Nga Agron Gjekmarkaj
Një prej atyre mëngjeseve të shtatorit të vitit 2014, në vigjilje të vizitës së Papa Françeskut në Tiranë bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u zgjua i mbushur me portretet e martirëve të Kishës Katolike Shqiptare. Nuk ishin të gjithë! Mungonte At Anton Harapi e të tjerë, por ishin mjaftueshëm për t’i dhënë asaj lugine pamjen e një honi të kujtesës sonë së përgjakur. Ajo ishte një gjetje e Edi Ramës, ndër më të suksesshmet e tij, vetë shkëlqimi!
Befasisë dhe emocioneve nuk u shpëtoi as Ati i Shenjtë. Shumëkush mendoi se Kryeministri, prej një viti në detyrë, po vendoste një marrëdhënie të re me të ardhmen, duke lexuar në mënyrë krejt origjinale të shkuarën. Katolikët, të cilët në këtë vend përpjekjet për mbijetesë identitare e kulturore i kanë pasur së paku dyfish më të shumta se bashkatdhetarët e tjerë, për arsye rrethanash, historike e ideologjike, u përkëdhelën disi në sedër. Ndonjërit syresh, Edi Rama i dukej si Injacio la Jola pas ngritjes nga lëngata e krevatit, drejt themelimit të urdhrit të ri. Por nuk patëm vonesë shumë, s’na la gjatë të presim, rruga nga fjalët te faktet qe teposhte dhe e shkurtër. Elaborimi i historisë së katolicizmit, herë pas here, është në modë për politikanet shqiptarë, që asgjë të krishterë nuk kanë në formim për t’u dukur simpatikë e të veçantë përballë botës perëndimore. Një kompleks u rri në kokë si nyje gordiane.
Ndonjëherë ia kanë dalë të bëjnë përshtypje. Rasti i Ramës është më paradoksali. Nëse përballë Papës i duheshin martirët e besimit dhe të lirisë, historia e Pal Engjëllit, Skënderbeut, Buzukut, Barletit, Beçikemit, Budit, Bogdanit, Bardhit, Fishtës, Mjedës, At Zef Pllumit apo e Mikel Koliqit, Ernest Troshanit dhe mbi të gjitha e Nënë Terezës, atje ku është humusi historik i këtyre, vendosi si përfaqësues personazhe të hurit e të litarit, me lidhje organike me botën e krimit, me justifikim se ai milet atë terbiet do, duke e thënë troç në një studio televizive. Askush nuk e ka përzhitur imazhin e popullsisë katolike sa Edi Rama. Ky është dualizmi tipik hipokrit i Kryeministrit tonë. Të tjerët janë tallur pak më me delikatesë, por janë tallur, ama, duke gjetur idiotë të padëmshëm, pa shtyllë kurrizore me mbiemra prelatësh.
Përsëri në ajrinë e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” u shfaqën portrete dëshmorësh të Luftës së Dytë Botërore. Një gjë duhet thënë në krye të herës: Dikujt që ka dhënë jetën për këtë vend, nuk mund t’i kërkosh asnjë llogari. Më shumë se jetën, askush nuk i ka borxh as vendit e as idesë që ndjek, për të cilën edhe bie! Ne jemi rritur me abuzimin dhe hiperbolën, me mitin e tyre tejet të keqpërdorur, për të justifikuar diktaturën e dhunën e saj, diktatorin pizeveng dhe gëlbazat e tij në çdo nivel, pushtet, arsim, kulturë e kudo. Por, ata nuk kanë asnjë faj. Luftuan, besuan dhe u vranë! Çdo anatemim ndaj tyre është gabim dhe mosmirënjohje. “Një komb që nuk nderon dëshmorët e tij, është i destinuar të ketë një të ardhme të zymtë”, deklaronte At Gjon Shllaku pak para se të flijohej nga një togë plutoni në vitin 1946!
Në këtë kontekst, Kryeministri ka bërë prapë mirë. Por, sërish lind një problem etik. Kur Kryeministrit i duhej ose shpresonte e besonte se do të çapitej drejt Europës, përdori martirët pro europianë të antikomunizmit. Tani, teksa Europa e ka zbuar për mospërputhje të plotë ushtrimi të pushtetit, ai kërkon të strehohet te baza ideologjike, e cila simbol ka Gramoz Ruçin. Kjo i duhet për mbijetesë. Trajektorja e “Kryerilindasit” është përsëri tronditëse për nga etika historike. Në vitet e para të pluralizmit, duke lënë shenjën kryesore te libri “Refleksionet”, ai dukej mjaft i ndershëm në analizën që i bënte Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, rolit të jugosllavëve në formimin e PKSH, gënjeshtrave në shkrimin e historisë, përmasave të luftës civile e vëllavrasëse! Madje, ai tallej deri në tepri.
Por ato i ka harruar, përgënjeshtruar. Lidhja me Bllokun është aksi i sigurt për të bërë karrierë në Partinë e tij Socialiste! Fëmijët e kësaj lagjeje të ndyrë i ka në të gjitha nivelet, pa harruar lidhjen e tij me këtë zonë të ndaluar të lirisë. Ata nuk kërkuan kurrë falje për asgjë, pastaj të bënin karrierë. Ata janë krenarë për krimet. Kulti i “krimit të dobishëm” mbijeton mes tyre. Ai, të vetëve, së paku do duhej t’u kërkonte ndjesë për ato që ka thënë në vitin 1991, megjithëse, s’ka nevojë se ia falin të gjitha për hir të pushtetit. Shqipëria po përgatitet të festojë 75-Vjetorin e Çlirimit në mesin e një krize të rëndë politike.
Në qiellin e “Dëshmorëve të Kombit” do të duhej të ishin edhe nacionalistët që dhanë jetën e mbi të gjitha, ata qindra e mijëra që pësuan gijotinën e pasluftës, të gjithë ata që në emër të lirisë luftuan tiraninë.
Paradoks i madh, të rënët që sot i kanë portretet lart të varura në re, luftuan për lirinë e na erdhi tirania. Ndërsa vendosja në qiell e atyre që kanë lyer duart me gjak, të njohur e të vërtetuar si kriminelë, është një atentat ndaj humanizmit dhe ndaj viktimave të regjimit. Një provokim i fëlliqtë. Nuk nxirren dot nga ferri ku i ka futur mizoria që bënë vetë, duke i varur me konop në “parajsën” e Edi Ramës pemëve të Tiranës. Sa më lart t’i ngrenë, po kaq trishtueshëm na bie mbi kokë hanraku i diktaturës! Kjo është syshkelje! Ju mos më lëshoni se nuk ju lëshoj pa për krimet hallall.
Kryeministri kërkon ndihmë nga idealistët e vdekur për të mbajtur pas rrotën e komunizmit, e bën pa skrupuj, e bën shpesh, e bën sa herë t’i nevojitet. Por nuk është i vetëm në këtë hipokrizi. Shoqëria në vetvete s’ka bërë asnjë akt emancipimi ndaj së kaluarës. Koka dhe shpina e saj janë përkulur me shpresë se dekadat e zbusin peshën e krimeve dhe të fajeve. Ende ajo nuk është e gatshme të pranojë një Kryeministër apo President nga radhët e të persekutuarve politikë.
Në dy raste kur Kryetari i Parlamentit vinte nga kjo shtresë, një gjest për t’u konsideruar, sot ngjan më shumë si një kalkulim elektoral përfaqësimi sesa emancipim i përgjithshëm social. Mentaliteti është ky: ja ne u japim të persekutuarve kaq vende apo një vend, po ama në thelb përemri mbetet “NE”. Shkrimtari italian, Antonio Pennacchi, autor i librit bestseller “Kanali Musolini”, pat thënë në Tiranë “diktaturat fillojnë si vullnet i pakicës mbi shumicën dhe me kalimin e kohës shndërrohen në sundim i shumicës mbi pakicën”. Në këtë ekuacion shtrihet edhe drama e shoqërisë shqiptare. Ajo luan me të vdekurit e vet, e pazonja që të ballafaqohet me zuzarët e gjallë.
Duhet harruar dështimi me hapjen e negociatave, duhet një spektakël i ri, duhen këto portrete e të tjera, le të hahemi me njëri-tjetrin për datën 28 e 29, zhurmë, sa më shumë zhurmë për qetësinë kryeministrore. Na e di vesin, ndaj na e hedh kockën.
/Panorama