Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi këtë të premte vendimin për të shkarkuar nga detyra gjyqtarin pranë Gjykatës së Apelit Durrës, Arben Vrioni.
Trupi gjykues që shqyrtoi rastin e Vrionit, kryesohej nga Firdes Shuli, relatore Pamela Qirko, anëtare Alma Faskaj dhe vëzhgues i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Hans Kijlstra.
Vrioni u shkarkua nga detyra për shkak të problemeve të theksuara me pasurinë.
Vrioni ishte aktualisht anëtar i trupës së Gjykatës së Krimeve të Rënda të Apelit që po shqyrton çështjen ndaj Emiljano Shullazit dhe të tjerëve
KPK njoftoi gjatë seancës dëgjimore të mbajtur të enjten ndaj gjyqtarit Arben Vrioni, se pretendimet e këtij të fundit rreth gjendjes shëndetësore dhe kërkesa për shtyrjen e seancës u gjetën të pabazuara në prova dhe ligj.
Vrioni i cili ia doli me një sërë kërkesash të shtynte seancën e parë ditën e mërkurë, nuk bëri kërkesa shtesë të enjten. Ndërsa KPK, që njoftoi edhe ngritjen e një trupe të gatshme për të shqyrtuar kërkesat për përjashtim, mori njëri pas tjetrit vendime që rrëzonin pretendimet e tij, duke lënë të kuptohej se nuk do të toleronte zvarritjen e procesit.
Trupi gjykues që shqyrtoi rastin e Vrionit, kryesohej nga Firdes Shuli, relatore Pamela Qirko, anëtare Alma Faskaj dhe vëzhgues i ONM-së Hans Kijlstra. Relatorja Shuli vuri në dukje një sërë problemesh në pasurinë e gjyqtarit, përfshirë transaksione që u cilësuan të dyshimta dhe mungesë burimesh financiare për disa vite në shumë totale prej 9.3 milion lekësh.
Nga relatimi u kuptua se Vrioni kishte probleme me një kontratë për blerjen e një apartamenti në fillim të viteve 2000, mungesë burimesh të ligjshme për një apartament të dytë, një transaksion “të dyshimtë” me baxhanakun për të paguar shkollën e vajzës dhe një sërë problemesh të tjera të pasurisë.
Vrioni bëri një mbrojtje emocionale. Ai përmendi prejardhjen nga një familje e njohur shqiptare dhe tha se kishte trashëguar prona që i kishin mundësuar pasurinë, ndërsa theksoi se parardhësit e tij kishin firmosur deklaratën e pavarësisë. Ai vuri në dukje se nëna e tij kishte trashëguar pasuri dhe kishte marrë të ardhura nga kjo pasuri që i ishin dhuruar atij. Ai u bë emocional ndërsa foli për financimin e arsimit të vajzës në SHBA, ndërsa përmendi disa herë rezultatet e saj të shkëlqyera në shkollë.
Qirko gjatë relatimit dhe më pas në pyetje e përgjigje vuri në dukje se për blerjen e një apartamenti në vitin 2004 në Elbasan ishin një sërë kontratash që nuk përputheshin me njëra tjetrën. Sipas Qirkos blerja ishte nisur nga nëna e Vrionit në vitin 2002 e cila kishte paguar një kapar 1.5 milion lekë, ndërsa banesa ishte vlerësuar në kontratë 4.5 milion lekë.
Kontrata ishte mbyllur dy vjet më vonë nga vetë Vrionin i cili kishte blerë shtëpinë për 1.9 milion lekë. Qirko tha se nuk kishte asnjë shenjë në kontrata se çfarë kishte ndodhur me kaparin dhe e quajti atë të djegur, pasi nuk ishin përmbushur kushtet e kontratës. Po ashtu ajo pyeti Vrionin se çfarë kishte ndodhur dhe pse ishte ulur çmimi i shtëpisë nga 4.5 milion në 1.9 milion.
Vrioni i cili kishte shpjeguar se kjo pasuri ishte blerë me të ardhurat që nëna e tij kishte marrë nga shitja e një prone në Gjirokastër, pretendoi se kapari nuk ishte humbur, por ai nuk dha shpjegim mbi diferencën në çmim dhe as për mungesën e dokumentimit të asaj që kishte ndodhur me kaparin.
Pasi KPK pretendoi se nëna e tij nuk kishte pasur të ardhura për të ndihmuar në blerjen e apartamentit, Vrioni këmbënguli se ndërsa 26 mijë USD nga shitja e një pasurie në Gjirokastër ishin ruajtur në bankë deri vonë, shuma tjetër prej 30 mijë USD ishte vënë në qarkullim nga babai i tij dhe ishte trefishuar. Vrioni tha se nuk mund ta provonte këtë me dokumente, por tha se i ati ishte një prej ekonomistëve të respektuar.
KPK nga ana e saj vuri në dukje se një shumë e deklaruar fillimisht si dhuratë nga nëna e bashkëshortes, ishte deklaruar më vonë si kursim familjar. Vrioni tha në seancë se kishte një lapsus, por se shuma ishte dhurim nga vjehrra.
Komisioni nga ana tjetër vuri në dukje se duke u nisur nga mungesa e dokumentimit dhe nga mospërputhjet rezultonte që deri në dhjetor 2003, Vrioni kishte mungesë burimesh të ligjshme për një shumë prej 6.3 milion lekësh.
Probleme po ashtu u vunë në dukje edhe për blerjen e një makine në vitin 2016. KPK tha se nga hetimi kishte rezultuar se blerësi i parë kishte paguar rreth 16 mijë euro në total për automjetin dhe vetëm pak ditë pasi kishte paguar doganën për të ia kishte shitur për 900 mijë lekë një kompanie me justifikimin se kishte defekt në motor. Vrioni e kishte blerë këtë makinë për 12 mijë dollarë edhe pse sipas KPK kishte tërhequr para blerjes 20 mijë dollarë nga një llogari bankare. KPK vuri në dukje se kishte “dyshime të arsyeshme se tërësia e këtyre veprimeve ishte bërë për të fshehur vlerën reale të mjetit”.
Vrioni tha se ai nuk kishte dijeni për transaksionet para se ai ta blinte makinën. Ai tha se mjeti nuk kishte defekt të rëndë dhe se për shkak të punës që kishte bërë ai e njihte mirë motorrin dhe kishte gjykuar se për çmimin që i shitej makina ishte në rregull. Ai tha se defekti i makinës ishte ndezja e një sinjali që tregonte difekt në motorr.
Një transaksion i ngjashëm në vitin 2009 po ashtu u gjet i vështirë për tu shpjeguar nga Vrioni. Relatorja tha se ai kishte marrë borxh nga baxhanaku një shumë prej 25 mijë paund për të paguar shkollimin e të bijës në Britani, ndërsa vetëm pak ditë më vonë nëna e tij i kishte dërguar baxhanakut 35 mijë dollarë. Sipas Komisionit u krijuan dyshime se Vrioni i kishte kthyer pas baxhanakut borxhin e marrë në paund vetëm pas dy javësh. KPK tha se kishte disa deklarime kontradiktore në këtë pikë.
Vrioni pretendoi se shuma prej 35 mijë dollarësh ishte pasuri e baxhanakut dhe se ai i kishte lënë në Shqipëri me qëllim që të blinte një shtëpi. Ai tha se të afërmit ishin përpjekur për të gjetur shtëpi, por pasi kjo nuk kishte qenë ë mundur paratë ishin kthyer.
Relatorja këmbënguli në këtë pikë të kuptonte se pse kur paratë kishin qenë në Shqipëri ai i kishte marrë baxhanakut 25 mijë paund në bankë dhe pse paratë baxhanakut ia kishte kthyer nëna e tij e cila në fakt nuk kishte lidhje me të. Vrioni u përpoq të shpjegonte këtë me një seri veprimesh.
Ai tha duke u bërë emocional se e bija ishte nxënëse e shkëlqyer, por se për shkak të dokumentave ai nuk kishte mundur ta çonte që në fillim në SHBA për në shkollë të mesme. Ai tregoi detaje familjare duke thënë se vajza kishte qarë “nga Rinasi në Rrogozhinë” kur ishte kthyer nga SHBA. Më pas ia tha se ajo kishte fituar mundësinë për të studiuar në Britani, por sipas tij prindërit e tij nuk ishin dakord dhe ai nuk mund të përdorte për këtë llogarinë bankare të përbashkët me të ëmën edhe pse në të ishin shuma të mjaftueshme parash. Ai tha se për këtë i kishte kërkuar ndihmë baxhanakut.
Pyetjes së relatores se pse nuk kishte përdorur paratë që ndodheshin aktualisht në Shqipëri, Vrioni që pranoi se kishte dijeni për përpjekjet për të blerë shtëpi nga baxhanaku dhe që edhe vetë ishte angazhuar në këtë, tha se ai nuk kishte pasur dijeni sa ishin këto para.
Vrioni iu përgjigj në mënyrë të mjegullt arsyes se pse transferta ishte bërë nga nëna e tij. Ai tha se paratë e baxhanakut i kishte mbajtur vjehrra, por se nëna e tij ishte më e re në moshë dhe kishte kryer transfertën.
Vrionit po ashtu ju vunë në dukje edhe probleme të tjera me pasurinë, ndërsa u tha se një pjesë e saj përfshi një sasi të ardhurash të vendosura në bankë si obligacioni ishin gjetur në rregull dhe me burime të ligjshme. Po ashtu ndërsa u tha se i ishin kërkuar informacione për të ardhurat e të bijës në SHBA, u la të kuptohej se nuk ishin gjetur probleme pasi ishin depozituar të dhënat e pagesës së taksave prej saj.
Vrioni kundërshtoi analizën financiare, që e nxirrte me bilanc negativ. Ai tha se ekspertët kishin bërë gabime në përllogaritje dhe i tha trupës se ndërsa nuk ishte për fajin e tyre ata duhej të kontrollonin të dhënat nga ekspertët. Ai kundërshtoi po ashtu disa gjetje edhe pse pranoi se për disa të ardhura nuk kishte dokumentacion. Disa herë ai tha se nuk mund të fliste për rrethanat pasi në sallë kishte media, ndërsa përmedni se vjehrra kishte bërë para duke ofruar kurse matematike.
Disa herë Vrioni iu referua të shkuarës së familjes së tij. Ai tha se gjyshi i tij ishte pushkatuar pa gjyq, ndërsa po ashtu pretendoi se ende familja e tij nuk kishte marrë pas gjithë pasurinë e sekuestruar.