Është folur shumë për faktin se Liverpool luajti dy herë në dy ditë: në Kupën e Ligës, të martën; dhe në Botërorin për Klube, të mërkurën. Megjithatë, në vitet 1980, skuadrat angleze luanin kaq shpesh thuajse rregullisht. Liverpool i luajti ndeshjet e kampionatit në dy ditë radhazi, më 1980, 1982, 1983 dhe 1986. Kjo ndodhi para se “ The Reds” të shijonin rehatinë e të pasurit një skuadër të madhe. Disa klube kanë luajtur madje në dy ditë rresht në epokën e Premier League. Tottenham, Crystal Palace, Norwich dhe Nottingham Forest i zhvilluan ndeshjet e kampionatit më 26 dhe 27 dhjetor 1994.
Ekipet që luajnë ndeshje në një hapësirë kaq të shkurtër kohe janë një gjë, por ekziston edhe version tjetër: i njëjti lojtar merr pjesë në dy ndeshje, gjatë së njëjtës ditë. Më 11 nëntor 1987, Mark Hughes e përmbushi këtë realitet të rrallë futbollistik. Nuk ishte sekret që Hughes kishte përjetuar një makth që prej transferimit të tij nga Manchester United te Barcelona, në verën e vitit 1986. Ndërsa kolegu i tij “firmëtar”, Gary Lineker, gjendej në fushë duke vrapuar, Hughes luftoi e vuajti në Spanjë për këtë. Stili i tij i të luajturit ishte i nënvlerësuar nga tifozët dhe media iberike. “Në pjesën më të madhe ishte një histori tmerri”, – shkroi Hughes në autobiografinë e tij.
Me fillimin e sezonit 1987-1988, ditët e tij te Barcelona nisën të numëroheshin mbrapsht. I parehatshëm te skuadra katalanase dhe i dëshpëruar për një rikthim te Manchester United, sulmuesi uellsian tentoi Mbretërinë e Bashkuar para prillit 1988. Kjo gjë do t’i kushtonte atij mijëra stërlina në formë taksash, pasi nuk kishte qëndruar jashtë vendit gjatë periudhës së plotë të përjashtimit nga tatimi. Dhe pastaj erdhi një rrugë shpëtimi. Një marrëveshje huazimi me Bayern Munich deri në fund të sezonit. Më në fund, Hughes “kishte shpëtuar nga torturat fizike dhe mendore të burgosjes së tij te Barcelona”, siç shkruante Clive Ëhite në “Times”.
Masa dukej ishte një përshtatje e përsosur. Hughes shënoi një gol dhe asistoi një tjetër në debutimin me bavarezët, kundër Bayer Uerdingen, të shtunën e 7 nëntorit 1987. Katër ditë më vonë, ai pati një shans tjetër për ta shlyer besimin e drejtuesve të klubit të njohur gjerman. Bayern Munich po luante kundër Borussia Mönchengladbach në Kupën e Gjermanisë. Menaxheri i përgjithshëm, Uli Hoeness, ishte i dëshpëruar që Hughes të spikaste në debutimin e tij. Asgjë e pazakontë në këtë, por pati një pengesë të vogël. Në të njëjtën ditë, kur ishte caktuar ndeshja e Bayernit, Hughes do të luante për Uellsin kundër Çekosllovakisë në Pragë, në një kualifikuese vendimtare për “Euro 1988”. Hoeness ishte i shqetësuar. “Brenda pak minutave, ai më kishte bërë dhjetëra thirrje telefonike, – shpjegon Hughes. – Avionë privatë, makina në gatishmëri ishin bërë gati që të më merrnin sa më shpejt, pas ndeshjes. Unë nuk mund të besoja se çfarë po ndodhte”. Pra, Hughes, i cili kishte luajtur vetëm tri ndeshje në dy muaj, të dyja me Uellsin, tani po përgatitej për dy ndeshje në të njëjtën ditë.
Një fitore do ta dërgonte Uellsin në finalet e “Euro 1988”, por për fat të keq për Hughes, të tijtë humbën 2-0 në Pragë. Ai nuk kishte shumë kohë që të mendonte për situatën, kur u kthye në dhomën e zhveshjes. “Hoeness u sigurua për këtë, – shkroi Hughes. – Taksia ishte duke më pritur, që të më dërgonte direkt në aeroport. Mbaj mend, ishte një… Lada. Nuk po bëj shaka. Deri në aeroport udhëtuam me 30 km/orë, ishte një rrugë fshati, por m’u duk sikur po sfidonim rekordin e shpejtësisë së tokës. Pas çekimit, mora një avion privat për në Mynih dhe atje më priste Hoeness. Me “Porsche” e tij më rrëmbeu e direkt në stadiumin olimpik”.
Dy orë më parë, Hughes kishte luajtur për kombëtaren e tij në Çekosllovaki. Tani, ndërsa filloi pjesa e dytë e ndeshjes së Kupës së Gjermanisë, ai po prekte një fushë tjetër, brenda së njëjtës ditë. Kësaj here me fanellën e Bayernit. “Hoeness me dashje nuk i kishte thënë asnjërit prej lojtarëve, zyrtarëve apo tifozëve për skemën e tij sekrete, – kujton Hughes. – “Kështu, unë u kontrabandova në stadium dhe u mbajta i fshehur lart, derisa skuadra të kishte dalë jashtë për gjysmën e dytë të ndeshjes. Ai donte ndikimin maksimal psikologjik dhe ai e mori atë”. Para se Hughes të futej në fushë, Gunter Thiele i dha Borussia Mönchengladbach epërsinë në rezultat. “Ishte koha për një nga zëvendësimet më befasuese në historinë e futbollit. Askush nuk mund ta besonte. Unë duhej të isha qindra milje larg, në Pragë. Nuk ishte e mundur. Askush nuk ishte më i tronditur se lojtarët e Borussia”, – kujton ish-ylli i Uellsit.
Lothar Mattheëus barazoi rezultatin dhe Hughes pothuajse e kompletoi “përrallën” e bukur, duke shënuar më vonë. Loja shkoi në kohën shtesë, kur u shënuan dy gola nga Michael Rummenigge, duke i dhënë Bayernit fitoren 3-2. Hughes kishte qenë në skuadrën humbëse për Uellsin, më herët, gjatë ditës, por u ndje shumë më mirë, kur u largua nga tapeti i blertë në Mynih si triumfator. “Është mirë që egoja të lëmohet herë pas here, veçanërisht pas përvojave të mia të fundit, – tha ai. – Një ushtrim i veçantë, që me siguri i bëri mirë zemrës time. Të konsiderosh se çdo klub do të bënte sakrifica të tilla për një lojtar të vetëm më duket mjaft tronditëse. Kjo nuk shënjoi vetëm ditën time më të veçantë të jetës, por përcaktoi tërë sezonin. Madje, pothuajse më bindi të qëndroja edhe për dy vite të tjera në Munih”.