Nga Klodian Tomorri
Nga të gjithë biznesmenët që premtuan publikisht dhurime të mëdha për tërmetin e 26 nëntorit, vetëm 2 prej tyre e kanë përmbushur premtimin. Ato janë grupi Kastrati dhe Aeroporti i Tiranës. Gjithë të tjerët deri më tani janë në mashtrim publik.
Shefqet Kastrati ka derdhur në thesarin e shtetit shumën 1 milionë e gjysme euro si donacione për tërmetin ashtu siç u zotua publikisht, duke qenë donatori më i madh privat në ndihmë të të prekurve nga tërmeti.
Po kështu Aeroporti i Tiranës ka përmbushur angazhimin e tij duke dhuruar 1 milionë euro për thesarin. Të tjerët, ata që në ditët pas tërmetit mbushen mediat me premtime miliona euroshe kanë gënjyer. Të paktën deri tani nuk i dhënë paratë.
Begjet Pacolli u zotua të jepte mbi 1 milionë euro, por deri tani nuk ka derdhur asnjë lekë në llogaritë e qeverisë për termetin. Bankers Petroleum u zotua të jepte 1 milionë dollarë, por deri tani ka paguar vetëm 200 mijë dollarë.
Sipas të dhënave zyrtare nga thesari, grupet e tjera të fuqishme të biznesit që premtuan nga 1 milionë euro po ashtu nuk i kanë derdhur shumat. Disa kanë derdhur vetëm një pjesë, të tjerë asnjë lek. Këta bëjnë mirë të mbajnë premtimet për dhurime ndryshe do damkosin veten si mashtruesit e tërmetit. Këto historite që do japim tenda, ushqime apo apartamente stok mbajini për vete se nuk i duhen askujt. Paguani paratë që keni premtuar.
Ndër grupet e biznesit të cilët janë angazhuar për donacione nën 1 milione euro rezulton të ketë shlyer premtimin grupi Infosoft me rreth 50 milionë leke të reja të dhuruara. Marketing Distribution e biznesmenes Vilma Nushi ka dhënë 300 mijë euro, ndërsa kompania EHV ka dhënë 200 mijë euro.
Ndër bankat private bie ne sy grupi OTP, qe ka derdhur 500 mijë euro. Të gjitha bankat e tjera private kanë dhënë me pak se 50 mijë euro.
Lista e dhuruesve për termetin është e turpshme. Aty mungojnë koncesionarët me të mëdhenj të vendit. Përfituesit më të mëdhenj nga tenderat publike. Zotëruesit e licencave ekskluzive dhe tregjeve të mbyllura. Ata që kanë përfituar më shumë nga paraja publike, por që nuk japin asgjë. Turp.