Prokurori i Apelit ka kundërshtuar gjatë seancës dëgjimore gjetjet e KPK-së për pasurinë e vjehrrit, person i lidhur me subjektin që i ka dhënë përkohësisht në përdorim një apartament në Tiranë.
Nga Edmond Hoxhaj | BIRN | Tiranë
Prokurori i Apelit të Tiranës, Genti Xholi u përball të enjten më 5 dhjetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit KPK. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për prokurorin Xholi përbëhet nga Etleda Çiftja kryesuese, Firdes Suli relatore dhe Roland Ilia anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Mia Roessingh.
Genti Xholi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000, si prokuror në Prokurorinë e Tiranës, institucion të cilin e ka drejtuar për një periudhë kohe. Në vitin 2010, ai është emëruar prokuror në Prokurorinë e Apelit Tiranë, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë edhe pas 9 vitesh.
Sipas relatores Firdes Shuli, prokurori Xholi ka pasqyruar në deklaratën veting një akt noterial për trashëgiminë e përfituar nga gjyshi i ndjerë, truall me sipërfaqe 303 m2 dhe të një shtëpie. Sipas Komisionit, kjo pronë i përkiste gjyshit të prokurorit Xholi dhe është konkluduar se deklarimet e tij përputhen me dokumentacionet e verifikuara. Shuli tha se nuk rezulton që lidhur me këtë pronë të ketë konflikte për shkak të trashëgimisë.
Komisioni identifikon paqartësi për likuidimin e vlerës së një apartamenti me sipërfaqe 146.3 m2 të blerë për vlerën 4 milionë lekë në vitin 2010 në Pogradec. Sipas relatores Shuli, subjekti ka shpjeguar se 3 milionë i ka paguar kur ka lidhur kontratën, kurse 1 milion 15 ditë më vonë kur bashkëshortja ka marrë një kredi. Në fjalën e tij, prokurori Xholi sqaroi se kishte një diferencë kohore 15 ditë për një pjesë të vlerës, pasi shuma 3 milionë ishte depozituar në fillim. Ai pohoi se bashkëshortja punonte në Raiffeisen Bank dhe për këtë arsye e përfitonte kredinë për një kohë të shkurtër dhe pa kolateral.
Shuli tha se nga hetimi administrativ është konstatuar se në qershor të vitit 2016, vjehrri i ka dhënë prokurorit xholi në përdorim një apartament në Tiranë. Komisioni e ka konsideruar vjehrrin si person tjetër të lidhur dhe ka hetuar lidhur me këtë pasuri. Sipas relatores Shuli nuk është konstatuar konflikt interesi apo probleme të tjera në blerjen e këtij apartamenti në vitin 2013 për vlerën 7.5 milionë lekë.
KPK ka hetuar edhe për mundësinë financiare të vjehrrit të prokurorit Xholi për blerjen e këtij apartamenti, nga ka konstatuar se nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme. Shuli shpjegoi se është konstatuar se vjehrri i Xholit ka pasur 2.3 milionë lekë të ardhura nga aktiviteti i tij privat dhe nga fëmijët e tij mbi 6 milionë lekë të tjera. Por, Komisioni ka gjetur se babai i bashkëshortes së subjektit ka blerë edhe pasuri të tjera me vlerë 10.6 milionë lekë. Relatorja tha se prokurori Xholi ka dhënë sqarime të detajuara dhe ka paraqitur dokumente për të vërtetuar të kundërtën.
Lidhur me këtë gjetje, Xholi tha se e përdorte përkohësisht këtë apartament. Ai shpjegoi se në vitin 2016 ishte detyruar të largohej nga banesa ku ishte rritur e kishte jetuar me familjen e tij që kishte qenë pronë e gjyshit, pasi ishte sëmurur rëndë daja dhe kishte mbyllur aktivitetin e tij. “Daja mbylli aktivitetin se e kishte të pamundur dhe dy prej tre dhomave u kthyen në magazinë ku u vendosën gjithë mallrat, pasi magazinat e mëparshme i kishte pasur me qira. Në këto kushte nuk mund të qëndroja më aty dhe vjehrri ndihmoi vajzën e tij dhe mua në këtë rast që të qëndrojmë tek apartamenti i tij, pa qira”, shpjegoi prokurori Xholi. Ai theksoi se kunati e kishte vendosur këtë apartament si kolateral për të përfituar një kredi. Më pas Xholi shpjegoi se nuk kishte parë për apartament tjetër pasi ishte duke pritur që së bashku me bashkëpronaren, tezen e tij, të shisnin banesën e trashëguar nga gjyshi. Sipas Xholit, trualli dhe banesa gjenden në qendër të Tiranës dhe kanë një vlerë të konsiderueshme.
Lidhur me balancën negative të të ardhurave të vjehrrit, Xholi tha se i ishin drejtuar një eksperti kontabël i cili kishte konkluduar në një vlerë të ndryshme nga ajo e raportit të Komisionit. “Të ardhurat e kalojnë shumë herë vlerën e apartamentit”, tha ai.
Interesimit të vëzhgueses ndërkombëtare Mia Roessing lidhur me kohën e qëndrimit në apartamentin e vjehrrit dhe nëse paguante kompensim, Xholi ju përgjigj duke thënë se shlyente vetëm taksat, por se nuk paguante qira. “Nuk kam ndërprerë përpjekjet për të marr shtëpi me qira, por po përpiqemi të investojmë në pasurinë tonë”, theksoi Xholi duke ju referuar pronës së lënë nga gjyshi i tij.
Prokurori i Apelit Tiranë, Genti Xholi u vlerësua në përgjithësi pozitivisht për profesionalizimin. Por, Komisioni indetifikon një dosje të përfaqësuar nga ai në Gjykatën e Apelit Tiranë, ku kjo e fundit ka rrëzuar vendimin e shkallës së parë dhe të prokurorit që e ka hetuar çështjen duke urdhëruar kryerjen e veprimeve hetimore. Sipas relatores Shuli bëhet fjalë për pushimin e hetimit për një person të proceduar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen e një personi. Bashkëshortja e të ndjerit e ka ankimuar, por Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka lënë në fuqi vendimin e pushimit. Pasi e ka ankimuar në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit ka vendosur urdhërimin e prokurorisë të verifikojë pamjet e disa kamerave të sigurisë në vendngjarje. Prokurori Xholi tha se nuk ishte ai përgjegjës për kryerjen e këtyre veprimeve hetimore, por prokurori i prokurorisë së rrethit. “Aksidentet hetohen bazuar në aktin e ekspertimit. Ekspertët nuk ngrinin dyshime si ato që pretendohen nga ankuesi. Isha i bindur se nuk kishte elementë të tjerë për tu verifikuar dhe dolëm në përfundimin se viktima kishte qenë shkaktari i aksidentit”, pohoi prokurori Xholi gjatë seancës dëgjimore.
Përsa i përket pastërtisë së figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK dhe Komisioni e konsiderojnë Xholin të përshtatshëm për të vazhduar detyrën.
Në fund të seancës dëgjimore, prokurori Genti Xholi e cilësoi procesin e rivlerësimit si “mjaft sqarues”. “Ka pasur paqartësi se edhe unë s’kam qenë i qartë. Komisioni ka qenë mjaft objektiv dhe i qartë. Pyetjet kanë qenë tërësisht të qarta. Kërkoj të vlerësohem objektivisht dhe të konfirmohem në detyrë”, përfundoi prokurori Xholi. KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 10 dhjetor, ora 09:15.