsinë e emergjencës me makinë tonë të vogël dhe mua më kap frika keq. Nuk e kishte bërë kurrë një gjë të kësaj natyre».
Ishte një baba – tiran?
«Jo. Ishte një ish futbollist dhe ishte shumë krenar për mua. Njëkohësisht ishte një baba, si ta them, hollandez. Më shpjegonte futbollin, më mbështeste, por ishte edhe i largët, i ftohtë. Nuk kam luajtur kurrë për të, nëse është kjo që synonin».
Nga ku ju ka ardhur shtytja vendimtare?
«Nga ambienti. Nga trajnerët e mi tek të rinjtë e Ajaksit. Nga Johan Cruijff, që ka qenë figura futbollistike më e rëndësishme për mua. Me shtytjen që dëgjoja të më thoshin se isha special, kam përfunduar për t’i besuar edhe unë».
Çfarë është për ju futbolli?
«Një lojë për fëmijë, në kuptimin më të pastër e më të vërtetë të fjalës. Raportet midis lojtarëve dhe me trajnerët janë të rregulluar nga një mënyrë e ndërvepruari fëminore dhe iracionale. Unë të jap një gjë, ti çfarë më jep në shkëmbim? Kështu funksionon. E vështirë për t’ju shpjeguar kujt nuk është pjesë e kësaj bote».
Për këtë raportet e tua me gazetarët kanë qenë gjithmonë të ftohta?
«Kur flisja me shtypin italian ndjehesha vërtet i huaj. Nuk ishte një ndjesi e bukur. Në debutimin në shtëpi të sezonmit tim të parë humbëm me Fiorentina. Më pyetën për ndeshjen. U përgjigja se sipas meje e kemi interpretuar në mënyrë të gabuar. U bë skandal i vërtetë. Vetëm një i akuzuar. Bile një i dënuar: unë».
Ishit pak mendjemadh, pranojeni.
«Kisha mendjen time. Këtu shkruhet kaq shumë, kapet një budallallëk dhe krijohet e pabesueshmja, për ditë të tëra. Por nëse një lojtar guxon të vërë në diskutim taktikën e trajnerit, nuk hyhet në thelb. Nuk hapet një diskutim që ndoshta mund edhe të jetë interesant. Dënohet dhe kaq, menjëherë. E kam kuptuar menjëherë se nga ju do të duhej të flisja sa më pak të ishte e mundur».
Atë ditë, trajneri ishte Arrigo Sacchi.
«Nuk ka pasur kurrë feeling personal midis meje dhe tij. Nuk më ka dhënë kurrë përshtypjen se është i ndershëm në raportet njerëzore. Nuk ishte asnjëherë i drejtpërdrejtë. Ecte zigzag. Kur nuk ishte i kënaqur nga mënyra sesi stërviteshim, kapej me të rinjtë, me më të dobëtit, që ndoshta në fakt ishin në krye të tërheqjes së grupit».
Ka bërë historinë e futbollit.
«E kanë bërë lojtarët e tij. Ai Milan ishte një prej skuadrave më të forta të të gjitha kohërave. Ai ka pasur një pjesë të rëndësishme. Ishte i zoti në bërjen miq të gazetarëve. Ka ditur të ndërtojë një imazh prej novatori të madh».
Nuk ka qenë?
«Nuk ka shpikur asgjë. Moduli që përdorte Milan nuk ishte as revolucionar, as sulmues. Rreshtonim mbrojtës të jashtëzakonshëm. Ajo që na ka bërë të fitojmë ka qenë gjithmonë mbrojtja, tek e cila ai mbështetej shume, duke i kushtuar në fakt pak kohë fazës sulmuese».
Ka ndonjë gjë që nuk do ta ribënit?
«Një herë në dhomat e zhveshjes i thashë se fitonim jo falë tij, por pavarësisht atij. Mbeti aq keq, sa që doli pa thënë asnjë fjalë. Dëgjova që e kisha plagosur dhe nuk e meritonte. Një shfryrje falas, për të cilën më vjen keq akoma, edhe pse ka kaluar shumë kohë. Në nivel personal, nuk kam probleme me të, e kujtoj me afeksion».
Ju rreshtoheni me “rezultatistët” alla Max Allegri, të bindur se trajneri duhet të bëj dëm sa më pak që mundet, apo me “lojtaristët” mbështetës të rëndësisë së modulit?
«Lojtarët janë më të rëndësishëm. Në futboll, vlejnë vetëm ata. Trajneri i zoti është ai që i bën të nxjerrin më të mirën, pa ju imponuar me forcë idetë e tij».
Por ju a nuk vini nga shkolla hollandeze, nuk jeni dishepull i Cruijff?
«Piërisht. Ne kemi mënyrën tonë e të luajturit, që nuk e refuzojmë asnjëherë. Pikërisht Johan donte t’ua rijepte futbollin futbollistëve. Gjëja më e rëndësishme është teknika individuale, jo taktika kolektive».
Sezoni i parë tek Milan, operacioni i parë në kavilje. A keni pasur ndonjëherë parandjenjën se qysh atëhere koha juaj mund të merrte fund?
«Kur jam zgjuar, kirurgu më tha se do të kthehesha në nivele të larta, por askush nuk e dinte se për sa. E harrova menjëherë. Isha i bindur se do të zgjasja përgjithmonë. U thosha gjithmonë shokëve të mi se do ta lija 38 vjeç. Siç edhe kanë bërë më pas Franco Baresi e Paolo Maldini. Vërtet e besoja. Kur je i ri, ndjehesh i pavdekshëm».
Kush komandonte tek Milan?
«Në futboll hierarkitë vendosen gjithmonë mbi bazën e zotësisë. Nuk ka asnjë vlerë mosha, suksesi, rroga. Vetëm zotësia».
Atëhere pse ju nuk jeni konsideruar ndonjëherë lider?
«Mua më mjaftonte të “komandoja” në fushë. Kisha obsesionin të fitoja, në këtë isha i ngjashëm me Sacchi. Midis nesh, ndjehesha i përfaqësuar nga Baresi, da Maldini, që ishte më i riu, por i ndjehej prania».
Miq?
«Ndihmoheshim mes vetes. Ishte një skuadër me futbollistë inteligjentë, thonim se qemë të gjithë gjysmëtrajnerë. Akoma sot jam shumë i lidhur me Mauro Tassotti. Ama për të gjithë provoj atë afeksion që buron nga fakti i ndarjes së emocioneve kaq të forta. Janë gjëra që mbesin».
Keni provuar ndonjëherë zili ndaj Ruud Gullit?
«Në fakt, i isha mirënjohës. Kur autobusi ynë arrinte në stadium, unë dhe Frankie Rijkaard prisnim që të zbriste nga dera e prapme dhe të rrethohej nga gazetarët, për të dalë nga prapa, në qetësinë më absolute. Ishte i zoti në komunikim dhe i pëlqente. U hiqte presionin të tjerëve».
Sa ju mungojnë ato vite?
«Kanë qenë më të bukurit e jetës time. Më 2018, unë dhe gruaja ime Liesbeth jemi kthyer. Në mbrëmje, kemi ecur nga Stacioni Qendror deri në qendër, në Via Puccini, ku ishtë shtëpia jonë. Sa ka ndryshuar Milano!».
Do të qëndronit përgjithmonë?
«Po. Ambient fantastik, lojtarë simpatikë. San Siro, stadiumi që e kam dashur më shumë, ishte shtëpia ime. Ishim të lumtur».
Po tani?
«Edhe tani. Për këtë arsye kam vendosur se ishte momenti për të dalë lakuriq dhe për t’u rrëfyer. Më është dashur shumë për të arritur të jem një njeri i qetë».
E dini se pas pak San Siro nuk do të jetë më?
«Më vjen keq, shumë. Ama një klub i madh duhet ta ketë stadiumin në pronësi. Kështu funksionon sot».
Pse në librin tuaj i tregoni në mënyrë të detajuar dy gola kundër Pescara dhe kundër Lecce, në vend të shumë të tjerëve më të famshëm?
«Një gol vlen sa tjetri. Gjestet teknike duhen shqyrtuar, studiuar, kaluar në mikroskop. Por në fakt ndodhin dhe pikë. Janë pjella të momentit. Nuk ekziston kurrë ndonjë shpjegim i vërtetë. Në masën 90%, futbolli është instinkt».
Vlen edhe për golin tuaj në finalen e Europianit, ajo gjuajtje fluturimthi e pamundur?
«Sigurisht. Shënova sepse e kisha kaviljen të fashur fort dhe me mbajti këmbën e palëvizur teksa gjuajta. Një shpërblim i vockël. Dy muaj më pas bëmë një miqësore në të njëjtin stadium. Shokët më shtynë që ta riprovoja. E nxorra topin jashtë stadiumit».
Gëzimi më i madh?
«Kur akoma nuk kishin fituar asgjë. Një çast më parë. Autobusi jonë që kalon Le Ramblas e Barcelonës të pushtuara nga tifozët e Milanit për finalen e Kupës së Kampionëve. Atë mbrëmje mu duk se vrapoja i shtyrë nga një dorë e padukshme».
Gjithmonë i bindur se ju është vjedhur një titull?
«E dinë të gjithë që qe kështu, por askush nuk pasur asnjëherë kurajon ta thotë. Përpara inskenimit të Bergamo, me monedhën në kokën e Alemao dhe masazhatorin e Napolit që i thotë të simulojë një traumë. Pastaj humbja jonë në Verona. Një pritë, me një arbitër si Lo Bello që bëri gjithçka të humbisnim dhe e mbajti në mënyrë skandaloze. Një punë e bërë mirë».
Nga kush?
«Nga sistemi i futbollit italian. Nga kush kishte interes për të dërguar dy skuadra në Kupën e Kampionëve. Të gjithë e dinim se qemë favoritë për të rifituar, shtimi i një skuadre u vinte për mbarë të gjithëve. Qe një pisllëk i vërtetë. Akoma sot më djeg».
Jürgen Kohler, Pasquale Bruno… Kush ju ka hequr më shumë muaj karriere?
«Asnjëri. I respektoja edhe unë. Ata donin të më ndalonin, unë duhej të shënoja gol. Gjithçka normale. Nuk jam marrë në qafë nga mbrojtësit e këqinj, por nga kirurgët e këqinj».
Çfarë përfaqëson data 21 dhjetor 1992?
«Fundin e ëndërrave të mia. Po luaja si Zot, kisha një trajner që më pëlqente, Fabio Capello. Më dhemb kavilja, vendos të operohem. Gabimi që shënon jetën time».
Pse nuk e dëgjuat mendimin e mjekëve të Milan, Monti e Tavana, që ju këshilluan të mos u operonit?
«Ju nuk mund ta imagjinoni sesa brengë e kam. Çdo mëngjes, për të paktën 20 vitet e ardhshme. Mendimi im i parë në zgjim ka qenë gjithmonë ai. Nuk u besova atyre. Mendoja se po flisnin në interesin e shoqërisë».
Në librin e tij, në çdo fjalë tuajën, shfaqet një ndjesi konstante brenge.
«Jam një futbollist i ndërprerë. Ndoshta më i famshmi i kësaj kategorie. Nuk jam larguar siç duhet. Nuk e fsheh se rishpikja si njeri ka qenë e vështirë».
Sa ju ka munguar mospasja e nënës në krah?
«Më 1985, në fillimin e sëmundjes së saj, e kishin shtruar në një çmendinë. Kishte pësuar një iktus cerebral. Ishte një grua e ndjeshme dhe e trishtuar, ashtu si martesa me tim atë i kishte prodhuar një trishtim tjetër. Ka kaluar 22 vjet pa njohur askënd. Nuk ka mundur të gëzojë fëmijët, nipërit. Vetëm kur është larguar nga kjo botë, më 2007, kam kuptuar se natyra e dhimbjes së shurdhër dhe paemër më ka ngrënë nga brenda gjithë kësaj kohe».
Pse nuk keni funksionuar si trajner?
«Kur u ktheva tek Ajaksi, një djalë më provokoi. “Je Van Basten?”, më tha duke më pasuar topin. “Më trego çfarë di të bësh”. Por unë tashmë nuk mund ta lëvizja më kaviljen. Në atë moment kuptova se nuk do të kisha qenë një trajner si Cruijff, që jetonte edhe me atë që kishte qenë».
Kush ishte ai djalë kaq agresiv?
«Oh, jam i sigurtë se e njihni. Quhej Zlatan, me mbiemrin Ibrahimovic».
Ju pëlqente?
«E shoh veten tek ai. Në fillim të karrierës ishte i ngjashëm me mua. Shumë teknik, në të gjithë fushën. Më pas edhe ai e ka kuptuar sekretin për të qenë i madh».
Ekziston një?
«Të bësh gol. Unë, Cristiano Ronaldo, Ibra. E kemi kaluar të gjithë. Nëse do të jesh numri një, duhet të përqëndrohesh tek goli, vetëm tek goli. Duhet të bëhesh makinë».
Edhe në përfundim të detyrës tuaj të fundit si trajner u fol për depresion.
«Në këtë rast qe ndryshe. Kisha sulme të vazhdueshme paniku dhe ankthi, aq sa të mos bënin të më mungonte asgjë. Përpara takimeve me shtypin shtrihesha përdhe në një dhomë të zbrazët, duke kërkuar forcat për ta dalë e përgjigjur kritikave».
Nga ku vinte kjo pasiguri?
«Nga mania ime për kontroll. Doja t’i bëja gjërat shumë mirë, nuk arrija të kënaqesha. Nuk pranoja të isha i diskutuar. Isha një fanatik i futbollit».
Si Sacchi?
«Ndoshta po. Njerëz me ide të ndryshme, por të gllabëruar nga i njëjti makth».
Kur e keni kuptuar trajnerllëku nuk ishte për ju?
«Një prej transfertave të fundit me kombëtaren hollandeze. Arrita në aeroport, qemë në Minsk të Bjellorusisë. Të gjithë më shmangeshin sikur të isha i prekur nga ndonjë sëmundje misterioze. Kjo ndjesi vetmie të përhershme më rëndonte shumë».
Si dolët?
«Kisha kaluar tashmë nëpër këto situata të sikletshme. Kam pasur thjeshtësinë që t’i pranoj, me kohë, kam mësuar se nuk duhet të kesh turp për t’i kërkuar ndihmë dikujt që të qëndron afër, duke i pranuar parasëgjithash vetes se je keq. Kështu që kam qenë unë ai që kam thënë mjaft».
Përveç karrierës tuaj të ndërprerë shumë shpejt, a keni brenga të tjera?
«Që nuk kam mundur të bëj paqe me Johan Cruijff. Idhulli im, mësuesi im, miku im. Vdiq përpara se të mund t’i thoja sesa i rëndësishëm ka qenë për mua».
Shkaqet e zënkës?
«Kishte një projekt, një utopi. Donte t’ua rijepte Ajaksin ish futbollistave. Do të duhej të isha menaxheri i ekipit. Pastaj më la jashtë. Nuk e kam kuptuar kurrë pse-në. Ndoshta ishte një mënyrë për të më mbrojtur. Shkova ta takoja dhe gruaja e tij më përzuri nga shtëpia. Nuk arrita kurrë më ti flisja, edhe pse me familjen e tij më pas kam bërë paqe. Johan më mungon».
Çfarë ju ka ardhur në mendje kur keni thënë sieg heil nazist në televizionin hollandez?
«Një furtunë në një gotë ujë, e shkaktuar nga një batutë e imja prej budallai. Nganjëherë njeriu kërkon të bëjë gallataxhiun, kur do bënte më mirë ta mbyllte gojën».
Cili është raporti juaj aktual me futbollin?
«Jetoj një gjendje të përhershme ambiguiteti. Nga njëra anë, përsëris gjithmonë se nuk kam qenë kaq i rëndësishëm, se kam qenë një nga të shumtit që kanë bërë gjëra të mira».
Dhe nga tjetra?
«Kam gjithmonë frikën se mos njerëzit më harrojnë. Kishte të drejtë Sacchi, jam një çikë lunatik».
Më tregoni për pikturën në hyrje të shtëpisë tuaj?
«E kam blerë në një galeri në Milano kur luaja. Paraqet një balerin, që po bën një hap vallëzimi klasik. Ka vetëm dy ngjyra. Të kuqe dhe të zezë».
Kush është sot Marco Van Basten?
«Një gjysh i ardhshëm. Një baba dhe një bashkëshort i mirë. Një person jo i përkryer që ka ditur të bjerë në paqe me brishtësinë e tij».
(Marco Imarisio për Sette – Corriere della Sera) /Bota.al/