Lëvizja VV e konsideruar deri më tani si radikale e majtë do të bashkëqeverisë në Kosovë me konservatoren-liberale LDK. Për të përmbushur premtimet elektorale dhe për të çuar përpara lipsen kompromise të forta.
Fillimi me pengesa për qeverinë e re u shënua qysh në krye të herës: Votimi në parlament u parapri nga bisedime të stërzgjatura koalicioni për çështje personeli mes VV dhe LDK-së. Qeveria e koalicionit u votua pa praninë e shumicës së partive të opozitës. Nga deputetët e pranishëm 66 votuan pro dhe kjo është e mjaftueshme që Kosova tani të ketë qeverinë e re. Kryeministri i ri është Albin Kurti, ish-rebeli dhe Enfant Terrible i dikurshëm i Kosovës.
“Epokë e re” në varësi të strukturave të vjetra
Në fjalimin e tij para votimit në Parlament, Kurti premtoi qartazi zhvillimin ekonomik, i shpalli luftë të ashpër korrupsionit dhe theksoi, se do t’i përmbahet shtetit të së drejtës dhe rendit. Ai foli për një „epokë të re” dhe njëkohësisht u shpreh i gatshëm për dialogun me Beogradin, por mbi bazën e reciprocitetit në tregti, ekonomi dhe politikë. Objektiva tepër ambicioze! Si do t’i arrijë ai këto mbetet ende e paqartë. Marrëveshja e koalicionit është ende e panjohur për opinionin, madje as deputetët nuk e kanë pasur atë në dispozicion deri tani. Kjo ishte edhe arsyeja përse deputetët e opozitës në mënyrë demonstrative u larguan nga salla plenare para votimit. Dhjetë deputetët e partisë së pakicës serbe gjithashtu e bojkotuan votimin, sikurse kanë bërë vazhdimisht në Kosovë, ndonëse sipas Kushtetutës ata marrin pjesë automatikisht me dy ministri në përbërjen e qeverisë.
Për të miratuar ligje të rëndësishme në Parlament qeveria e re nuk do ta ketë të lehtë, sepse ka përballë një opozitë të fortë. Raportet e shumicës në kuvendin e Kosovës janë aktualisht thuaje 50 me 50 përqind me diferencë fare të vogël në favor të qeverisë. Edhe raportet e mandateve mes dy partive të koalicionit kanë dallim minimal.
Që qeverisja nuk do të jetë e lehtë për Kurtin, kjo u duk qysh gjatë bisedimeve të koalicionit: Në shumë pika LDK-ja dominoi duke e detyruar Kurtin të bëjë lëshime. Qeveria nuk i ka 12 ministri, siç mendohej në fillim, por 15. VV pretendonte Ministrinë e Brendshme duke parashikuar ta ketë vet nën kontroll luftën kundër korrupsionit. Në fund këtë dikaster e mori LDK-ja. Po kështu ndodhi edhe me postin e kreut të kuvendit. secila parti ka nga gjashtë ministri, ndërsa tri ministri do të drejtohen nga partitë e pakicave kombëtare. Shkaku kryesor i grindjes mes partive të koalicionit kishte të bënte me postin e presidentit, i cili do të zgjidhet vitin e ardhshëm nga parlamenti. Kjo temë u shty për më vonë. Por pikërisht kjo çështje mund të sprovë e fortë për qeverinë Kurti. Për zgjedhjen e presidentit kërkohet madje bashkëpunim edhe me opozitën, sepse në Parlament duhet të jenë dy të tretat e deputetëve, të cilët koalicioni në pushtet nuk i ka.
Përgatitje për kompromise të nevojshme
Qeveria do të ketë përballë një opozitë shumë të fortë: PDK-ja e drejtuar dikur nga presidenti Hashim Thaçi dhe AAK-ja e paraardhësit të Kurtit, Ramush Haradinajt. Të dy ata kanë luftuar në radhët e UÇK-së për çlirimin e Kosovës. Që nga fundi i luftës ata kanë qenë në rotacion të vazhdueshëm në pushtet. Edhe LDK-ja pacifiste ka qenë vazhdimisht në pushtet përgjatë dy dekadave dhe ka përvojë në qeverisje. Në të kundërt VV-ja me politikanë relativisht të rinj dhe të konsideruar si rebelë në opozitën jashtëparlamentare nuk ka përvojë qeverisjeje.
Albin Kurtin e pret një detyrë herkuliane: Ai nuk duhet t’i zhgënjejë zgjedhësit, e njëkohësisht atij i duhet të hyjë në kompromise të dhimbshme me Beogradin nën ndërmjetësimin ndërkombëtar. Presioni nga SHBA dhe BE ndaj kësaj qeverie do të vazhdojë dhe koha nuk pret. Qytetaret dhe qytetarët në Kosovë, që ka popullsinë më të re në Europë, duan zgjidhje për një jetë më të mirë në vendin e tyre. Velja prej politikës është e madhe. Tani tek Kurti zgjedhësit e zhgënjyer deri më sot kanë vendosur shpresa të mëdha. Kurti përfaqëson kursin kundër establishmentit të deritanishëm, ekonomisë së tarafeve dhe stanjacionit. Tani ai duhet të dëshmojë, se i qëndron me seriozitet kësaj linje!
Nga ana tjetër raportet e mazhorancës në parlament flasin për ndarjen e shoqërisë kosovare sa u përket bisedimeve me Serbinë. Proceset që priten në Gjykatës Speciale në Hagë për krimet e dyshuara të luftës prej shqiptarëve mund ta ndezin atmosferën në vend. Ish-luftëtarët e UÇK-së konsiderohen si heronj në popull dhe gjejnë mbështetje të madhe. VV dhe LDK, si përgjegjëse në qeveri, do t’u duhet të respektojnë këto ndjenja dhe tradita kombëtare si dhe të ruajnë qetësinë dhe ta mbajnë situatën nën kontroll në vend. Kurti duhet t’ia dalë të përgatisë shoqërinë kosovare për kompromiset e nevojshme.
Marrëveshja jo vetëm me Serbinë, por edhe uniteti brenda Kosovës, janë të domosdoshme për të ardhme të sigurt e të paqtë. Ai duhet të ketë rezultate dhe të përmbushë premtimet. Prej kësaj do të vlerësohet puna e tij në qeverisje. Nëse qeveria e re nuk ia del të sjellë në Kosovë hopin ekonomik dhe politik, ajo është e predestinuar të dështojë. Kjo nuk do t’i brengosë partitë e tjera, madje as LDK-në në bashkëqeverisje. Përkundrazi! Reforma rrënjësore në Kosovë është domosdoshmëri dhe VV-ja ka tani shansin të dëshmojë, se është në gjendje ta ndërmarrë atë. /DW