Boris Johnson është konsideruar nga mediat britanike si një kloun, nisur nga ekscentriciteti, narcizmi, nevoja e thekshme për t’u pëlqyer me çdo kusht, por edhe për faktin e thjeshtë të të pasurit gjithmonë flokë të çrregullta dhe mimikë të pakontrollueshme. E megjithatë, ky politikan aspak i zakontë perëndimor ka arritur të fitojë vëmendjen e të gjithë botës.
Alexander Boris de Pfeffel Johnson, lindi në New York City (hoqi dorë nga shtetësia e tij në SHBA në vitin 2016). U arsimua në shkollën prestigjioze angleze Eton, si dhe në Universitetin e Oksfordit. Ai e filloi karrierën e tij si gazetar, për t’u bërë më pas pjesë e politikës; fillimisht si anëtar i Parlamentit dhe më tej si kryetar i qytetit të Londrës. Johnson ushtroi funksionin e kryetarit në dy mandate, duke e refuzuar kandidimin në vitin 2016. Asokohe, Johnson u prish me aleatët e tij politikë, për t’u bërë udhëheqësi jozyrtar i fushatës “Vote Leave”.
Gjatë fushatës, shtroi shumë çështje të diskutueshme, përfshirë atë që Mbretëria e Bashkuar po i dërgonte 350 milionë paund në javë Bashkimit Europian, një shumë që sipas Johnson mund të ndihmonte në fondin e Shërbimit Kombëtar të Shëndetit Popullor të Britanisë.
Ai argumentoi gjithashtu se liria e lëvizjes së BE-së e bëri Mbretërinë e Bashkuar më pak të sigurt dhe se Brexit do t’i mundësonte rimarrjen e kontrollit mbi kufijtë e saj. Leave fitoi referendumin në 23 qershor të atij viti dhe pas dorëheqjes së kryeministrit David Cameron, Johnson u pa si pasardhës. Por, kandidimi i tij u hodh në erë pasi një aleat politik e tradhtoi.
Kësisoj, u bë kryeministre Theresa May. Johnson-it iu desh të shtrohej në detyrën e Sekretarit të Jashtëm, pavarësisht se dha dorëheqjen në korrik të 2018-ës, në shenjë proteste për mënyrën sesi Theresa May po e trajtonte çështjen e Brexit.Pasi kjo e fundit dha dorëheqjen, Johnson fitoi një tjetër mundësi për t’u bërë kryeministër.
Në korrik të këtij viti, Johnson fitoi garën e udhëheqjes Konservatore, duke premtuar se do t’i qëndronte besnik tërheqjes së Britanisë nga Bashkimi Europian, me një afat të parapërcaktuar, deri më 31 tetor. Parlamenti u rebelua ndaj deklaratës së tij, se Britania do të dilte edhe pa marrëveshje nga Bashkimi Europian, duke miratuar një ligj kundërshtues.
Johnson siguroi një marrëveshje për Brexit në tetor, në saje të një kompromisi të minutës së fundit me Bashkimin Europian. E megjithatë, sërish u ndesh me ligjvënësit britanikë, të cilët ia mohuan votat e nevojshme.I detyruar në një farë mënyre, Johnson duhej të kërkonte një zgjatje të Brexit, duke e shtyrë afatin deri më 31 janar të vitit 2020. Si rrjedhojë, ngërçi mund të zgjidhej vetëm përmes zgjedhjeve, që u zhvilluan të enjten. Johnson ridëshmoi se një pjesë e mirë kritikësh kanë të drejtë; natyra përllogaritëse, që në pamje të parë duket e rrëmbyeshme, është pjesë e sharmit të tij.
Partia Konservatore siguroi falë Johnson rezultatin më të mirë të zgjedhjeve që nga viti 1987; 365 nga 650 vende në Dhomën e Parlamentit. Kjo fitore e cila rezultoi shkatërrimtare për partitë opozitare, erdhi në saje të një fushate që mbartte një slogan të vetëm: Get Brexit Done (Le ta kryejmë njëherë e mirë Brexit). Britanikët, duket se nuk mund të binin më shumë dakord. Votuesit, të mërzitur me trazirat politike, i dhanë Johnson mandatin e shumëkërkuar, përmes të cilit do të nxjerrë në janar Britaninë nga Bashkimi Europian. “Ia dolëm!”-tha Johnson në tubimin e fitores.
“Ju mund të na keni huazuar thjesht votën, pasi ndoshta nuk e konsideroni veten konservatorë. Mund t’ju jetë dridhur dora mbi fletën e votimit, përpara se të vendosnit kryq në kutinë e Partisë Konservatore. Dhe, me shumë gjasa, mund të keni ndërmend të ktheheni herës tjetër në gjirin e Partisë Laburiste. Nëse vërtet është kështu, jam i nderuar për besimin tuaj në mua. Unë dhe ne (Partia Konservatore) nuk do ta marrim kurrë për të mirëqenë mbështetjen tuaj”- u shpreh Johnson, duke theksuar se Brexit do të ndodhë brenda 31 janarit të vitit të ardhshëm. “Nuk ka më por apo nëqoftëse”-mëshoi ai. Megjithatë, Johnson do të përballettashmë me të tjera sfida. Pasi marrëveshja e Brexit të miratohet dhe të ratifikohet në janar, Mbretëria e Bashkuar do të zhvendoset në një periudhë edhe më të gjerë dhe komplikuar të bisedimeve, duke përcaktuar se sa e përafruar do të qëndrojë në Bashkimin Europian për çështje si mjedisi, konkurrenca, të drejtat e punëtorëve dhe tregtia. Johnson shpreson të sigurojë një marrëveshje të re tregtare me BE deri në fund të vitit 2020, para përfundimit të së ashtuquajturës periudhë tranzicioni, gjatë së cilës Mbretëria e Bashkuar do të dalë zyrtarisht nga blloku, por sërish do t’u nënshtrohet rregullave të saj. Kjo është një kthesë tmerrësisht e shpejtë, po të marrim parasysh kërkesën e Johnson për të devijuar ndjeshëm nga rregullat e Bashkimit Europian.
Kryeministri britanik duket se do të ketë si vetmen pengesë tiktakun e orës. Të paktën kështu thotë Brigid Fowler, një studiues i vjetër në “Hansard Society”, që është burimi kryesor i Mbretërisë së Bashkuar për hulumtime dhe këshilla të pavarura për çështjet parlamentare. “Shumica parlamentare i jep Johnson tashmë shumë liri në formësimin e marrëveshjes së re të tregtisë së lirë, por kjo nuk nënkupton që situata për Bashkimin Europian do të ndryshojë në mënyrë të konsiderueshme”-thotë Joe Owen, drejtori i programit Brexit në Institutin për Qeverinë, duke shtuar se “të negociosh dhe të ratifikosh një marrëveshje është një gjë, por në të vërtetë vendosja e saj në vend dhe transferimi në sistemet e qeverisë është padyshim një proces që ka potencialin të zvarritet ndër vite.”
Pak përpara se të dilte një sondazh për rezultatin e zgjedhjeve, paundi britanik u ngjit në 1.351 dollarë, niveli i tij më i lartë që nga qershori i vitit 2018, nga 1.317 dollarë. Paundi u ngjit gjithashtu në nivelin e saj më të lartë kundrejt euros që nga dhjetori i vitit 2016, në 1.207 euro, pasi tregjet duket se pretendojnë se një periudhë politike më e qëndrueshme ka të ngjarë të trokasë në Britani. Johnson e festoi jo më kot fitoren e tij, po të marrim parasysh betejën e tij brexit-iane, pavarësisht se liderët e Bashkimit Europian lëshuan një paralajmërim të ashpër për kushtet e vështira që ata do t’i bashkëngjisin çdo marrëveshjeje tregtare me Britaninë e pas Brexit. “Është tepër e thjeshtë. Nëse Boris Johnson, qeveria e tij dhe populli britanik duan një marrëveshje shumë ambicioze, duhet të ketë një konvergjencë rregulluese po aq ambicioze”-u shpreh presidenti francez Emmanuel Macron pas samitit Europian në Bruksel. Një reagim po kaq të prerë pati edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. “Mbretërisë së Bashkuar do t’i duhet të peshojë me kujdes avantazhet e lënies së standardeve që kemi në BE, ashtu sikurse do t’i duhet të kuptojë dhe se cilat do të jenë disavantazhet e këtij vendimi”-tha ajo. Përpos gjithçkaje, Boris Johnson do të ushtrojë autoritetin e kryeministrit për plot 5 vite.
Kjo rrugë, megjithatë, duket se është e mbushur me pengesa, të lidhura kryesisht me jetën e tij personale. Një hetim policor për marrëdhëniet e tij me biznesmenen amerikane Jennifer Arcuri dhe shumat marramendëse të derdhura në emër në kompanisë e saj ndërsa ishte kryetar i Londrës, mund të jetë më shqetësuesja. Sidoqoftë, në skenë është edhe divorci i tij i afërt nga gruaja e dytë Marina Wheeler. Sipas mediave të huaja, procedurat e divorcit mes Johnson dhe Wheeler janë zhvilluar me dyer të mbyllura, por…nuk dihet fundi.
Në maj, një sondazh për “Daily Mail” tregoi se 83% e konservatorëve nuk mendonin se dy martesat e tij të përfunduara e bënin Johnson të papërshtatshëm për të qenë kryeministër. Por ka shumë pikëpyetje, në rast se ish-zonja Johnson zgjedh një ditë të flasë, ndoshta për besueshmërinë e burrit që zgjodhi të linte. Si për të mos mjaftuar me kaq, kryeministri britanik është ndër të vetmit në botë që ende nuk i ka dhënë përgjigje pyetjes “Sa fëmijë keni?” Dihet se Johnson ka katër fëmijë të rritur me Wheeler. Por, në vitin 2003, lidhja e tij 4-vjeçare me gazetaren Petronella Wyatt, u rikthye në vëmendjen e publikut, pikërisht sepse ajo u prononcua për mediat se gjatë lidhjes kishte abortuar, si dhe kishte pësuar një të tillë. Në atë periudhë, Johnson e mohoi diçka të tillë. Nuk vonoi shumë që në vitin 2013, të raportohej se konsulentja e artit Helen Macintyre kishte lindur përpara tre vitesh një fëmijë me Boris, duke iu bazuar një vendimi gjykate, ku thuhej se publiku kishte të drejtë të dinte për ekzistencën e fëmijës.