Nga Boldnews.al
Kërcënimi i gjyqtarit të Korçës, Markelian Kuqo nga një i dënuar për vrasje në burgun e Drenovës, i njohur për çrregullime të shëndetit mendor, në fakt duket se fsheh një raport konfliktual ndërmjet togave të zeza dhe zyrtarëve të institucionit të vuajtjes së dënimit të qytetit.
Është një nga ato histori, në të cilat paraja që qarkullon brenda burgjeve, nxit presione, skenare e kërcënime, të cilat përfshijnë zyrat administrative dhe të institucioneve ligjzbatuese.
Mesditën e të Martës së kaluar, në media u përhap lajmi se në telefonin e gjyqtarit Markelian Kuqo kishte ardhur një kërcënim, sipas të cilit, në mjetin e tij, ishte vendosur një sasi tritoli.
Në fakt, telefonata kërcënuese nuk është bërë në telefonin e gjyqtarit, por në Sallën Operative të Policisë së Korçës. Ky “detaj”, pra që kërcënimi nuk ka ardhur drejtpërdrejtë në telefonin e gjyqtarit, por në Sallën Operative, nuk është sqaruar zyrtarisht nga Policia.
Ngjarja, natyrisht që u shoqërua me shqetësim dhe interesim të lartë, pasi, dukej disi e pabesueshme që një i burgosur me 24 vjet burgim për vrasje, Naim Behari, merrte guximin dhe telefononte nga burgu një gjyqtar dhe e kërcënonte.
Por, në fakt, gjyqtari Markelian Kuqo, i vendosur në qendër të kësaj historie, ka një këndvështrim tjetër. Ai është i bindur se kërcënimi nuk i ka ardhur nga i burgosuri Naim Behari. Për gjyqtarin, i dënuari, i cili mendohet që ka problem të shëndetit mendor, është i nxitur nga zyrtarët e burgut të Drenovës, për shkak të vendimmarrjeve të tij gjatë detyrës.
“Është një skenar, për të cilin kam dyshime të forta se nga cilët persona është organizuar”, thotë gjyqtari Kuqo në një bisedë me “Boldnews.al”.
“Lidhet gjithçka me ushtrimin e detyrës time si gjyqtar dhe, sidomos me një seri vendimmarrjesh të miat, në të cilat kam konstatuar abuzime të shumta nga zyrtarët e burgut të Drenovës, në praktikat që ata përcjellin për të mbështetur lirimin me kusht apo uljen e dënimit për të burgosur të ndryshëm”, shprehet Kuqo.
Ai ka emra konkrete, tek të cilët dyshon se kanë nxitur të burgosurin Naim Behari, por jo vetëm atë, që të krijojnë situata konfliktuale dhe presioni ndaj gjyqtarit, sidomos gjatë seancave. Gjyqtari Kuqo nuk preferoi të bënte publik emrin apo emrat që dyshon se janë pas këtij skenari, të cilin e konsideron shantazh të pastër. “Dyshimet i kam dhënë para oficerit të Policisë Gjyqësore”, shprehet ai.
Gjyqtari Kuqo i druhet një atentati të mundshëm ndaj tij. “Nuk është Naim Behari rreziku im. Absolutisht jo. Por, janë të tjerë persona, ata që e kanë nxitur këtë të burgosur të sillet si kërcënues, ndaj të cilëve unë i druhem pasojave fizike dhe për jetën. Dhe gjithçka lidhet me detyrën”, përsërit gjyqtari.
Një pohim i tillë, natyrisht, do të duhet të vinte në lëvizje të gjithë shtetin, pasi një gjyqtar kërcënohet, për shkak të detyrës, nga të burgosur dhe zyrtarë të burgjeve që fshihen pas tyre. Por, deri më tani nuk ka asnjë lëvizje, as për hetimin e dyshimeve të gjyqtarit dhe as për sigurinë fizike të tij.
Dyshimet
“Boldnews.al” ka arritur të sigurojë dëshminë e plotë që ka dhënë gjyqtari Kuqo, pas ngjarjes. Në atë dokument gjenden të argumentuara dyshimet e tij për gjithçka ka ndodhur, përfshirë edhe persona konkretë, të cilët janë zyrtarë të burgut të Drenovës.
Por, siç deklaron edhe Markelian Kuqo për “Boldnews.al”, deri më tani nuk ka asnjë reagim shtetëror. E, në fakt, ky pohim i gjyqtarit konfirmohet edhe në të tjera burime.
Zyrtarit/zyrtarët që përmend gjyqtari Kuqo në deklarimin e tij, vijojnë të jenë ende në detyrë. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, nuk pranoi t’i përgjigjej interesimit të “Boldnews.al” mbi masat e marra nga institucioni, pas këtij incidenti të rëndë. “Nuk mund të jap asnjë prononcim për këtë rast”, u shpreh Ismaili, në një komunikim telefonik me “BN”.
Prokuroria e Korçës, gjithashtu në një komunikim zyrtar, deklaroi të Shtunën se “ishin ende në pritje të referimit nga ana e Policisë së Shtetit për rastin”. Rreth 4 ditë pas kërcënimit serioz, Policia e Shtetit ende nuk kishte përcjellë materialet në Prokurori, ndërkohë që institucioni i Akuzës ishte “në pritje”, pa kryer asnjë veprim procedurial.
Burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, të kontaktuar nga “Boldnews.al” deklaruan se nuk është marrë asnjë masë për ruajtjen e integritetit fizik të gjyqtarit Kuqo dhe familjes së tij. “Gjyqtari nuk ka kërkuar mbrojtje të posaçme, ndërkohë që edhe kërcënuesi është i burgosur”, deklaruan burime zyrtare të Policisë së Shtetit.
Në vijim të këtij komunikimi, burimet zyrtare vijuan me shprehjen standarte se “Strukturat policore, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë së Burgjeve, identifikuan në kohë rekord kërcënuesin dhe referuan materialin në Prokurori”.
Në fakt, ky qëndrim, i cili nuk përputhet edhe aq me realitetin, forcon dyshimet e gjyqtarit Kuqo se “kërcënimi i Naim Beharit është i gjithi një skenar për të më përcjellë mesazhin e tjetërkujt, lidhur me vendimmarrjet e mia”.
“Boldnews.al” ka siguruar të gjithë dinamikën e ngjarjes së datës 15 Tetor 2019, në Korçë, në bazë të të cilës krijohen dyshimet se, përveç gjyqtarit, shumë persona të tjerë ishin në dijeni që “kërcënimi” i Naim Beharit nuk ishte real.
“Pasiviteti” i strukturave ligjzbatuese
Paraditen e 15 Tetorit, rreth orës 9.20 të mëngjesit, ushtruesja e detyrës së kryetares së Gjykatës së Korçës, Luljeta Kole, i kërkon gjyqtarit Markelian Kuqo të shkojë në zyrën e saj. Në zyrën e Koles, ishte edhe një nëpunës i gjykatës, i cili njofton gjyqtarin Kuqo se pranë makinës së tij, e cila gjendej në garazhdin e institucionit, janë mbledhur disa policë, pasi dyshohet se është vendosur tritol.
Në atë moment, në zyrën e zv.kryetares së Gjykatës mbërrijnë Shefi i Komisariatit të Korçës, i shoqëruar nga shefi i Krimeve dhe një oficer i Policisë Gjyqësore, të cilët, gjithashtu njoftojnë gjyqtarin Kuqo se, në sallën Operative të Policisë kishte mbërritur një telefonatë kërcënuese.
Gjyqtari dhe drejtuesit e Policisë zbritën në garazhd dhe, pas një vështrim të shpejtë nga ana e punonjësve të Policisë, u konstatua se “në pjesën e jashtme nuk dukej ndonjë lëndë plasëse”.
Gjyqtari Kuqo kuptoi se, vetëm në këtë moment, iu bë një kqyrje e jashtme automjetit të tij dhe se ata vijonin të ishin të rrezikuar, në rast se kërcënimi ishte i vërtetë, pasi nuk kishte një kontroll të imtësishëm.
U larguan nga mjeti, i cili ka qëndruar gjithë ditën në garazhdin e gjykatës, në themelet e tij, ku, një shpërthim i mundshëm, mund të cënonte jetën e shumë qytetarëve dhe gjyqtarëve që ishin në godinën e saj.
Deri në atë moment, askush nuk kishte dijeni se kush ishte kërcënuesi dhe nuk ishin kryer verifikime mbi numrin që kishte telefonuar në Sallën Operative. Vetëm pas këmbënguljes së gjyqtarit Kuqo, zyrtarët e Policisë kërkuan verifikimin në Sallën Operative, nga ku morën përgjigje se, sapo kryer kontrollin, nga ku rezultoi se telefonata ishte bërë nga Burgu i Drenovës.
Gjyqtari Kuqo nisi të krijonte dyshime se kërcënimi nga Naim Behari nuk ishte real, për disa arsye. Zyrtarët e Policisë kishin mbërritur në gjykatë, pa e telefonuar më parë nëse Markelian Kuqo ishte në zyrë apo në lëvizje, siç ndodh në raste të tilla.
Zyrtarët policorë i bën një kqyrje “të jashtme”, me sy të lirë, nga ku arritën në konkluzionin se kërcënimi nuk ishte real. Ky konstatim u bë rreth orës 10 paradite. Por, në mesditë, rreth orës 14.00, në godinën e Gjykatës mbërrijnë forcat anti-eksploziv nga Tirana, të cilat kqyrën plotësisht mjetin.
Gjatë gjithë ditës e deri në përfundim të verifikimit nga njësia anti-eksploziv, ambjenti rreth mjetit të gjyqtarit dhe vetë gjykatës, nuk kishte asnjë masë sigurie, as evakuim të zyrtarëve dhe qytetarëve.
Kjo situatë, absurde në vlerësimin e gjyqtarit, nxiti tek ai se “gjithçka ishte e sajuar” dhe nisi të kuptojë se “kërcënimi i Naim Beharit”, në fakt, ishte mesazh i zyrtarëve të caktuar të burgut të Drenovës.
Pse nuk është Naim Behari?
“Nuk ka asnjë arsye që Naim Behari të më kërcënojë”, shprehet gjyqtari Kuqo për “Boldnews.al”. Ai ka paraqitur një kërkesë për ndryshimit të regjimit të burgut, çështje që po e ndjek gjyqtari Kuqo. “Për këtë rast, nuk ka filluar ende shqyrtimi gjyqësor, pasi seanca e parë u shty për arsye proceduriale. Pra, nuk gjej arsye për kërcënim prej tij”.
Gjithsesi, në seancën e parë, Naim Behari i dorëzon gjyqtarit Markelian Kuqo, një letër-ankesë dhe kërcënuese, me shkrim dore, të nënshkruar prej këtij të burgosuri.
“Nuk po i hyj kërcënimeve-thotë gjyqtari Kuqo për “BN”- por ajo që konstatova është se teknika e të shkruarit, referencat ligjore dhe të tjera, janë shumë lart nivelit intelektual që përfaqëson Naim Behari. Duket se ajo letër i është diktuar nga dikush tjetër, që ka njohuri të caktuara, me shumë mundësi nga zyrtarë të burgut”, thotë gjyqtari Kuqo.
Në vijim të këtij dyshimi, gjyqtari Kuqo ngre pikëpyetje të forta. “Mirë ditën e parë, në datë 15 që telefoni në Sallën Operative. Po si ka mundësi që, edhe të nesërmen, në datë 16, ky i dënuar, lidhet me televizionet dhe drejton kërcënime live ndaj personit tim. Kush e lejoi këtë të dënuar të telefonte dhe aq më tepër të lëshonte kërcënime publike ndaj një gjyqtari”, shprehet Kuqo.
“Ndodh që, kur një i burgosur vetëm sa fyen një polic burgu, ai futet menjëherë në izolim. Ndërsa për rastin e Naim Beharit, ai jo vetëm që nuk izolohet, por lejohet të telefonojë dhe të lëshojë kërcënime radhe edhe një ditë pas kërcënimit në sallën operative të Policisë. Kush e lejon këtë person të veprojë si të dojë?”, ngre pikëpyetjen gjyqtari, i cili duket se përgjigjen e pyetjes së tij e gjen tek “leja e posaçme” nga zyrtarët e burgut.
Gjyqtari mendon se, zyrtarë të Burgjeve mund të kenë shfrytëzuar problemet e shëndetit mendor të të burgosurit Behari për t’i përcjellë “mesazhe kërcënuese”.
Së pari, gjyqtari Kuqo ka evidentuar para oficerit të Policisë Gjyqësore një pasazh, të publikuar nga një portal informative, në të cilën ishin zbardhur pjesë nga intervista live e Naim Beharit. Në atë pasazh, i burgosuri shprehej se cili ishte personi/zyrtari, i cili e kishte detyruar të kërcënonte gjyqtarin Markelian Kuqo.
Në vijim të deklarimit të tij para oficerit të Policisë Gjyqësore, gjyqtari Kuqo ka bashkëlidhur edhe linkun e lajmit në portal, që referonte citimin e Naim Beharit.
Dyshimin e tij për zyrtarët e burgut të Drenovës, gjyqtari Markelian Kuqo e rithekson edhe në komunikim me “Boldnews.al”.
“Shihni vendimet që kam dhënë unë për kërkesat për ulje dënimi apo për lirim me kusht të të burgosurve nga burgu i Drenovës. Do të shihni se sa paligjshmëri kam konstatuar në veprimtarinë e administratës së këtij burgu, në favor të të burgosurve”, shprehet gjyqtari Kuqo për “Boldnews.al”. “Këto raste, kur ka qenë e nevojshme, ia kam përcjellë prokurorëve që kanë qenë në seancë”, vijon ai, duke theksuar se, pikërisht këtu e sheh kërcënuesin apo kërcënuesit e vërtetë të tij.
“Boldnews.al” ka konsultuar disa vendime të gjyqtarit Kuqo për kërkesat e të burgosurve për lirim me kusht apo ulje dënimi. Në këto vendime, rezulton se gjyqtari ka konstatuar shkelje të rënda të kryera nga administrata e burgut të Drenovës, si fshehje masash disiplinore, shtime të pajustifikuara të pjesëmarrjes në programe rehabilitimi, etj, dokumenta këto që janë të nevojshme gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Në foto: Një nga vendimet e gjyqtarit Markelian Kuqo, në të cilin evidentohen shkeljet e IEVP, Drenovë
Mesazhi i gjyqtarit Kuqo
Pas kësaj situate të krijuar, gjyqtari Markelian Kuqo shpreson vetëm tek media. “Në ato moment u ndjeva i vetëm dhe në absurditet”, thotë gjyqtari për “Boldnews.al”.
“Kur sheh se ‘masat organizative’ që duhet të merreshin menjëherë për t’iu përgjigjur situatës në ngjarje, nga gjithkush që ka detyrimin ligjor të mbrojë një funksionar të shtetit, qoftë për pjesën fizike të tij dhe familjes, qoftë edhe për atë morale, por qoftë edhe të autoritetit të shtetit, të cënuar shumë rëndë publikisht nga një i burgosur dhe nga brenda burgut, zhgënjimi është total dhe pasiguria në kufijtë e absurdit” vijon gjyqtari.
“Rezultoi se kërcënimi ishte real, ndaj reagimi i strukturave të shtetit duhej t’i përgjigjej dhe aktualisht duhet t’i përgjigjet kësaj arsyeje. Por, si individ dhe si gjyqtar nuk shoh asgjë në këtë drejtim. Është emergjente në këto rrethana që strukturat shtetërore, deri tani, duhej me çdo kusht të kishin sqaruar situatën dhe të kishin evidentuar personat përgjegjës. Shtroj pyetjen: përse ishte e pamundur të ndalohej vijimi i bisedës live në televizione i të burgosurit nga brenda institucionit penitenciar, përsa kohë ky i burgosur, publikisht dhe në kohë reale, po kërcënonte ashpër një funksionar të shtetit?, shprehet gjyqtari Kuqo.
“Ndonëse kjo rrethanë ngre shumë pikëpyetje, ndonëse përgjegjësia e institucionit penitenciar është e konfiguruar, ndonëse autoritet i shtetit është cënuar në mënyrën më të rëndë, ende nuk ka asnjë përgjegjës për këtë ngjarje dhe asnjë deklaratë qëndrimi nga vetë autoritetet përgjegjëse shtetërore. E kuptoj që nuk kanë asgjë për të thënë, por nuk po kuptoj se përse nuk ka asgjë për të thënë”, thotë Markelian Kuqo.
“Për këtë situatë në këtë ngjarje kriminale, kam shprehur që në gjenezë të saj, që mbrojtjen e kërkoj nga mediat dhe jo nga ai shtet që i jam referuar”, përfundon gjyqtari Markelian Kuqo komunikimin me “Boldnews.al”.