Emiljana ka udhëtuar nga Kreta dhe ka ardhur në studion e “Ka një mesazh për ty” në ‘E Diela Shqiptare’ në Tv Klan, për të kërkuar kushërirën e saj, vajzën e xhaxhait.
Pas 33 vitesh ka mësuar se xhaxhai i saj ka një vajzë nga martesa e parë. Tridhjetë e tre vite më parë, xhaxhai i saj u divorcua dhe u largua nga Shqipëria për të emigruar drejt Selanikut në Greqi. Aty u martua sërish dhe krijoi familje.
Por në Shqipëri kishte lënë vajzën e tij, të cilën kur e kishte parë për herë të fundit ishte 2 vjeç e gjysmë. Nuk dihen arsyet përse gjatë gjithë kësaj kohe nuk ishte kujtuar për vajzën nga martesa e parë, por sot mbesa e tij ka marrë përsipër misionin për ta gjetur.
Emiljana tregon se ka biseduar edhe me xhaxhain dhe ky i fundit është dakord që të gjejë vajzën e tij të parë. Ata dinë vetëm se quhet Blerina dhe nuk kanë shumë informacione të tjera.
Emiljana: Unë para një viti kam marrë vesh një të vërtetë, nuk e dija më parë..
Ardit Gjebrea: Çfarë more vesh?
Emiljana: Më flet mamaja ime dhe më thotë që ti nuk di diçka dhe i them: Po mund të ma thuash,,. Më thotë që xhaxhai jot ka qenë i martuar vite më parë dhe nga kjo martesë erdhi një vajzë në jetë.
Ardit Gjebrea: Xhaxhai jot?
Emiljana: Po xhaxhai im, i madhi. Pastaj mbas kësaj, u ndanë, nuk shkoi shumë martesa e tyre. Krijoi një martesë të dytë, lindën dy fëmijë..
Ardit Gjebrea: Xhaxhai yt?
Emiljana: Po! Kanë një familje të mrekullueshme, por mua më vriste ndërgjegjia ime nëse nuk do ta kërkoja kushërirën time sepse mbi të gjitha është gjaku im dhe doja të dija ku jeton, si është, nuk e njihja fare absolutisht. Interesohem nëpërmjet internetit, në Vlorë jam interesuar, nuk kam marrë informacion aspak, ku ndodhet, si është, ku jeton, nuk dija asgjë nga këto. Pastaj arrita të komunikoja me emisionin tuaj dhe jam sot këtu. Por doja të thoja që e konsideroj si motrën time, dua shumë që ta njoh, e kemi kërkuar dhe babai i saj po ashtu. Ka folur me mua, më ka thënë nëse ti do ta gjesh e ke dhe nga ana ime kërkimin, se unë nuk e kam atë mundësi që ta kërkoj por duhet ta kërkosh ti. Folëm, e diskutuam dhe vendosëm që ta kërkojmë.
Ardit Gjebrea: Ti besoj duhet të dish disa të dhëna?
Emiljana: Pak a shumë, sepse nuk është folur shumë për këtë histori dhe nuk është folur me detaje të thella.
Ardit Gjebrea: Po pse?
Emiljana: Sepse dhe unë nuk kam pyetur për çfarë dhe shumë gjëra të tjera, por di që xhaxhai im e ka takuar vajzën deri 2 vjeç e gjysmë dhe më mbrapa nuk e takoi më. Sepse u largua për në Greqi, jeton në Selanik dhe ka 22 vite atje.
Ardit Gjebrea: Dhe krijoi një familje tjetër?
Emiljana: Po krijoi një familje tjetër, u martua me shqiptare. Dhe vajza, nuk u interesua më njeri, jeton , nuk jeton. Nuk dinte më asgjë asnjë person..
Ardit Gjebrea: Ti i ke pyetur të afërmit e tjerë? Se janë 11 fëmijë apo jo?
Emiljana: Po i kam pyetur..
Ardit Gjebrea: Çfarë përfaqëson ky xhaxha për ty, që ti more rrugën që të vish të kërkosh vajzën e tij?
Emiljana: Më falenderon pa masë, ndjehet dhe ai në sikletin e tij, për arsye se ndihet dhe pak në faj. Mbase erdhi kjo ditë sot, një ditë e mrekullueshme, për mua personalisht. Nuk ka përgjigje që të japi për këtë. Më tha: Nuk mundesha ta kërkoja se ishin dhe dy fëmijët e tjerë dhe unë kam qenë i larguar gjatë kësaj kohe dhe ashtu kanë rrjedhur rethanat nuk arrita ta kërkoja. Kjo është e gjitha..
Ardit Gjebrea: Larg qoftë të ndodhte kjo gjë, do ta kishe lënë për vite pa takuar vajzën ose djalin tënd?
Emiljana: Jo asnjëherë nuk do ta b?ëja këtë gjë dhe prandaj jam sot këtu, sepse e vura veten time në vendin e saj. Babai im nuk jeton, ka vdekur prej 10 vitesh dhe e ndjej mungesën shumë të babait tim dhe prandaj mora gjithë këtë rrugë, iniciativë, për t’ia arritur qëllimit që ajo të ketë një baba si gjithë të tjerët. Unë jam shumë e sigurt që asaj nuk i ka munguar dashuria prindërore sepse ka pasur mamanë e saj, një mama të mrekullueshme, as shkollimi, asnjë diçka, por pjesën e babait është vështirë ta plotësojë dikush tjetër.
Ardit Gjebrea: Sa vjeç mund të jetë ajo sot?
Emiljana: Ajo sot është 35 vjeç.
Ardit Gjebrea: Pra, babai e la 2 vjeç dhe i thonë 33 vjet heshtje totale..
Emiljana: Po!
Ardit Gjebrea: Çfarë gjërash mund të kenë ndodhur në këto 33 vite?
Emiljana: Shumë gjëra mund të kenë ndodhur. Është një gabim i madh që nuk është kërkuar, por më mirë vonë se sa kurrë mendoj unë.
Ardit Gjebrea: A e di familja e re, e xhaxhait që ju keni ardhur sot këtu?
Emiljana: Po, po e dinë. Do vinte dhe nusja e xhaxhait, por nuk mundi të vinte sepse kujdeset për nipin e saj për momentin. Por janë dakord të gjendet, është e mikpritur vajza e xhaxhait që nuk e njoh, tek të gjithë ne..
Stafi i “Ka një mesazh për ty” ka arritur të gjejë vajzën e xhaxhait të Emiljanës. Blerina jeton në Vlorë dhe është e martuar, nga e cila ka sjellë në jetë dy fëmijë. Mamaja e saj, pas divorcit me të atin e Blerinës 32 vite më parë, u martua për herë të dytë.
Gazetari i “Ka një mesazh për ty” shkoi në banesën e Blerinës dhe e ftoi të vinte në studio. Por Blerina refuzoi ftesën dhe nuk erdhi në program. Megjithatë shprehu dëshirën për t’u takuar me vajzën e xhaxhait, Emiljanën, dhe i dha stafit numrin e telefonit.
Emiljana: Nuk e di çfarë të them. E prisja të vinte me padurim sepse kanë kaluar shumë vite..
Ardit Gjebrea: Blerina kishte shumë dëshirë të vinte, madje do vinte në program por mamaja e saj nuk u ndje mirë, kishte rritje tensioni dhe nuk kishte me kë ta linte dhe realisht kjo është e vërteta. Atëhere ajo më tha: Tani që nuk do vij mund të ma thuash se kush është.. Dhe unë i tregova.
Emiljana: Po!
Ardit Gjebrea: I thashë është vajza e xhaxhait dhe ajo tha: Vajza e xhaxhait? Sepse ajo nuk ka patur më asnjë informacion, çfarë ka ndodhur me familjen e saj dhe nuk e dinte për ekzistencën tuaj.
Emiljana: Jo nuk ka pasur!
Ardit Gjebrea: Sigurisht u trondit padiskutim.. Dhe filluam të flisnim për jetën e saj, familjen e saj. Ajo 2 vjeç nuk e njohu më babin e saj, por për fatin e saj pati një baba tjetër që e rriti.
Emiljana: Po gëzohem dhe e përshëndes.
Ardit Gjebrea: Ajo tha: Ai është babai im dhe unë e dua shumë dhe nuk më ka munguar për asnjë moment figura e babait dhe më ka qëndruar pranë sikur të isha vajza e tij. Sigurisht dhimbja e një gruaje që është bërë nënë me dy fëmijë ka një pyetje brenda: Pse 33 vjet dhe pikërisht sot? Pasi folëm gjatë në telefon më tha: Jam shumë e emocionuar dhe jepi numrin tim të telefonit Emiljanës, se unë dua ta takoj.
Emiljana: Shumë faleminderit. E falenderoj shumë. Do shkoj me patjetër, sapo të dal nga Tv Klan do nisem ta takoj me shumë mall, me shumë dashuri, e ndjej që është motra ime, e konsideroj. Nuk gjej fjalën ta falenderoj sepse janë shumë vite, ka shumë të drejtë për gjithçka që ka thënë. Jam shumë e kënaqur që është rritur dhe me një baba të mirë.