Shqetësimi për koronavirusin është rritur teksa fqinji perëndimor Italia raporton zyrtarisht mbi 130 të prekur nga virusi, mes të cilëve dhe viktima. Megjithatë, nga institucionet shqiptare behët thirrje për qetësi, ndërsa saktësohet se deri më tani nuk ka asnjë rast të identifikuar me virusin me prejardhje nga Wuhan-i i Kinës së largët.
8 raste të testuara nga ISHP, asnjë i prekur në Shqipëri
Në vendin tonë deri tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me Koronavirus COVID-19, ndërsa janë testuar 8 raste të cilat pas testimit kanë rezultuar negative, bëjnë me dije burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë.
“Në Laboratorin e Virologjisë, i çertifikuar nga OBSH, në Institutin e Shëndetit Publik tashme kryhet diagnoza e plotë konfirmuese për koronavirusin COVID-19.
Pas evidentimit të situatës shëndetësore me prezencë komunitare të koronavirusit në Itali po vijohet me përforcimi i masave në pikat kufitare, sigurimi i sasisë së shtuar të mjeteve të mbrojtjes personale, përforcimin e gjurmimit të rasteve për të rritur kontrollin për parandalimin e depërtimit të koronavirusit COVID-19.
ISHP, ISHSH, strukturat e njësive vendore të shëndetit po ndjekin zbatimin e urdhrit të ministres Manastirliu për masa të shtuara higjieno-sanitare në institucionet arsimore, si një masë shumë e rëndësishme në këtë situatë. Po ashtu ekspertët apelojnë që qytetarët të jenë të vëmendshëm ndaj higjenës vetjake me qëllim shangien e rrezikut të koronavirusit COVID-19.
Task Forca raporton se po vijohet me forcimin e masave për kontrollin dhe parandalimin e koronavirusit COVID-19 me dyfishim të personelit në Njësitë Shëndetësore në pikat kufitare, aeroport, porte dhe pika kufitare tokësore dhe monitorimin e pasagjerëve nga ekipi shëndetësor nëpërmjet matjes së temperatures.
Shtimi i informacionit dhe rritja e vizibilitetit të mesazheve në pikat kufitare, për të dhënë më shumë informacion për udhëtarët mbi vetëdeklarimin në strukturat shëndetësore, në rast të një shenjë klinike apo kontaktit me raste të konfirmuar me koronavirus në këto vende.
Rritja e sasisë së mjeteve të mbrojtjes personale për të gjitha hallkat e shërbimit, nga pikat kufitare, në strukturat shëndetësore spitalore e deri në nivel të diagnozës laboratorike.
Task Forca theksoi se masa e paracaktuar për vetëkarantinim të personave që vijnë nga vende me shpërthime komunitare të virusit duhet të vijojë.
Gjithashtu siç është bërë me dije, tashmë është përcaktuar vendi i karantinës në rast se do të jetë e nevojshme, që është një strukturë spitalore, e vlerësuar edhe nga komiteti teknik, që plotëson të gjitha standardet e përcaktuara nga OBSH.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Task Forca për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri rekomandon të gjithë qytetarët që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 në rast të shfaqjes së çdo shqetësimi apo shenje klinike, pa u drejtuar menjëherë në spital”, njofton ministria.
Situata në Botë
Në nivel global, janë raportuar në total 79 360 raste të konfirmuara me COVID – 2019. Sipas të dhënave nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, rastet më të shumta janë në Azi, kontinenti ku lindi virusi, me 78.422 raste të konfirmuara dhe 2.616 vdekje, e ndjekur nga Europa me 182 raste të konfirmuara dhe 3 vdekje, Amerika me 44 raste të konfirmuara, gjysma në Australi dhe 1 në Afrikë. Përveç Azisë dhe Europës, virusi nuk raportohet të ketë shkaktuar viktima në pjesën tjetër të globit.
Europa
Sipas të njëjtave burime, në Europë janë 182 raste të konfirmuara dhe 3 vdekje. Italia rezulton shteti më i prekur me 132 raste të konfirmuara. Italia gjithashtu rezulton shteti i katërt më i prekur në botë nga koronavirusi, pas Kinës, Japonisë dhe Koresë së Jugut.
Më pak raste në Gjermani – 16, Britani – 13, Francë – 12, Spanja dhe Rusia me 2, dhe Suedia, Belgjika dhe Finlanda, secila me 1 rast të konfirmuar me koronavirus.
Rekomandime dhe këshilla të OBSH–së
Gjatë shpërthimeve të mëparshme nga koronaviruset e tjerë (Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme “MERS” dhe Sindroma Respiratore Akute e Rëndë “SARS”) transmetimi nga njeriu te njeriu ndodhi përmes spërklave të përshtymës, kontaktit të drejtpërdrejtë human (fizik), apo kontaktit indirekt (nëpërmjet sipërfaqeve / objekteve të kontaminuara). Këto fakte sugjerojnë që mënyra e transmetimit të COVID – 2019 mund të jetë e ngjashme. Parimet themelore për të zvogëluar rrezikun e përgjithshëm të transmetimit të infeksioneve akute të frymëmarrjes përfshijnë masat e mëposhtme:
- Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes.
- Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose mjedisin e tyre.
- Shmangia e kontaktit të pambrojtur me kafshët (qofshin ato shtëpiake apo të egra).
- Personat me simptoma të infeksioneve akute të rrugëve të frymëmarrjes duhet të praktikojnë higjienën respiratore të lidhur me kollën (ruajtja e distancës, mbulimi me shami / letër ose rroba kur teshtijnë apo kolliten, larjen e duarve).
- Brenda mjediseve të kujdesit shëndetësor, forconi praktikat standard të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës.
- Në rast të simptomave të lidhura me infeksionet respiratore qoftë gjatë udhëtimit, ashtu edhe pas tij, udhëtarët inkurajohen të kërkojnë kujdes mjekësor dhe të ndajnë historinë e tyre të udhëtimit me personelin shëndetësor.