Nga Boldnews.al
Presidenti Ilir Meta nuk e fshehu skepticizmin ndaj organit të Akuzës, kur u shpreh të Premten se “shpreson që Prokuroria të nisë hetimet për Ardian Dvoranin”, pas kallëzimit që kreu i Shtetit pritet të dorëzojë të hënën pranë Prokurorisë për Krime të Rënda.
Skepticizmi i Metës duket i përligjur, duke mbajtur në konsideratë se në krye të Krimeve të Rënda është Donika Prela, e cila ka dhënë prova se nuk kryen hetime ndaj funksionarëve të lartë të maxhorancës socialiste ose personave të tjerë të lidhur ngushtë me qeverinë.
Dhe, gjyqtari i Gjykatës së Lartë dhe njëkohësisht kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, është një zyrtar i lidhur ngushtë me socialistët në pushtet. Presidenti Meta, më herët gjatë javës që po mbyllet, e etikoi Dvoranin si “ushtari i Partisë”,
Meta njoftoi në një konferencë të posaçmë për median mesditën e së Premtes se, në cilësinë e Presidentit të Republikës dhe si qytetar, do të dorëzojë në fillim të javës një kallëzim penal kundër Ardian Dvoranit për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “përvetësimit të titullit a detyrës shtetërore”.
Presidenti prezantoi në publik, faktet, sipas tij, të cilat ngarkojnë me përgjegjësi penale kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe që lidhen me procedurat e ndjekura për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Kallëzimi pritet të dorëzohet në Prokurorinë për Krime të Rënda. Kjo prokurori është kompetente për hetimin e akuzave penale ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë, përfshirë edhe anëtarët e Gjykatës së Lartë, siç është rasti i Dvoranit.
Pra, kallëzimi i Metës ndaj Dvoranit do të shqyrtohet nga institucioni i drejtuar prej Donika Prelës, të paktën deri në krijimin e Prokurorisë së Posaçme.
Donika Prela dhe vartësit e saj besnikë në strukturën që drejton, teorikisht, kanë të gjitha mundësitë ligjore për t’i bërë një “nder të fundit” maxhorancës socialiste, duke vendosur mosfillimin e procedimit penal për Dvoranin.
Kodi i Procedurës Penale parashikon që prokurori mund të vendosë mos-fillimin e procedimit penal brenda 15 ditëve nga regjistrimi i kallëzimit penal. Për vendimet e mos-fillimit, prokurorisë nuk i nevojitet konfirmimi në gjykatë.
Pra, ekziston mundësia teorike që institucioni i drejtuar nga Donika Prela të vendosë mos-fillimin për kallëzimin e Metës ndaj Dvoranit brenda 15 ditëve, duke shndërruar në “nul” të gjithë investimin e Presidentit të Republikës për të identifikuar shkeljet ligjore nga ana e kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Një vendim mos-fillimi i menjëhershëm do të ndikonte që në opinionin publik të shpërndahej idea se Meta nuk ka pasur të drejtë në faktet e renditura ndaj Dvoranit. Mekanizmat propagandistikë qeveritare do të aktivizoheshin, për të forcuar idenë se lëvizja e Metës ndaj Dvoranit është e natyrës politike.
Megjithëse procedurialisht, Presidenti ka të drejtën e ankimimit ndaj vendimit të mundshëm të mos-fillimit të hetimeve, sërish kjo lëvizje do të dukej si “këmbëngulje personale” e Metës, duke sfumuar publikisht të gjithë argumentat e tij kundër Dvoranit.
Pra, duket se “përplasja e fortë” Meta-Dvorani do të mbetet në vlerësimin e Donika Prelës, e cila, nga ana e saj, shpreson të ketë në duart e saj sa më shumë raste për të treguar vullnetin pozitiv ndaj maxhorancës, sidomos tashmë që nuk i ka mbyllur llogaritë me Vetingun dhe pret të përballet me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA).