Nga Artur Zheji
Askush nuk e di, nëse ishte e domosdoshme që të kemi plus, edhe një detashment policor të ri, me emërtesën OFL!
Askush nuk mund të thotë me siguri, se shpikja e kujt është pra ky korpusi i ri policor, OFL.
Por megjithatë, gjykuar së jashtmi dhe nga rreshtimi, nga veshjet, nga jelekët e rinj dhe syzet e zeza me një dizenjim të veçantë, duken të mirëveshur dhe të devotshëm.
Askush nuk e di, se çfarë do bëjnë në të ardhmen, forcat “Shqiponja” përshembull, do mvaren nga këta të OFL- së, apo këto shqiponjat tashmë do të fluturojnë ulët, sepse rradhën e kanë OFL-istat me syze të errëta?
Apo forcat elitë të FNSH-së, forcat e famshme të ndërhyrjes së shpejtë, që I kemi parë edhe me maska antiterror nëpër aksione të rrezikshme…
OFL, shfaqet me një look, paksa ndryshe, ku bien në sy, gjyslykët e zeza…
Syzet e errta fshehin sytë, por janë të pamjaftueshme për të maskuar fytyrën nga krimi i organizuar, që i njeh edhe pa syze. Nga ana tjetër, dihet se “çunat e krimit”, mbajnë dhe ata shpesh syze të errta dhe kapuça alpinë!
Por mbi të gjitha, “çunat e krimit”, që janë edhe “çuna problematikë” në kohë zgjedhjesh, kanë xhepin e ngrohtë me shumë para, kanë makinat më të shpejta dhe mbi të gjitha, ata kanë dhe numurat e duhur të telefonave të duhur, të shefave të duhur, në celularët e tyre.
Mirëpo këto ditë, ashtu sikundër bëmë me dije, hyri në skenë një korpus i ri policie, ku bien në sy, gratë police dhe sidomos “spikerja” e tyre, me tipare të ftohta gjermanike…
Që gocat bionde me syze të errta të OFL-së së fushatës së re anti-krim, të kenë pra ndonjë shans të vërtetë, që të fitojnë ndonjë betejë të vërtetë nëqoftëse do ketë ndonjë luftë të vërtetë kundër krimit, nuk duhet të tradhëtohen në mes të rrugës nga kryeshefat e tyre. Sidomos kur afron fushata zgjedhore dhe çunat problematikë me syze të zeza, shndrrohen si nëpër përralla, në çunat që mbledhin votat e duhura për pushtetin.
Ah, po nëqoftëse qeveria po përgatit personazhet dhe aktorët e filmit të ri serial dhe televiziv: “Lufta kundër krimit 2020”, mund të thuhet se këto policet bionde, me flokë të oksigjenuara me kaq kujdes në parukeri, janë jashtë çdo dyshimi, një yll i vërtetë.
Dhe sëbashku ato krijojnë, një gati “rracë” të re policësh modern, si nëpër filmat e luftrave ndëryjore…
Kontrasti piktoresk, i të verdhës verbuese, të policeve bionde, me uniformën blu të thellë dhe syzet me xhama të mëdhenj dhe të zi, është pra një kontrast i goditur.
Porse, vetëm një kontrast i gjetur filmik dhe televiziv, por duhet me pa më tej.
Urime pra OFL-së, superfigurante!
Mjerë çunat e krimit, duket se atyre, u kanë hyrë dridhmat në bark….
Marrë nga 360gradë.al