Nga Dritan Kaba
Sot analisti Andi Bejtja në një status në facebook, shpreh entusiazmin e tij për mundësinë e marrjes së postit të Kryeministrit nga Albin Kurti ne Kosovë.
Bejtja thotë:
ERDHI DITA…ME ALBININ PRISHTINE..
Jam i bindur po aq sa i duhet Kosovës, i duhet dhe Shqipërisë…Sa më parë të ulet zyrtarisht në karrigen e Kryeministrit, ditë të fituara për Kosovën dhe Shqipërinë..
Nuk e mendoja që dogma dhe liberalizmi mund të ishin kaq ngjitur me njëra-tjetrën. Një liberal deri diku me prirje konservatore si zoti Andi Bejtja, të admirojë marrjen e drejtimit të një vendi nga një socialist me prirje të theksuara komuniste, si shoku Albin Kurti.
Euforinë e Bejtes do ta kuptoja po të ishte në moshën 20 vjeçare, por në moshën e sotme jo. Siç ka thënë edhe Çurçilli: Të jesh 20 vjeç dhe të mos jesh revolucionar, diçka nuk shkon mirë tek ky njeri. Por të jesh mbi të dyzetat e të jesh sërish revolucionar, atëherë kemi të bëjmë me një rast fatkeq…
Zgjedhja e Albinit si Kryeministër i Kosovës do të jetë po aq pozitive për Kosovën, aq sa ishte zgjedhja e Hugo Chavezit apo e Maduros për Venezuelën.
Slogani i paszgjedhjeve tregon realisht se kush është Albin Kurti. Një poltronodashës, që qëllim ka pushtetin dhe jo shtetin. Erdhi dita jonë thonin edhe komunistët në Nëntor të ’44. Dhe u deshën 50 vite mjerim, mijëra të vrarë dhe të pushkatuar, qindra mijëra ëndrra dhe jetë të shkatërruara, miliona ditë në burgje edhe kampe internimi, që shqiptarët të kuptonin se çfarë ishte komunizmi. Ndonëse, sot sërish janë viktimë e pushtetit të bijve të etërve të komunizmit. Ashtu bërtiste edhe partizani Meke tek krevati i perandorit: Erdhi dita ime!
Albini është një poltronodashës edhe aspak një shqiptarodashës. Që në fillim, për të i rëndësishëm ka qënë pushteti, dhe jo shteti e as Kosova. Fasada e tij e fjalëve, si për Kosovën dhe për bashkimin me Shqipërinë, ka qenë një mashë për të kapur gështenjat e pushtetit.
Rastet nuk janë të pakta, kur Isa Mustafa u deklarua hapur kundër planit sorosian të Jugosllavisë së Re në takimin e Triestes në mars të 2017, Albini nuk u ndje aspak, përkundrazi në heshtje e miratoi rënien e qeverisë Mustafa dhe e duartrokiti atë. Albini, sërish kur qeveria Haradinaj vuri taksën prej 100% mallrave serbe, për llogari të pushtetit, sërish nuk “bzajti”.
Të njëjtën gjë bëri edhe për thirrjen politike të Ramushit në Hagë. Nëse “rilindasi” Albin do kishte dashuri për Kosovën dhe jo llogari për pushtetin, në të dyja rastet qeveria e Mustafës nuk do të rrëzohej, as ajo e Ramushit. Njëkohësisht, si për çdo sorosian të mirë, rëndësi ka vetëm pushteti, për t’ia kthyer nderin padronit. Asnjë deklaratë serioze për takimin e tre pinjollëve sorosianë në Novi Sad dhe shpalljen e Jugosllavisë së Re. Një deklaratë amorfe dhe jo një qëndrim politik i drejtpërdrejtë si ai i Mustafës para dy vitesh. Kjo kuptohet fare thjeshtë, janë interesat e padronit, që nuk e lënë të shprehet.
Kosovës dhe Shqipërisë i duhen liderë politikë si Ramush Haradinaj, Isa Mustafa apo Ilir Meta, që në momente kruciale të historisë politike dinë të japin edhe dorëheqje, duke e dorëzuar me ndërgjegje pushtetin, për t’i bërë shërbim Atdheut dhe jo poltronit të vetes. Ata nuk janë prodhim politik i askujt dhe nuk janë peng i kërrkujt. Këta e kanë treguar veten liderë politikë që vendosin Kosovën dhe Shqipërinë të parën, megjithë gabimet, që mund të kenë bërë në aktivitetin e tyre politik. Nëse do të njohësh kush politikan i duhet vendit, shiko kë sulmojnë mediat me sponsorizim sorosian, mbi kë lëshohet lukunia e shpifësve profesionistë, ndërsa e kundërta është e rrezikshme për vendin.
Albini në këto zgjedhje ka fituar më pak vota në përqindje se në zgjedhjet e 2017. Kjo tregon, që ai nuk është ylli që po ndrin. Ai ka mbështetjen e vetëm 10.5% të shqiptarëve, që jetojnë e votojnë në Kosovë, megjithëse në këtë shifër përfshihen edhe votat e turqëve të Prizrenit. Janë pikërisht votat e erdoganistëve dhe ekstremistëve muslimanë që bëjnë diferencën me LDK. Një amalgamë të tillë politike ku përfshihen nacionalistë, ekstremistë fetarë, komunistë, socialistë dhe liberalë, vetëm një dishepull i Sorosit është në gjendje ta bëjë, se qëllimi i vetëm është poltroni i pushtetit dhe jo shteti.
Fatkeqësisht shumë shpejt entusiazmi yt për “diellin” Albin do të shuhet, pasi ai nuk do të lëshojë më rrezet e propagandës, që nuk do të ngrohin dot më askënd. Shumë shpejt nga diell do të kthehet në llampë floureshente dhe nuk do të ngrohë më as ty dhe askënd tjetër. Albini do vazhdojë “të ndriçojë” vetëm propagandë, ashtu si edhe Rama në Shqipëri. Këtë paralelizëm nuk po e bëj për të demoralizuar, por e tillë është e vërteta. Me të njëjtat fjalë, si Rama në vitin 2013, e ka nisur edhe Albini. Si tha dje? Tridhjetë përqind e kabinetit do të jenë gra. Fiks si Rama sot, pas mbledhjes së improvizuar të Kryesisë së PS, ku deklaroi: Muhabetet bëhen me burra, punët me gratë. Unë nuk jam seksist. Por ngjashmëria e tyre është si dy pika uji sepse kanë të njëtin “Baba Xhepeto”, krijuesin e pinokëve modernë, Sorosin.
Nejse Andi, shpresoj që të ketë shijuar biseda me Albinin dhe planet e tij revolucionare, ashtu si përbetimet e Ramës për taksat ndaj të pasurve, që përfunduan në ligjin antikushtetues të dividentit. I cili është vetëm në favor të oligarkëve, kundër shtresës së mesme, fermerëve dhe intelektualëve prodhues të Shqipërisë.
Dua ta mbyll këtë me një thënie të para disa ditëve të CEO të JPMorgan, Janie Dimon : “Kontrolli i kompanive kapitaliste është socializëm dhe jo social demokraci. Qeveritë duke kontrolluar pasuritë dhe garën e kompanive, fillojnë i përdorin ato vetëm për një qëllim, për të mbajtur veten në pushtet dhe për të marrë votat”. Ky kontroll është një nga pikat kryesore të programit komunisto-sorosian, që ka Albini, i cili ka për kumbar Alex Sorosin. Në Shqipëri ky program është realizuar nga Rama në 50% e tenderave pa garë, të PPP-ve multi milionëshe, që do i kishin “zili” edhe vendet më të zhvilluara të BE.
Ndaj Albini dhe pasuesit e tij thërrasin: Erdhi dita! Por me një ndryshim nga Shqipëria e sotme e timonit, tepsisë dhe brekusheve, në Kosovë ka një shpresë që quhet LDK.