Presidenca e Republikës ka bërë me dije se ceremonia e betimit të prokurorëve të emëruar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) do të zhvillohet ditën e enjte, në datën 19 dhjetor 2019, ora 09:30.
Gara për ngritjen e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është finalizuar më 25 Nëntor në ambientet e KLP-së, ku u emëruan 8 anëtarët e parë të kësaj strukture, të cilët do të betohen te Presidenti Meta në datën 19 Dhjetor, dhe më pas do të nisin nga puna.
Prokurorët Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Kaçkini, Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Braho janë prokurorët e parë të SPAK, të cilët kanë kaluar në një sitë hetimi në dy shkallët e Vettingut, ndërsa kanë rezultuar të pastër në tre shtyllat e hetimit, pasuri, pastërti figure dhe aftësi profesionale.
Njoftimi:
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, në përgjigje të kërkesës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Kryetarin e KLP-së, z.Gent Ibrahimi, në mbështetje të nenit 61 pika 2 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, ditën e enjte, në datën 19 dhjetor 2019, ora 09:30, organizon ceremoninë e betimit të 8 (tetë) prokurorëve të emëruar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).