Nga Genc Burimi
Shqipëria nuk është detyruar të marrë veset më të ndyra të disa demokracive. Vetë Britania e Madhe nuk është krenare për shtypin e saj tabloid, që gjykon metodat e saj e të çon deri në vetëvrasje pa pritur që drejtësia të thotë fjalën e saj.
Le të marrim shkas nga dosja “Henri Çili”, që s’ka shqiptar që nuk e njeh tani e të kërkojmë ku është skandali i vërtetë.
Reformë në drejtësi apo bastardi. Edi Rama dhe oborri i tij, që shpreson të na fusin në BE me këto metoda, gabohen rëndë. Një europian i vërtetë nuk do të thoshte e as nuk do ta mendonte kurrë atë shprehjen: nuk ka demokraci për armiqtë e demokracisë. Në themelet e shtetit të së drejtës qëndron e drejta. A nuk shokohet Kryeministri sot, kur premton shtetin e së drejtës nga mëngjesi deri në darkë, nga Brukseli në Uashington, sesi e gjithë dosja e hetimit “Henri Çili” në proces e sipër i është komunikuar me kuç e me maç nga organet e Prokurorisë apo nga Policia Gjyqësore në varësi të ekzekutivit?
Si mund të tradhtohet a të degjenerohet në këtë farë mase sekreti i hetimit dhe kjo nuk skandalizon as Kryeministrin, as Presidentin e Republikës dhe as kokat e opozitës? Ose janë injorantë të thekur dhe nuk kuptojnë sesi duhet të funksionojë drejtësia në demokraci, ose janë palë në afshin pervers që përfshin turmat, të cilat, si ato të shkallëve të Koloseut antik, i eksiton edhe më shume era e gjakut kur gladiatori vjen nga sëra e lartë.
I kërkoj këtij regjimi t’i japë fund sa më pare kësaj histerie kolektive nëse do vërtet që Europa të na vështrojë si europianë. I kërkoj qeverisë që në emër të opinionit publik, atij racional dhe të atashuar ndaj shtetit të së drejtës, të bëjë ankesë e të kërkojë hetim mbi personat përgjegjës, të cilët guxuan të bëjnë publike në detajet më të imëta dosjen nën hetim të Henri Çilit. Kjo është vepër penale. Nëse ministri i Brendshëm ka gisht në këtë “rrjedhje” informacioni, ai duhet të japë dorëheqjen. Nëse kjo qeveri nuk tregon me vepra se ajo bën gjithçka që është në dorë të saj që të respektohet në këtë republikë parimi i shenjtë i prezumimit të pafajësisë, kjo qeveri nuk do të besohet në asgjë mbi premtimet që ajo jep anekënd BE-së për suksesin e Reformës në Drejtësi.
Çfarë dreq reforme qenka kjo, kur drejtësia vetë nuk respekton drejtësinë dhe e hedh një qytetar ende të pagjykuar si një thes mielli që ta shqyejë opinioni publik. Vetëm para pak ditësh ndodhi në Britani të Madhe vetëvrasja e bujshme e një prezantueseje televizioni, Caroline Flack. Ajo ishte arrestuar në mënyrë po aq të bujshme në dhjetor pas një grindjeje shtëpiake me partnerin e saj. Ajo ende nuk ishte gjykuar, për më tepër që partneri në fjalë kishte tërhequr çdo akuzë. Por e keqja ishte bërë nga tabloidet. Viktima, pak ditë para vetëvrasjes, shkruante: “Bota m’u shemb nën këmbë, e ardhmja po ashtu, si dhe gjithçka që kisha ndërtuar në jetë. Humba punën, miqtë, banesën. Humba deri te fuqia për t’u shprehur e për t’u mbrojtur”.
Një peticion me 150 mijë firma qarkullon tani në Britani të Madhe pikërisht në emër të parimit të prezumimit të pafajësisë. Në Shqipëri, as ministri i Brendshëm, as Prokuroria, as mediat, as opinioni publik, as Zoti, nuk duhet dhe nuk kanë të drejtë të cilësojnë dike si fajtor, e jo më si kriminel, për aq kohë sa i akuzuari nuk është gjykuar dhe nuk i është dhënë mundësia të shprehet. Kjo që po i ndodh Henri Çilit, mund t’i ndodhë secilit prej nesh. Të mbrosh këtë parim, është po aq jetike sa të mbrosh Kushtetutën siç kërkon ta bëjë Presidenti i Republikës më 2 mars. Kaq për formën.
SI MUND TË KORRUPTOHET NJË GJYKATË FANTAZMË?
Le t’i kushtojmë tani një analizë sipërfaqësore përmbajtjes, pasi askush nuk është i autorizuar apo i përgatitur të shprehet me kompetencë. Pasi çfarë dimë realisht? Afera “Henri Çili” mund të shfryhet si tullumbace dhe, më e shumta, nëse faktet rezultojnë si të mirëqena, ajo mund të katandiset si një akuzë për mashtrim apo mitomani. Nëse ka një baba naiv që mendon se duke i dhënë një shumë marramendëse një personi që i bën të besojë se me këtë shumë është i aftë të lirojë djemtë e tij të burgosur dhe nëse vërtet ai naiv e ka dhënë këtë shumë, dhe nëse vërtet Henri Çili e ka marrë këtë shumë, në para apo në pronë, gjëra që edhe një herë duhen verifikuar, kjo është si një aferë piramidash bis! Kjo është çështje private, midis personash private.
Drejtësia duhet të kërkojë se ku pala që paguan, i paska gjetur një milion euro, që do të thonë shekuj pune në Shqipëri dhe, nga ana tjetër, nëse vërtet pala që akuzohet ka vënë me këto para prona në emër të tij. Për sa i përket rrjedhjes së paligjshme në shtyp të informacionit nga organet e hetimit mbi korruptimin e një gjykatësi misterioz të Gjykatës së Lartë nga Henri Çili, në mënyrë që të mundësohej lirimi i dy djemve në burg, po ashtu le t’u kthehemi fakteve tashmë të njohura nga opinioni publik. Ky korruptim i supozuar në stadin aktual të Reformës së Drejtësisë në Shqipëri rezulton i pamundur për dy fakte:
E para, si është e mundur që Henri Çili të vërë në lëvizje një Gjykatë, e cila, pikërisht për shkak të Reformës në Drejtësi, është në gjumë letargjik dhe nuk funksionon më, ashtu siç nuk funksionon aktualisht edhe Gjykata Kushtetuese. Edhe sikur ta ketë premtuar Henri Çili një gjë të tillë (pra, korruptimin e një gjykatësi), edhe një herë, siç u tha më sipër, Henri Cili mund të gjykohej vetëm për veprën e mashtrimit ndaj babait naiv, por kurrsesi për korruptimin e një gjykatësi fantazmë të një gjykate fantazmë.
E dyta, argumentin e mësipërm nuk e jep autori i këtij shkrimi, por vetë kryetari i Gjykatës së Lartë dhe fantazmë, i mirënjohuri tashmë nga opinioni publik, Ardian Dvorani, i cili shprehet kështu, dhe që duhet besuar sepse nuk ka prokuror më të mirinformuar se ai mbi mënyrën sesi funksion kjo gjykatë fantazmë: Unë jam i vetmi gjyqtar në detyrë në Gjykatën e Lartë. Ju e dini se Gjykata e Lartë nuk funksionon. Duke qenë se Gjykata e Lartë nuk funksionon (shënim i autorit, domethënë rasti “Henri Çili”) duhet të jetë një spekulim… Edhe nëse çështja do të përshpejtohet, e para kush do ta gjykonte? Edhe këshilltari që do ta merrte dosjen, atë do ta merrte me firmën time …
Atëherë, cili është konkluzioni? Që hajde, oburra, të arrestojmë tani edhe Dvoranin, se me siguri që paratë që ka dhënë babai në fillim të skemës, kanë shkuar te kunati i Henri Çilit, për të shkuar më pas te vetë Henri Çili (gjë që nuk është provuar ende), për të shkuar me pas te gjykatësi misterioz i Gjykatës së Lartë që nuk funksionon (gjë që duhet provuar), për të shkuar më pas te Dvorani, që vetëm ai vika firmën (edhe kjo duhet provuar) e kështu me radhe deri tek arrestimi i atyre që kanë mundësuar Dvoranin të vijë në krye të Gjykatës së Lartë, e cila nuk funksionon?
Proverbin në shqip “sikur të kishte halla ko..e”, frëngjishtja e ka “me ‘sikur’, do fusnim edhe Kullën Eifel në një shishe”. Por nga frëngjishtja, në mbyllje të këtij shkrimi, po ruaj fjalën “J’accuse” të dosjes “Drejfus”. Një nga pamfletet më të mëdha të shekullit të 19-të, e firmosur nga Emil Zola në mbrojtje të një të akuzuari çifut, për të cilin ai kërkonte një proces të drejtë përpara se atij ushtaraku t’i merrej erzi në opinionin publik. Një histori, e cila dhe një shekull e shumë më vone, trazon kaq shumë ndërgjegjet e francezëve, sa filmi me të njëjtin titull i Roman Polanskit, që doli javët e fundit në kinematë franceze, sot pritet me bujë të fitojë çmimin më të madh të kinematografisë franceze “Cesar” , ekuivalenti i “Oskar”-ve në SHBA. “Pafajësia merr nganjëherë trajtat e krimit”, deklaronte një poet i klasicizmit francez. Uroj që Henri Çili, mik i librave dhe i dijes, të jetë viktimë, së cilës do t’i kërkohet falje, dhe jo aktor në këtë gjëmë që i ka rënë sot mbi kokë.