Në këto pamje duken hetuesit e policisë shkencore që kryejnë kontrollin e automjetit që drejtohej nga Andi Maloku, shoferi i prokurorit.
Ende nuk ka konfirmim zyrtar për përmbajtjen e materialeve pasi po verifikohen nga grupi hetimor, ndërsa ka dyshime të forta se dosjet që Prokurori Ndoj mbante në makinë lidhen me çështjen e pronave në Gjirin e Lalzit.
Kjo është pista kryesore e ngritur nga grupi hetimor për atentatin ndaj prokurorit, ndërsa një tjetër version që po hetohet është që përmbajtja e këtyre dokumenteve lidhet me ato të grabitura në prokurorinë e Durrësit në maj të vitit të shkuar.
Edhe ato materiale të cilat humbën pa gjurmë rezulton se mungojnë në dosjet që Prokuroria e Durrësit po heton në lidhje me abuzimet për pronat në bregdet.
Për atentatin ndaj prokurorit Ndoj dhe dy personave që e shoqëronin, Policia e Shtetit ka arrestuar 34-vjeçarin Redjan Rraja, i afërm i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja. Ndalimi i tij u bë pas provave të sekuestruara dhe nga dyshimet e arsyeshme si një nga autorët e mundshëm të plagosjes me armë të prokurorit dhe dy shtetasve të tjerë.
Arrestimi i tij erdhi pas kontrolleve të ushtruara gjatë mbrëmjes së djeshme dhe paradites së sotme në banesat e Krujës të Durrësit dhe të Tiranës, me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai tentoi të largohej nga Shqipëria në një prej pikave kufitare të qytetit të Shkodrës. Policia bën me dije se u lejua kontrolli i banesave të 11 shtetasve me banim në Krujë dhe të katër shtetasve me banim në Tiranë dhe në Lushnjë.