Nga BoldNews.al
Mëngjesi i së Premtes së kësaj jave nisi vrullshëm, ku titrat mediatike raportonin për arrestimin e Henri Çilit, publicist, drejtues gazete dhe pronar i Universitetit Europian të Tiranës.
“Shashkat” e para, të hedhura nga Policia nëpër media, flisnin për përfshirjen e tij në korrupsion në sistemin e drejtësisë. Më pas, me kalimin e orëve, Policia zyrtarizoi akuzat.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, në një konferencë pompoze për shtyp, deklaroi se Çili ishte arrestuar në kuadër të një operacioni masiv të drejtuar nga Prokuroria e Përmetit.
Numri i akuzave për të cilat dyshohet Çili, sipas kryepolicit, është i lartë, e fillojnë nga “Mashtrimi”, “Pastrimi i parave” e vijojnë tek “falsifikimi i dokumentave” e “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm”.
Kryepolici Veliu nuk dha detaje konkrete, por ai u kujdes të falënderonte Prokurorinë e Përmetit për hetimin. Pas konferencës mediatike, të dhëna që rrodhën nga grupi hetimor përmendën faktin se Çili ka ndërhyrë tek një gjyqtar i rëndësishëm në Tiranë, për të siguruar ulje dënimi për vëllezërit nga Lazarati, Arbion dhe Alban Aliko.
Në bazë të të dhënave të deritanishme, duket se shumë gjëra “kërcasin” në këtë operacion, me rreth 50 persona nën hetim, duke shtuar dyshimet se, për qëllime ende të paqarta, Prokuroria e Përmetit është përdorur për të goditur Henri Çilin e, për shkak të të dhënave të dala gjatë hetimit, është kujdesur të shpëtojë Ardian Dvoranin, gjyqtarin e vetëm në detyrë të Gjykatës së Lartë dhe relator i çështjes së vëllezërve Aliko.
1. “Zeniti” i Prokurorisë së Përmetit
Përmeti është një ndër qytetet më të qeta, sa i përket çështjeve kriminale dhe të sigurisë. Në raportet vjetore të kësaj prokurorie, të paktën në periudhën 2015-2019, numri i procedimeve penale të regjistruara në këtë strukturë variojnë 150-200 të tilla. Në përgjithësi, këto procedime janë për vepra të lehta penale, përfshirë vjedhje bagëtish dhe energjie elektrike.
Në një rast të vetëm të krimit të organizuar, Prokuroria e Përmetit dështoi në mënyrë spektakolare, kur nuk arriti të identifikojë një magazinë me 12 ton kanabis, në fshatin Pagri. Magazina u zbulua nga përgjimet e Prokurorisë për Krime të Rënda në Tiranë, ndërkohë që Prokuroria e Përmetit ishte në mungesë totale dijenie.
E, pikërisht, një strukturë, në përgjithësi e fjetur, Prokuroria e Përmetit, papritur arrin pikën e saj kulmore, duke zhvilluar një hetim, në vijim të të cilit u arrestuan rreth 50 persona, përfshirë Henri Çilin.
Duket se ka diçka që nuk shkon, kur, hetimet për një personazh publik në Tiranë zhvillohen nga një prokurori tejet periferike, pa asnjë rekord në hetimet masive. Dhe, që në fund, merr edhe vlerësimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, i cili mori përsipër që të prezantonte në vetë të parë rezultatet e operacionit.
2. “Super-angazhimi” i Policisë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Veliu, krahas numrit të lartë të inicialeve që publikoi, si pjesë e listës së të arrestuarve, përmendi edhe që, në kuadër të këtij operacioni, në kohë të ndryshme, janë sekuestruar në total 120 kilogram kanabis, një sasi telefonash e automjetesh-rezultate që, në fakt janë të ngjashme me veprimet rutinore të Policisë së Shtetit.
Por, siç deklaroi vetë kryepolici, në kuadër të këtij operacioni u angazhuan një numër i lartë efektivësh policie, ngjashëm me veprime kundër grupeve të fuqishme kriminale. Duket disi e çuditshme që, për një hetim të Prokurorisë periferike të Përmetit, për vepra penale jo shumë të rënda, të ketë një angazhim kaq të madh policor.
Për më tepër, disa të dhëna të siguruara në mënyrë konfidenciale nga “Boldnews.al”, referojnë se Policia ka pasur një angazhim “special” për këtë hetim.
Burime nga grupi hetimor i Përmetit deklaruan, në mënyrë konfidenciale për redaksinë se, “pjesa më e madhe e të dhënave hetimore janë siguruar nga autoritetet në Tiranë”, duke aluduar për forcat policore që kanë mbajtur nën vëzhgim, ndër të tjerë, edhe një takim të Henri Çilit me një gjyqtar të rëndësishëm në Tiranë.
Pra, për këtë hetim, duket se më shumë të dhëna nga Policia, se sa Prokuroria e Përmetit që ka drejtuar hetimin. Këtu gjërat duket sikur kthehen përmbys, të paktën në aspektin procedurial.
3. Ku “humbi” Dvorani?
Në bazë të të dhënave policore, Henri Çili u arrestua, pasi do të ndërhynte në gjykatë për të zbutur dënimin e vëllezërve Arbion e Alban Aliko, të dënuar si pjesë e grupit kriminal që u përplas me Policinë në Lazarat, në 2015, ku mbeti i vdekur efektivi i Policisë, “dëshmori i Atdheut”, Ibrahim Basha.
Në këmbim të kësaj ndërhyrjeje, Çili do të përfitonte disa prona nga biznesmeni shkodran Seit Fishta, mik i babait të vëllezërve Aliko.
Raportimet mediatike flisnin se Çili kishte zhvilluar një takim me gjyqtarin Ardian Dvorani, në barin e një hotel të rëndësishëm në Tiranë, në mesin e Shkurtit 2020.
Kryepolici Ard Veliu nuk e përmendi emrin e Dvoranit. Prokuroria e Përmetit deklaroi zyrtarisht për “Boldnews.al” se emri i Dvoranit është përmendur padrejtësisht në raportimet mediatike. Vetë Dvorani e mohoi që të jetë ai, tek i cili ka ndërhyrë Henri Çili.
Kryetari i Emërimeve në Drejtësi dhe gjyqtari i vetëm i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, deklaroi për median se “e njoh Henri Çilin, por nuk e kam mik dhe nuk mbaj mend të jemi ulur në lokal bashkë”.
Të gjithë zyrtarët nuk e përmendin Dvoranin. Por, disa të dhëna publike e lidhin drejtëpërdrejtë Dvoranin me rastin e vëllezërve Aliko.
Arbion dhe Alban Aliko, të dënuar nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, kanë ushtruar rekurs në Gjykatën e Lartë. Relator i këtij rasti është Ardian Dvorani. Rekursi i tyre nuk është shqyrtuar ende, për shkak të vakancave thuajse të plota të anëtarëve në Gjykatën e Lartë.
Në rast se nuk është Dvorani, atëherë me cilin gjyqtar ka folur Henri Çili? Cili është ai gjyqtar, i cili ka në dorë fatin e çështjes së vëllezërve Aliko? Përgjigjet janë shumë të thjeshta dhe rrëzojnë pretendimet zyrtare-i vetmi gjyqtar që ka ndikim tek rasti konkret është gjyqtari Ardian Dvorani, i shortuar si relator i rastit.
E, megjithatë, emri i gjyqtarit me të cilin ka biseduar Çili (me shumë mundësi, Dvorani) është përjashtuar nga hetimi.
Prokurori që ka ndjekur këtë hetim, njëkohësisht edhe drejtuesi i Prokurorisë së vogël të Përmetit, është Asllan Bajramaj. Në rrethin e drejtësisë, Asllanaj njihet për lidhjet e forta që ka me një ish-anëtar të Gjykatës së Lartë e, ky i fundit, shumë mik me Ardian Dvoranin.
Pa u përfshirë në aludime të tepruara, nëse është Dvorani gjyqtari që ka biseduar me Henri Çilin, atëherë ai mund të jetë vënë në dijeni të hetimit, pikërisht nga prokurori i çështjes.
Pas pikëpyetjeve që shoqërojnë operacionin, me arrestimin “spektakolar” të Henri Çilit, tashmë pritet që rasti të shqyrtohet në gjykatën e Përmetit, e cila ende nuk është investuar për emrat konkretë.
Arrestimi i personave është bërë me urdhër-ndalimi të Prokurorisë, pa kaluar më parë në filtrin e gjykatës. Duket e çuditshme që prokurori ka zgjedhur të veprojë me urdhër-ndalime, ndërkohë që situata nuk ishte aq e rëndë, sa të mos pritej më parë të merrej vendimi i gjykatës për arrestimin e të dyshuarve.
Mesa duket, dikujt i ka interesuar arrestimi i shpejtë i Henri Çilit, ndoshta nën frikën se provat nuk mund të kalonin testin e gjykatës.