Shtyrja e votimit për dekretin e presidentit mbi paketën “anti-shpifje” i jep kohë dhe mundësi mazhorancës të reflektojë edhe mbi rekomadimet e pritshme të Komisionit të Venecias. “Faktoje” analizoi disa prej pikave kyçe të kësaj pakete duke u konsultuar me dy ekspertë në fushën e ligjit dhe medias. Ajo çfarë konstatuam përveç problemeve të këtij ligji për mediat online, janë edhe disa të pavërteta të kryeministrit Rama në deklaratat e mëparshme në mbrojtje të tij.
……………………………………………………………………………………………………………………………….
Në fjalën e tij në seancën plenare më 18 dhjetor, kryeministri Edi Rama argumentonte se përse ky ligj ishte i domosdoshëm për Shqipërinë. Ne ballafaquam disa nga deklaratat e tij me atë çka shkruhet në projektligjin në fjalë. Përmbajtja e tij u publikua nga vetë zoti Rama nëpërmjet një postimi në Twitter më 17 dhjetor, një ditë para votimit në parlament.
*Në fjalën e tij në parlament më 18 dhjetor, kryeministri tha se çdo gjë është bërë në konformitet të plotë me ekspertët e përcaktuar të OSBE:
“Nga fjalia e parë tek fjalia e fundit, ligji është 100% i përputhur me standardet ndërkombëtare. Këtë jua them të konfirmuar 100% me shkrim, nga institucioni i përcaktuar për të ndjekur këtë proces që është OSBE. Pra, si u morën rekomandimet e BE, u aplikuan 100% në tekst, u la detyra që procesi të vazhdojë me OSBE, procesi vazhdoi me OSBE.”-tha Rama.
Dy ditë pas kësaj deklarate dhe votimit të paketës në Kuvend, përfaqësuesi i OSBE për Lirinë e Medias, Harlem Desir në një intervistë për Exit.al tha:
“Siç mund të shihni nga deklarata ime më 17 dhjetor, unë qartësisht tregova se janë bërë përmirësime në versionin e fundit të projektligjit, por që kishte ende punë për të bërë, veçanërisht për nivelin e gjobave.”
Këtë qëndrim zoti Desir e përforcoi më 13 janar nëpërmjet një publikimi në Twitter, ku u shpreh i gatshëm për vazhduar punën me autoritetet për të përmirësuar legjislacionin, duke përfshirë nivelin e gjobave dhe proporcionalitetin e tyre me shkeljen, në përputhje me parimet e ligjit ndërkombëtar.
“Faktoje” bisedoi me Flutura Kusarin, këshilltare ligjore në Qendrën Europiane për Lirinë e Shtypit dhe të Mediave (ECPMF). Ajo mirëpriti vendimin e parlamentit për të pezulluar votimin, por theksoi: “Ne jemi të zhgënjyer thellë me qasjen e zotit Rama dhe qeverisë së tij ndaj medias në përgjithesi dhe projektligjeve në veçanti. Situata e medias në Shqipëri vazhdon të përkeqësohet, ndërsa projektligjet synojnë censurimin e mediave. Për këtë arsye qeveria injoroi ekspertizën ligjore të Këshillit të Europës dhe Komisionit Europian”.
**Duke iu rikthyer argumentave të kryeministrit të datës 18 dhjetor, ai specifikoi objektin e këtij ligji:
“Do t’i japë thjesht dhe vetëm një instrument, jo ndonjë instrument fatal, por një instrument sidoqoftë të thjeshtë çdo individi që pasi del tek dera e shtëpisë ha një batare me baltë, të ketë një adresë ku të shkojë e të ankohet.
Unë personalisht nuk merrem fare me AMA-n, s’do më shihni të shkoj ndonjëherë te AMA, do shkoj në gjykatë.”
Duke qenë se objekti i ligjit është nevoja e adresimit të ankesave të qytetarëve, lind pyetja: Sa qytetarë janë ankuar për këtë çështje? Deri tani nga qeveria nuk është publikuar një shifër.
Por çfarë është AMA dhe çfarë varësie ka ajo nga politika?
AMA është Autoriteti i Medias Shqiptare dhe përbëhet nga Kryetari, zëvendëskryetari dhe 5 anëtarë. Sipas ligjit, anëtarët propozohen nga Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik dhe miratohen nga Kuvendi. Komisioni mban parasysh ruajtjen e balancës, me 3 kandidatë të mbështetur nga shumica parlamentare dhe 3 nga opozita. Kryetari zgjidhet nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë dhe një nga anëtarët ekzistues të mbështetur nga opozita zgjidhet zëvendëskryetar nëpërmjet votimit nga AMA. Duke qenë se kryetari zgjidhet me shumicë të thjeshtë, automatikisht do të ketë mbështetjen e mazhorancës në fuqi. Në këtë mënyrë mazhoranca ka në çdo rast shumicën, me 4 anëtarë (3 + kryetarin) të mbështetur nga ajo në krahasim me 3 (2 + nënkryetarin) kandidatët e mbështetur nga opozita.
“Faktoje” kontaktoi me zotin Aleksandër Çipa, kryetarin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, i cili e kundërshtoi këtë mënyrë zgjedhjeje: “Ne refuzojmë mënyrën e zgjedhjes së Këshillit të Ankesave dhe Bordit të AMA që vazhdon traditën e zgjedhjes bipartiake të AMA. Është e padrejtë dhe politizon kriterin e zgjedhjes së kandidatëve”.
***Në fjalën e tij në seancën parlamentare kryeministri Rama deklaroi se gjykata shqyrton çështjet kur ngrihet problemi i shpifjes, jo AMA:
“AMA nuk zëvendëson gjykatën, ajo është instanca ku konkludohet. Por gjykata dhe vetëm gjykata, jo AMA, shqyrton çështjet kur ngrihet problemi i shpifjes“.
Në fakt, bazuar në Nenin 33, paragrafi i parë, (në ligjin e vjetër, pjesë e cila nuk ka ndryshuar me ligjin e ri), AMA do të shqyrtojë çështje që kanë të bëjnë me problemin e shpifjes. Këshilli i Ankesave vlerëson nëse ka apo jo shkelje të nenit 33.
Në nenin 33 të ligjit thuhet:
- Ofruesi i shërbimit mediatik audioviziv duhet:
a) të njoftojë dhe të paraqesë lajmet e transmetuara në një mënyrë të vërtetë, të paanshme dhe objektive;
AMA do të merret me verifikimin e vërtetësisë së raportimeve, çka bie në kundërshtim me atë që deklaron kryeministri Rama.
****Në kuvend zoti Rama tha gjithashtu se AMA është vetëm stadi i parë, ndërsa vendimin final e merr gjykata:
“AMA nuk zëvendëson gjykatën, ajo është instanca ku konkludohet. Por gjykata dhe vetëm gjykata, jo AMA, shqyrton çështjet kur ngrihet problemi i shpifjes”.
Në Nenin 14 të projektligjit, në një nga pikat thuhet:
- AMA mbikëqyr zbatimin e këtij ligji nga subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e mediave elektronike dhe, në rast shkeljesh, vendos sanksione.
Sipas ligjit, AMA vendos sanksione për rastet e shkeljeve të këtij ligji në fushën e mediave elektronike dhe ato sanksione ekzekutohen para se rasti të shkojë në gjykatë.
Por si i vendos AMA këto sanksione?
Në bazë të ligjit, organet vendimmarrëse të AMA-s janë Bordi dhe Këshilli i Ankesave. Në Nenin 29, shkruhet se në rast të shkeljeve të dispozitave të këtij ligji, AMA, nëpërmjet Bordit të AMA ose Këshillit të Ankesave të AMA mund të vendosë masa për këto shkelje.
Në rastet kur vendoset që subjekti duhet ndëshkuar, vendimi merret fillimisht nga Këshilli i Ankesave. Projektligji thotë qartë që vendimet e KA do të ekzekutohen nga Shërbimi i Përmbarimit gjyqësor:
- Vendimet e KA-së së AMA-s do të ekzekutohen nga Shërbimi i Përmbarimit Gjyqësor, në përputhje me dispozitat e Kodit të procedurës Civile.
Subjekti mund të ankimojë vendimin e KA pranë Bordit të AMA, por kjo nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit. Pra, me fjalë të tjera, nëse vendoset një gjobë dhe portali do ta ankimojë, fillimisht duhet të paguajë gjobën e më pas mund të vazhdojë me procedurën e ankimimit.
Ky fakt njoftohet në pikën 6 të Nenit 29 të këtij projektligji:
- Subjekti i ndëshkuar mund të bëjë ankim pranë Bordit të AMA-s brenda 30 ditëve nga data e shpalljes ose e njoftimit të vendimit të KA-së për vendimet sipas parashikimeve të këtij ligji. Ankimimi ndaj vendimit të KA-së nuk pezullon ekzekutimin e vendimit. Bordi i AMA-s shqyrton ankesën dhe shpall vendimin jo më vonë se 10 ditë. Kundër vendimit të Bordit të AMA-s mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Siç thuhet në këtë pikë, vendimin e Këshillit të Ankesave mund të ankimohet tek Bordi i AMA dhe nëse sërish subjekti nuk bie dakort me masën, mund ta ankimojë sërish në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Sipas ligjit, nuk bëjnë pjesë në rastet e ekzekutimit të vendimit nga përmbarimi gjyqësor, sanksioni i detyrimit të portalit për të publikuar një korrigjim ose për të vendosur një pop-up, raste në të cilat vendimi i AMA ekzekutohet nga AKEP (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare).
Mbi këtë nen shpreh shqetësimin edhe zoti Çipa: “E refuzojmë Nenin 29, i cili i njeh të drejtën Këshillit të Ankesave dhe Bordit të AMA të vendosë masa dhe të ekzekutojë vendimin pa pritur vendimet e Gjykatës. Ekzekutimi i vendimeve, madje dhe akti përmbarimor pa u shprehur gjykata falimenton financiarisht redaksitë”.
Pas shqyrtimit të deklaratave të kryeministrit Rama dhe konstatimeve në projektligj, “Faktoje” vendosi t’i kategorizojë ato si të pavërteta.
/Joel Çela/ Faktoje.al