Nga Boldnews.al
Ajo që po ndodh në Shkodër është mishërimi më i mirë i një kaosi të rëndë të pushtetit në vend. Zyrtarët janë kthyer në banda, u mungon maska në fytyrë, arma në duar dhe thesi që fusin paratë e grabitura. Forma ndryshon, qëllimi është i njëjtë.
Lobet e forta brenda Rilindjes sot po hanë shoshoqin dhe janë gati në shpërthimin e një “konflikti civil” brenda institucioneve të shtetit, që i ka zaptuar të gjitha pushteti aktual. Administrata qendrore dhe lokale ka vetëm një kontroll dhe ajo është kupola drejtuese e qeverisë.
Në Shkodër, partia nuk ekziston më si strukturë. Socialistët janë shpërndarë, po grinden mes tyre për poste drejtuese, për gllabërimin e asaj pjese të mbetur të resurseve, për influencë nga poshtë lart. Ka të paktën tre grupime që ndajnë “plaçkën” dhe prej muajsh janë në përplasje të fortë mes tyre. Për këtë situatë, kryeministri Edi Rama thirri deputetët dhe drejtues lokal të veriut të vendin në fundjavën e kaluar. Deputeti Paulin Sterkaj ishte më i drejtëpërdrejtë kur ia tha në sy kreut të qeverisë se “postet e drejtorëve janë kthyer në tendera”.
Në takim nuk pati dakordësi për emërime drejtorësh lokal, apo për riorganizimin e partisë dhe në fund kryeministri Rama vendosi që ti emëronte vetë drejtuesit, duke paralajmëruar një mbledhje këtë të hënë, por edhe ajo u shty për nesër, tenderat vijojnë, gara është ende e hapur…
Kriteret që Rilindja ka vendosur për poste drejtuesish nuk lidhen me arsimin që kanë kandidatët, integritetin e lartë moral, përfaqësimin intelektual apo qytetarinë e mirë. Fiton ai që ka influencë, fis të madh, biznese, që di të ndajë në mënrë të “drejtë” paranë publike për grupimet e vogla të individëve të pushtetshëm. Me këto kritere të favorizuar janë edhe personazhe me të shkuar kriminale, mundësisht në trafikun e drogës, apo të fortët e zonës.
Në mbledhjet e shumta që zhvillohet brenda Rilindjes drejtuese nuk pyetet si jetojnë qytetarët, çfarë problemesh kanë, sa është numri i të larguarve jashtë vendit, si është gjendja e rendit dhe shëndetësisë, kush janë hallet e fermërëve dhe të tjera çështje sociale që duhet të jenë puna kryesore e një qeverisje. Jo, sot po diskutohet se kush do jetë drejtori i radhës, cili lob brenda llojit do dominojë dhe kush do dalë mbi të tjerët si “pashai i Veriut”.
Efektet po ndihen edhe në zona të tjera si në Elbasan, Durrës dhe Vlorë. Paraja u rrëmbyer nga tenderat, trafiku, korrupsioni dhe influenca e paligjshme ka forcuar grupime të shumta që nën mbrojtjen e pushtetit nga qehallarë të vegjël, u kthyen në agallarë lokal, me tendencë për të shtrirë edhe “pashallëqet” e tyre.
Në pesë Kadastra të vendit ka vështirësi të madhe për të gjetur drejtorë. Rasti më tipik është Vlora e cila vetëm brenda një muaji ndërroi katër drejtues. Askush nuk e mbante postin gjatë, edhe pse luftuan me të gjithë format për ta marrë. Rivalët i kërcënonin sapo ata merrnin drejtimin. Drejtuesit e mëdhenj që vinin nga kupola kryeministrore u kërkonin drejtorëve të jepnin certifikatë pronësie një biznesmeni pranë pushtetit në zonën e lakmuar të bregdetit të Jalit. Dhe flitet se ka zënë disi vend kjo kasadastër, të paktën për pak kohë, ndoshta mund të gjejnë ende kamikazë politik që shkelin ligjin dhe i bëjnë nder një më të pushtetshmi në qendër.
Në Durrës po grihen, sharane, shantazhohej e madje edhe kacafyten brenda bashkisë dhe në institucioneve të tjera për të emëruar persona të ndryshëm në nivel drejtuesish. Vërtetë Gjushi iku, por ai është po aty, me tarafin e tij, me të fortët përqark vetes, por edhe drejtuesit e rinj kërkojnë të shtrijnë influencën. Luftë e madhe “parimore” mes tyre…
E njëjta situatë është edhe në Elbasan, Vlorë dhe rrethe të tjera. Zyrtarë dhe ish-zyrtarë janë bërë njësh me elementë të botës së krimit, ku për një grusht vota më shumë që shpinin për pushtetin e Rilindjes, sot trafikantët kërkojnë haraçin e tyre.
Nuk do jetë aspak çudi që në zyrat e shtetit të thyejnë nofullat e njëri-tjetrit me grushta apo akoma më rëndë të plasë koburja. Të gjithë duan të pasurohen duke të treguar si meritë atë tesërën e PS-së që ia kanë humbur vlerën duke e kthyer si “patentë Rilindjeje”. Resurset e vendit po shterojnë nga makutëria e gjashtë viteve.
Çështja është se po paket gjithnjë e më shumë burimi i parasë dhe Rilindasit që dallohen që në pamje të jashtme, ata të veshurit shtrenjt, me parfum firmato, me telefonë të markave të njohura prodhime të muajve të fundit dhe pa e ndarë nga qafa atë çantën e vogël të lëkurës me rrip të hollë, kërkojnë edhe më shumë para dhe influencë, duke marrë edhe pikën e fundit të djesës së tatimpaguesve.