Shqipëria është një ndër vendet më sizmoaktive në Europë. Energjia e çliruar nga tërmetet e brezit ku ndodhet Shqipëria është rreth 15% e energjisë totale të çliruar nga tërmetet e gjithë botës. Si një vend sizmik ku tërmetet kanë demonstruar lojën e tyre demoniake që në kohërat e lashta, për vendin tonë një shkencë si sizmologjia është domosdoshmëri.
Në vitin 2013 katër sizmologë të njohur në vend, Prof.Eduard Sulstarova, Prof.Shyqyri Aliaj, Prof.Siasi Koçiu dhe Prof. Betim Muço, i ofruan qeverisë një hartë të re sizmike qe shoqëronte botimin e tyre të përbashkët me titull “Sizmiciteti, sizmotektonika dhe vlerësimi probabilitar i rrezikut sizmik në Shqipëri”.
Akademikët kanë theksuar faktin se në territorin e Shqipërisë, me probabilitet 80%, mund të ndodhë një tërmet 7 ballë një herë në çdo 5 vjet, një tërmet 8 ballë çdo 10 vjet, ndërsa një tërmet 9 ballë çdo 30-40 vjet dhe tërmeti maksimal i mundshëm arrin magnitudën 7.
Sizmologët në botimin e Akademisë së Shkencave kanë renditur 9 zonat e burimeve sizmike në vendin tonë.
Sipas tyre në Ultësirën Pranadriatike pra në zonën bregdetare duke pasur në konsideratë potencialin e lartë sizmik të brezit tërmetor Adriatiko-Jonik, mund të ndodhin në të ardhmen tërmete me magnitudë 7.00, më tej listohen edhe 8 zona të tjera.
Në botim analizohen edhe faktorët e truallit që ndikojnë në intensitetin e tërmeteve. Profesorët sugjerojnë të shmangen trojet e buta dhe të ngopura me ujë. Për bazamentet e godinave, kjo do të reduktonte dëmin potencial nga tërmetet. Në faqen 65 të librit përmendet edhe zona e ish-Kënetës në Durrës për të cilën shkruhet se ka kushte shumë të dobëta ku trualli përbëhet nga leshterikë, rëra pluhrorë etj që përfundojnë në argjile të dobëta të rrjedhshme.
Pikërisht tek Ish-Këneta në Durrës, lëkundjet e forta bënë që katet e para të disa banesave të futeshin nën tokë. Historia e ndërtimeve këtu u shënjua me një tragjedi për familjen Lala e cila humbi 8 anëtarë pasi banesa 4 katëshe u zhyt nga lëkundjet.
Nga studimi i tërmeteve te ndryshëm të vendit tonë rezulton si rregull se trojet e dobëta me nivel të cekët të ujërave nëntokësore e rrisin intensitetin sizmik dy ballë në krahasim me intensitetin në trojet e fortë shkëmborë, raporton “BalkanWeb”.
Sipas analizës rrezikun më të lartë sizmik në Shqipëri e ka rajoni kufitar Shqipëri- Mal i Zi, trekëndëshi Vlorë-Lushnjë dhe Tepelenë, zona kufitare Shqipëri- Greqi si dhe Korçë-Pogradeci. Studimit ia rrisin vlerën edhe hartat e rrezikut sizmik probabilitar të Shqipërisë, vlerat e rrezikut sizmik për 370 bashki e komuna, si edhe vlerat e plota spektrale për te gjithë qytetet e vendit.
Në studim arrihet përfundimi se rezultatet e këtij vlerësimi probabilitar të rrezikut sizmik duhet të shërbejnë si bazë për kodin e ri të ndërtimeve antisizmike në vend, duke zëvendësuar Hartën e Rajonizimit Sizmik të Republikës së Shqipërisë, miratuar nga Këshilli i Ministrave në dhjetor 1979, e cila është ende në fuqi.
Në një postim të datës 9 dhjetor 2019 Presidenti Ilir Meta ka shpërndarë në rrjetet sociale një shkrim, lidhur me studimin sizmologjik në fjalë. Meta e shoqëroi shkrimin me diçiturën “Koha për të dëgjuar shkencëtarët, jo servilët”.