“Gazetari në qeli, Gjushi në parti”. Ky ishte titulli me të cilin u hap sot gazeta “Liberale” e botuesit Henri Çili. Në gazetë është shmangur nga foto kryesore e faqes së parë kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako apo edhe kryetari i Partisë Sociaiste, Edi Rama, ndonëse titulli dukshëm shënjestron ata. Në foton e parë është vendosur Ardi Veliu, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Edhe shkrimi është kryesisht i përqëndruar te kryeministri Edi Rama dhe kjo shpjegohet në hyrje nga vetë “Liberale”: “Spektakli absurd i policisë për ndalimin e Henri Çilit dhe urdhri i prokurorisë së Përmetit pa pritur vendimin e gjykatës. Dy standardet e qeverisë, që nga njëra anë akuzon drejtësinë në tranzicion mbushur me anëtarë të KÇK dhe nga ana tjetër e shet si sukses të Reformës në Drejtësi arrestimin e gazetarit dhe botuesit, bazuar në përgjime. Kryeministri thotë se përgjimet nuk janë prova dhe ish-kryebashkiaku i Durrësit, i përgjuar në dosjen ‘339’, ishte dje pranë tij në Kongresin e PS-së. A po përdoret drejtësia për intimidimin e kundërshtarëve?”.
Shkrimi i plotë
Përgjimet nuk janë prova, janë indicie që duhen hetuar. Kështu pohonte dhe vijon të pohojë kryeministri Rama, ndërsa emri i Vangjush Dakos dhe bisedat e zbardhura nga dosja ‘339’ bënin xhiron e mediave vendase dhe të huaja, për dyshime mbi shitblerje të votave gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2017-s.
Por duket se qeveria nuk i neverit me të njëjtin intensitet përgjimet që sipas kreut të saj mbahen sirtarëve për shantazh politik dhe drejtësia në tranzicion -as e vjetër dhe as e re -, nuk përdor të njëjtin standard ndaj shtetasve shqiptarë, të cilëve u del emri apo bisedat në përgjime telefonike.
Pesë vepra penale, ndër to pastrim parash, mashtrim, ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, që e mbajnë peshën mbi ca përgjime telefonike, të një hetimi sipas Policisë së Shtetit të nisur prej gjashtë muajsh, mbi dyshimet për falsifikim kartëmonedhash 1 mijë lekëshe. Edhe suksesi i reformës në drejtësi, që kryeprokurori Çela nxitoi ta trumbetonte dje nga Vlora, ndërsa drejtori i policisë së shtetit dhe ministri i Brendshëm dolën të merrnin meritat e ‘mega-aksionit’, i kishte rrënjët tek ca përgjime. Madje reforma, ende pa u ngritur institucionet e reja dhe pa u pastruar sistemi, qenkësh shtrirë aq shumë, sa hetimi që çoi në ndalimin e 53 personave ditën e djeshme, u krye nga prokurorët e Prokurorisë së Përmetit.
Prokurorëve dhe gjyqtarëve të sistemit të vjetër të drejtësisë, që ende nuk kanë dalë para vetingut, kryeministri Rama do t’u dilte përballë me ligjin ‘AntiKÇK’, pasi ishin ata që bënin kërdinë me vendime absurde. Shembujt për të na bindur, kreu i qeverisë i sillte pikërisht nga prokuroritë dhe gjykatat e rretheve.
Me një fletë arresti të firmosur nga prokurori Asllan Bajramaj, drejtues i përkohshëm i Prokurorisë së Përmetit, ende i pakonfirmuar nga vetingu, të cilit KLP i zgjati detyrën për të zëvendësuar ish-kryeprokurorin e shkarkuar nga vetingu, që dukej e formuluar dhe e shkruar prej një analfabeti funksional, Henri Çili, gazetar, botues dhe themelues i UET, do të ndalohej menjëherë pa pritur vendimin e gjykatës, me pretendimin se rrezikonte të ikte dhe të fshihej. Përse nuk u prit vendimi i gjykatës dhe përse duhej të transportohej në orët e vona të natës drejt Gjirokastrës ku megjithë bastisjet, në universitetin ku studiojnë afro 4 mijë studentë dhe në banesën e tij private, nuk u gjet asgjë?
Përse policia dhe ministri i Brendshëm nxituan ta trumbetonin si kapjen e ndonjë krimineli të shumëkërkuar, ndërsa jo vetëm faza e hetimeve, por edhe e gjykimit ka prezumimin e pafajësisë?
Por, edhe pse të vetëdijshëm se përgjimet nuk mund ta mbajnë gjatë farsën, siç do të thoshte kryeministri Rama se ‘çdo përgjim nuk përbën asnjë provë, edhe sikur të jetë vetë personi që i thotë të gjitha ato që dëgjohen dhe që, mund të jenë kriminale’, policia dhe prokuroria e dinin se emri i Henri Çilit do të ishte fjalëkalimi për të shitur si mega-aksion hetimin që ndaloi disa persona për prodhim dhe shitje narkotikësh, ndërsa kryeprokurorin e Përgjithshëm Çela të nxitonte të thoshte se ky ishte fryt i parë i Reformës në Drejtësi.
Ndërsa emri i Vangjush Dakos do të shfaqej në hetimet e dosjes ‘339’, që solli aksionin ‘Volvo -4’, ku u arrestua banda e Avdylajve për akuzën grup i strukturuar kriminal, muaj pas publikimit të përgjimeve në mediat shqiptare, më pas tek Zëri i Amerikës dhe në fund tek gjermania ‘Bild’, Dako do të paraqitej në Prokurorinë e Krimeve të Rënda si person që ka dijeni për ngjarjen.
Por Henri Çili, pasi iu krye kontroll në biznesin e tij dhe në banesë, ( se ç’prova do të gjente aty policia për akuzat e ngritura! ), nuk do të paraqitej në Prokurorinë e Përmetit si person në dijeni për ngjarjen, ku emri i tij pretendohet se ka dalë në përgjimet e dosjes së quajtur ‘Mezhgorani’, e nisur për veprën ‘falsifikim kartëmonedhash 1 mijë lekëshe’. Henri Çili do të ndalohej nga policia. ‘Nuk e merr ta çosh dot në gjykatë tjetrin me kaseta. Duhet hetimi për t’i provuar’, thoshte kryeministri Rama, ndërsa i shumë i lakuari i dosjes tjetër, ‘184’, ish-ministri Gjiknuraj, bisedat e të cilit hodhën dyshime për shitblerje të votave në qarkun e Dibrës më 2016-n, as që është marrë në pyetje. Madje edhe SPAK-u, nga i cili jo vetëm qytetarët shqiptarë, por edhe bota pret hetimin e zyrtarëve të lartë, shfaqi mos kompetencë për dosjen duke e degdisur edhe njëherë në Dibër.
‘Peshqit e mëdhenj’, për të cilët fliste ambasadori Lu se do të binin në rrjetën e drejtësisë, ish-deputetët Arben Ndoka dhe Arben Çuko (ish-drejtor i Burgjeve), të arrestuar në kuadër të operacionit ‘Volvo 4’, u liruan nga Gjykata e Apelit duke kaluar në arrest shtëpie.
Kryeministri Rama i sheh me neveri përgjimet dhe ngulmon se ato nuk janë prova, pasi edhe vetë ishte subjekt i përgjimeve të dosjes ‘184’, ndërsa përgëzonte Arben Keshin, ish-funksionarin e policisë së shtetit, njeriun kyç të fushatës elektorale në Dibër.
Në tablonë e përditshmërisë së drejtësisë ende në tranzicion dhe duke perifrazuar kryeministrin, ende në duart e organizatës ‘KÇK’, emri i Henri Çilit mund të përdoret si karrem mediatik, por nuk mund të mbulojë vendimet e gjyqtarëve për lirim nga burgu të të dënuarve me burgim të përjetshëm. Protagonistët e bandave famëkeqe si Lul Berisha, Lulzim Caka, Ilir Paja, Viktor Ymeri e Endrit Dokle janë sot të lirë prej vendimeve të gjykatave dhe ndaj gjyqtarëve që i dhanë ato, ende nuk ka asnjë masë, megjithë ndryshimet ligjore të paketës ‘AntiKÇK’.
Pretendimet se Çili po ushtronte ndikim të paligjshëm mbi zyrtarë të lartë të drejtësisë për lirimin e dy të dënuarve me burgim të përjetshëm, e rrëzoi kreu i Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani. Ndonëse në urdhër-arrest emri i zyrtarit të lartë të drejtësisë, ndaj të cilit Çili paskësh ushtruar ndikim të paligjshëm nuk përmendet, pasi vëllezërit Aliko bënë rekurs në Gjykatën e Lartë dhe në të ka mbetur vetëm një anëtar, logjika të çon tek Dvorani.
Por, pas daljes nga komisioni hetimor për shkarkimin e presidentit, Ardian Dvorani do të thoshte se me Henri Çilin nuk ishte takuar ndonjëherë.
Logjika e do gjithaq të mendosh se Gjykata e Lartë është jo funksionale dhe po merr në shqyrtim me gjyqtarë ‘hua’ nga Apeli vetëm çështjet e ekstradimit, ndërsa mandati i Dvoranit ka përfunduar prej vitesh e që me emërime e reja, do të shpallet edhe vakanca për vendin e tij. Emri i Dvoranit si relator i çështjes, nuk është vetëm në dosjet e Alikove. Vetë gjyqtari i Lartë tha dje se rezulton në 35 mijë e 23 çështje. ‘Duhet të jetë ndonjë spekulim, unë uroj që kjo gjë të mos ketë ndodhur, në rastin tim nuk bëhet fjalë, është kategorike. Zotin Çilin e njoh, nuk jemi miq. Në evente të caktuara salutohemi por vetëm kaq, nuk kam asnjë lloj kontakti me të, absolutisht’, u tha Dvorani gazetarëve dje, duke sqaruar më tej se çështja nuk ishte trajtuar me prioritet.
‘Në dijeni time nuk ka asnjë lëvizje. Mësova që është një çështje e ardhur në fund të vitit 2019. Ne kemi rreth 6 mijë dosje penale në Gjykatën e Lartë të cilat presin prej shumë kohësh, dhe nuk bëhet fjalë, nuk jam në dijeni as të ndonjë kërkese përshpejtimi formale’, tha më tej Dvorani, duke zbuluar se përshëndetjen e fundit me Çilin e kishte pasur muaj më parë, ndryshe nga sa pretendohet në urdhër arrest se ai është takuar me zyrtarin e drejtësisë më 14 shkurt.
Me shfryrjen e tullumbaces së ndikimit të një botuesi të njohur tek një zyrtar i drejtësisë për shqyrtimin me përparësi të dosjes së dy të dënuarve përjetë për vrasjen e një efektivi të Renea-s, do të mbetej arrestimi i disa personave, sekuestrimi i 128 kg kanabis dhe pesë armëve, që do të ishin bilanc i aksioneve të zakonshme të policisë, pa ndonjë bujë të madhe e jo më të reklamoheshin si ‘mega-aksion’.
Drejtësia, e cila duhet të jetë e verbër, siç thotë ambasada e ShBA-së kur shpjegon për qytetarët Reformën, ishte syçelët për ta përdorur emrin e Henri Çilit, themelues universiteti, pedagog dhe njeri i medias, bashkë me ata që u ndaluan për akuza si armëmbajtje pa leje apo kultivim kanabisi.
Dy standardet e qeverisë për drejtësinë e ndërmjetme -më shumë e vjetër se e re -, do të shiheshin edhe në statusin populist të zv/kryeministrit Erion Brace që do të lëvdonte prokurorinë e Republikës, të cilën pak muaj më parë e akuzonte për shantazh ndaj drejtorit të kadastrës së Durrësit. Madje ishin akuzat që fillimisht Braçe e më pas Rama ngritën ndaj prokurorit Arjan Ndoja, që do të sillnin ngjizjen e ligjit special ‘Anti-KÇK’. Ndalimi i Henri Çilit dje, do t’ia kalonte edhe spektaklit të OFL-së dhe pompoziteti i Ardi Veliut ishte mbi performancën e zëdhënëses me syze të errëta që komunikon emrat e personave të cilëve u dërgohen formularët e vetëdeklarimit të pasurive. Njëri prej të cilëve, Ardian Çapja, është shfaqur në një fotografi edhe me vetë kryeministrin Rama.
‘Dako është person i lirë dhe do të mbajë përgjegjësinë e tij’, thoshte kryeministri Rama, i cili vetëm pak ditë më parë do të shprehej se nuk ishte Departamenti amerikan i Shtetit që i diktonte miqësinë, pasi me Gjushin mbetej mik edhe pasi u shpall non-grata për korrupsion të lartë nga ShBA. Dako do të merrej vetëm një herë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, tashmë e shkrirë duke ia lënë vendin SPAK-ut, ku dosja ‘339’ u kthye nga Gjykata e Posaçme për plotësim hetimesh ditën e djeshme, ndërsa ai do të shfaqej pranë kryetarit të PS-së, kryeministrit të vendit në Kongresin e Partisë Socialiste. Duke mos përdorur të njëjtin kut, për të njëjtat gjurmë siç janë përgjimet që kryeministri nuk i konsideron prova, a është drejtësia armë në duart e pushtetit për të goditur kundërshtarët?