Shtyhet për herë të dytë radhazi vendimi i gjykatës së Krimeve të Rënda për Marjana Çmetën, nën hetim për akuzën e vrasjes së vjehrrës.
Ashtu si të hënën e 21 tetorit, edhe sot vendimi u shty pasi çështja nuk ka një prokuror. Besnik Muçi, prokurori që ka ndjekur hetimet, tanimë është anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Trupa gjykuese ka deklaruar se nuk është njoftuar ende për prokurorin e ri të çështjes.
Prokurori Muçi, në pretencën e tij, ka kërkuar 35 vite burg për Çmetën.
Sipas hetimeve, 21-vjeçarja, më 30 prill të 2018-ës, helmoi dhe mbyti vjehrrën e saj Lirie Lami në Kamëz. Ngjarjen e rëndë, Marjana Cmeta e ka rrëfyer para hoxhës Hysen Shehu ku tregoi se si e mashtroi vjehrrën 48-vjeç për të pirë “lëngun magjik”, që në fakt ishte fostoksinë, në mënyrë që ato të mos konfliktoheshin më.
Olti Lami, djali i viktimës dhe ish-bashkëshorti i autores së krimit është personi që e ka parë me video rrëfimin e ish-gruas, pasi hoxha e kishte rregjistruar. “I kishte thënë që këtë lëng e kanë pirë të gjithë dhe se do na bënte mirë për të mos patur probleme. Ajo i tregonte hoxhë Hysenit që erën e fortë që kishte patur lëngu për shkak të helmit, e kishte justifikuar tek mamaja duke i thënë asaj që erën e ka për shkak se e kishte bërë Hoxha dhe e kishte siguruar që e kishin pirë të gjithë. Marjana në video thotë se pas një ore nga momenti që i kishte dhënë lëngun, kishte shkuar tek dhoma e mamit për ta parë dhe aty e kishte gjetur të shtrirë në cepin e krevatit dhe se mamaja e kishte parë me shikim të vrazhdë, për këtë shkak Marjana kishte menduar se nuk kishte bërë efekt helmi. Pas kësaj Marjana shpjegon se kishte shkuar tek dhoma ku flinin dhe kishte marrë një shall dhe ja kishte lidhur në fyt për ta mbytur. Mamaja kishte dashur të hapte dritaren e dhomës për të thirrur për ndihmë, por Marjana e kishte kapur dhe nuk e kishte lënë të bërtiste dhe të hapte dritaren. Marjana shpjegon se e kishte kafshuar mamanë pa vetëdije dhe se ishin kacafytur në korridorin e shtëpisë dhe shpjegonte se mamaja kishte patur shumë fuqi”.
Nusja me vjehrrën ishin zënë fizikisht 5 muaj para se e reja ta helmonte. Vetë djali i të ndjerës që pas ngjarjes u divorcua me nusen, thoshte se ajo ja kishte kapur nënën për flokësh dhe e gjuante dhe se ka ndërhyrë ai për t’i ndarë.
Rrëfimin e ftohtë e regjistroi hoxha në xhaminë e Qytet Studentit dhe më pas ka vënë në dijeni djalin e të ndjerës, Oltjan Lamin i cili pasi e ka parë videon ka bërë denoncimin në Prokurorinë për Krime të Rënda, pasi vet hoxha nuk e kishte raportuar në autoritete këtë ngjarje.
E reja i ofroi vjehrrës një lëng portokalli në të cilin kishte hedhur helm minjsh, duke ja paraqitur si një lëng të përgatitur nga hoxha në mënyrë që të merrnin fund sherret mes tyre.
Më pas duke parë që viktima nuk po ndërronte jetë, nusja ka kryer dhe veprime fizike duke e mbytur me shall dhe pas reagimeve të viktimës e ka kafshuar në fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit. Më pas ka njoftuar vëllain e burrit të viktimës, banesa e të cilit ka qenë pranë dhe e kanë transportuar për në spital duke e paraqitur si të vetëhelmuar.