Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi mungesë burimesh të ligjshme për ndërtimin e një shtëpie 3-katëshe në Kavajë si dhe pasaktësi të tjera, ndërsa kryetarja e Gjykatës së Kavajës kërkoi konfirmimin në detyrë.
Kryetarja e Gjykatës së Kavajës, Entela Shedula u përball me mungesë burimesh financiare, mospërputhje dhe pasaktësi në deklarimet e pasurisë së saj të enjten përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Procesi i vetingut për gjyqtaren Shedula po kryhet për të tre kriteret nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Xhensila Pine, me relatore Suela Zhegu dhe anëtare Brunilda Bekteshi.
Gjyqtarja Shedula u paraqit në seancë dëgjimore bashkë me avokatin Sokol Hazizaj.
Relatorja Zhegu u ndal gjatë në hetimin e kryer nga Komisioni për burimet financiare të përdorura për ndërtimin e një shtëpie tri-katëshe nga gjyqtarja Shedula dhe bashkëshorti i saj në Kavajë.
Zhegu tha se gjyqtarja Shedula kishte deklaruar si burim krijimi të kësaj pasurie të ardhurat nga bashkëshorti si emigrant, të ardhurat nga aktiviteti i tij privat, një kredi si dhe paratë e përfituara nga shitja e pasurisë së patundshme.
Sipas deklarimeve të gjyqtares, ndërtimi i shtëpisë kishte nisur para martese në vitin 1995 dhe deri në vitin 1999, investimi për katin e parë dhe katin e dytë karabina ishte 3.6 milionë lekë. Gjyqtarja Shedula ka shtuar gjithashtu se ndërtimi ishte kryer nga punëtorë individualë.
Nga verifikimet e Komisionit ka rezultuar se bashkëshorti i gjyqtares ishte regjistruar si person fizik dhe administrator i një kopështi privat për fëmijë në vitin 2006 dhe aktiviteti ishte pezulluar në vitin 2017. Paralelisht me biznesin privat, bashkëshorti ka qenë i punësuar në disa shoqëri.
Zhegu tha se nga hetimi janë konstatuar mospërputhje midis deklarimeve të vitit 2003 dhe atyre në deklaratën veting lidhur me ndërtimin e banesës deri në vitin 2003.
“Subjekti ka shpjeguar se është martuar në vitin 2001 dhe se një vit më vonë ka filluar të kontribuojë financiarisht në familjen e re,” tha relatorja.
Gjyqtarja Shedula kundërshtoi gjetjet e Komisionit për banesën tre katëshe.
“Për burimin e kësaj ndërtese s’ka pasaktësi thelbësore,” tha ajo, duke theksuar se nuk mund të ishin të njëjta deklarimet e vitit 2003 për këtë pasuri me ato të deklaratës veting, pasi godina nuk ishte përfunduar ende.
Shedula deklaroi se diferencat e deklaruara në ligjin e mëparshëm për deklarimin nuk përbënin as shkelje administrative. “Këto parashikime janë bërë edhe për shkak të mungesës së kulturës së mëparshme të deklarimit. Vetëm kur parregullsitë ishin në atë formë që nuk mund të rregulloheshin, atëherë kishte probleme,” pohoi Shedula.
Ajo shpjegoi se ndërtimi kishte qenë informal kohë para se të martohej dhe se punimet kishin zgjatur për 15 vjet, nga viti 1995 deri në 2010-ën. “Duke qenë se nuk ka pasur dokumente, deklarimi është bazuar në kujtesën e njerëzve,” tha ajo.
KPK evidenton mospërputhje edhe mes deklarimeve për marrjen e kredive në Fondin Besa me dokumentacionin përkatës. Sipas Zhegut, gjyqtarja Shedula ka deklaruar se kreditë i ka marrë për të investuar në banesën tre katëshe, ndërkohë që në dokumentacion rezulton se janë marrë për arsye biznesi. Tjetër pasaktësi që evidenton Komisioni është fakti se janë marrë katër kredi nga gjyqtarja Shedula dhe bashkëshorti i saj, por prej saj janë deklaruar vetëm dy. “Subjekti ka deklaruar se i ka marrë për aktivitet, pasi banka nuk i jepte për shtëpi,” pohoi Zhegu.
Gjyqtarja Shedula theksoi faktin se kreditë ishin marrë për shtëpinë, pasi kur kishte nisur të jetonte në vitin 2001 me bashkëshortin, e kishin pasur të nevojshme ta rregullonin banesën. “Banka e Kursimeve ishte në procedurë privatizimi, ndërkohë që Fondi Besa jepte kredi vetëm për biznes,” sqaroi Shedula.
Ajo shtoi se ishte e provuar se kreditë nuk ishin përdorur për biznes, pasi aktiviteti privat i bashkëshortit kishte qenë me status pasiv në periudhën 2001-2002. Gjyqtarja Shedula tha se ndryshimi i destinacionit nuk përbënte shkelje, pasi edhe oficeri i kredisë interesohej vetëm për shlyerjen, gjë që sipas saj e kishin kryer.
Balancë negative
Komisioni e ka ndarë analizën financiare për gjyqtaren Shedula në periudha, bazuar në deklarimet për ndërtimin e banesës trekatëshe. Për ndërtimin e katit të parë në periudhën 1994-1996, Komisioni konstaton mungesë të burimeve të ligjshme.
Zhegu shpjegoi se gjyqtarja Shedula ka deklaruar se shpenzimet e ndërtimit për këtë periudhë nga familja e bashkëshortit ishin në vlerën 3.6 milionë lekë, por nga analiza financiare ka rezultuar mungesë e burimeve të ligjshme në vlerën 4.6 milionë lekë.
Për vazhdimin e punimeve në katin e parë dhe në katin e dytë karabina në periudhën 2000-2002, si burim për investimin Shedula ka deklaruar të ardhurat nga aktiviteti privat i bashkëshortit, shitja e një pemishteje dhe kredi nga Fondi Besa. Edhe për kryerjen e këtij investimi, Komisioni konstaton pamundësi financiare në vlerën 1 milion lekë.
Balancë negative në shumën 1.8 milionë lekë është konstatuar edhe për investimet e kryera në banesën trekatëshe deri në vitin 2006. E vetmja periudhë që është konkluduar me balancë pozitive është ajo 2007 – 2010, kur edhe ka përfunduar banesa.
Gjyqtarja Shedula e kundërshtoi analizën financiare të Komisionit.
“Thoni se ka mungesë burimesh financiare për këtë shtëpi. Për periudhën 1994-1999, vlerësoj se analiza e Komisionit nuk është e drejtë dhe nuk përputhet me provat që kam bashkëngjitur. Konkludimi nuk është në përputhje as me konstatimin e ILDKPKI,” tha Shedula.
Ajo e cilësoi të padrejtë edhe mospranimin e të ardhurave të bashkëshortit gjatë viteve 1995-1997 kur ai punonte në Itali dhe njëkohësisht importonte rroba të përdorura, duke pasur një aktivitet të licensuar. “Kishte marzh të lartë fitimi, pasi kishte kërkesë të konsiderueshme në atë periudhë për ato produkte. Kemi dorëzuar prova për ushtrimin e këtij aktiviteti,” shpjegoi Shedula, e cila shtoi se nuk kishin pasur detyrim që të ruanin dokumentacionet e 22 viteve më parë.
“Për deklaratën veting kemi dorëzuar aq të dhëna sa kemi mundur, që për mua janë të plota. Vlerën 1.3 milionë që është tërhequr në shtator të vitit 1999, Komisioni e pasqyron si gjendje në fund të vitit dhe pse është përdorur për ndërtimin e banesës. Kjo shumë s’duhet të konsiderohet si gjendje në fund të vitit 1999, por të hiqet nga tabela e analizës financiare,” kërkoi Shedula. Ajo shtoi se nuk duhej të përfshiheshin edhe shpenzimet e bashkëshortit, kur ai jetonte në Itali.
Shedula deklaroi se bashkëshorti kishte punuar në Itali që prej vitit 1992, por se nuk dispononte dokumente për të gjitha të ardhurat. Ajo e konsideroi në dëm të bashkëshortit mosdeklarimin e punës së tij nga punëdhënësi dhe i kërkoi Komisionit ta marrë parasysh këtë fakt, ashtu si ka bërë në disa vendime për raste të tjera.
Gjyqtarja Shedula tha se pavarësisht se nuk dispononte gjithë dokumentacionin për të ardhurat e bashkëshortit në Itali, kishte dorëzuar dokumentacion zyrtar dhe prova të mjaftueshme që vërtetonin se ajo kishte pasur burime të ligjshme lidhur me shpenzimet për ndërtimet e kryera deri në vitin 1999 në banesën tre katëshe në Kavajë.
Kryetarja e Gjykatës së Kavajës këmbënguli që të rikryhej analiza financiare dhe të merreshin parasysh edhe të ardhurat e përfituara nga bashkëshorti gjatë periudhës 2007-2010 nga kopshti, duke pretenduar se kishte dorëzuar dokumente se ishin paguar tatimet.
Në fund të seancës, kryesuesja Xhensila Pine e pyeti subjektin e rivlerësimit nëse kishte menduar se vepronte në kundërshtim me përcaktimet kushtetuese kur kishte firmosur marrjen e kredive për biznes, ndërkohë që nuk administronte aktivitet privat. Shedula tha se e kishte përshkruar se aplikonte për të ndihmuar bashkëshortin për biznesin e tij.
Sipas relatores, ka mospërputhje të shumave neto të deklaruara si të përfituara nga aktiviteti i bashkëshortit dhe nga puna në disa shoqëri, me dokumentet e administruara nga institucionet përkatëse. Për vitin 2007 ka rezultuar balancë negative në vlerën 250 mijë lekë; për vitin 2011 në vlerën 350 mijë lekë dhe në vitin 2012 në vlerën 1 milion lekë.
Gjyqtarja Shedula tha se analiza financiare e KPK nuk ishte e saktë, pasi familja e saj kishte pasur burime të ligjshme për kryerjen e të gjitha investimeve. Ajo ritheksoi se nuk ka pasur detyrimin të ruante pas 20 vitesh dokumentet.
Në fund të relatimit, Zhegu bëri më dije se gjatë hetimit administrativ, me kërkesë të gjyqtares Entela Shedula ishte vendosur riçelja e hetimit për pasurinë, e më pas për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Sipas Komisionit, hetimi ishte riçelur pasi ishin servirur të dhëna nga Bashkia e Kavajës, nga ku kishte rezultuar se përputheshin deklarimet me dokumentacionin për të adhurat për aktivitetin privat “kopësht” të bashkëshortit të subjektit.
Gjyqtarja Shedula u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërsa për aspektin profesional u evidentua vetëm një rast kur gjyqtarja kishte zgjatur shqyrtimin e një çështje për 11 muaj. Nga 10 denoncimet e kryera nga publiku, KPK nuk kishte gjetur probleme thelbësore.
Lidhur me zgjatjen e shqyrtimit tej afateve, Shedula u shfajqësua me ngarkesën e madhe në punë, duke shpjeguar se në atë kohë, gjykata e Kavajës kishte vetëm dy gjyqtarë nga katër që duhej të kishte dhe në të njëjtën kohë se ajo mbante edhe detyrën e kryetares.
Në fund të seancës, gjyqtarja Entela Shedula i kërkoi Komisionit konfirimin e saj në detyrë. “Kërkoj vetëm drejtësi. Për 24 vite punoj me përkushtim dhe sinqeritet,” tha ajo.
KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 31 janar, ora 09:45. /Reporter.al