Ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade, ka kritikuar ashpër qeverinë e Edi Ramës, ndërsa ka ritheksuar edhe njëherë se ai duhet të japë dorëheqjen. E ftuar në emisionin “Kjo Javë”, në News24, Dade nuk dha një emër, që mund të zëvendësojë Ramën për të drejtuar vendin, por tha se ka plot eksponentë të larguar nga PS, apo ekspertë, që mund ta bëjnë këtë detyrë.
“Kam kërkuar që Rama të japë dorëheqjen dhe PS i ka të gjitha kapacitetet, ose i ka pasur para 10 muajsh, që të vinte një kryeministër tjetër. Besoj që ka shumë, që jo vetëm i ka përzënë Rama, sepse ndjehej i kërcënuar prej tyre, që tani s’janë më në PS, por unë do parapëlqeja edhe ekspertë që mbështesin parimet e demokracisë dhe që nuk i mungojnë Shqipërisë. Është për të të ardhur keq që kjo kategori të largohen.
Është vrarë shpresa. Rama ka defektet e veta dhe ka gjynahet e tija që kultura e pandëshkueshmërisë vazhdoi edhe në këto gjashtë vite. Për fat të keq, Ramës i ka interesuar konfliktualiteti politik. Edhe opozitën e bëj me faj. Rama ndjehet i sigurt, ai mund të qeverisë me gjithë defektet e veta, si asnjëherë, pasi ka një opozitë që nuk e përfill. Mazhoranca duhet të ishte e shqetësuar që nuk ka opozitën në Parlament, sepse ato zonja që janë në Parlament, jo vetëm që nuk kanë qenë të përgatitura, por edhe nuk mund ta bëjnë këtë detyrë”, tha Dade.
Do shkojë vendi në zgjedhje të parakohshme?
Gjërat kanë degraduar, që nga momenti që i kam kërkuar Ramës të japë dorëheqjen, apo nga momenti kur kolegët e mi në parlament do doja të bënin një lëvizje në të mirë të demokracisë. Unë e kam kërkuar këtë gjë, duke parë që nuk është ndonjë sakrilegj që kryeministri të japë dorëheqjen, kur sheh që vendi po degradon. Dorëheqja nuk ndodhi dhe as mendoj që do të ndodhë. Kjo qeveri nuk mund të vazhdojë më të thellojë reformat, është nga më të paaftat që ka pasur vendi. Nuk ka ministra, është vetëm një “one man show”, vendi po rrëshqet. Duhet reflektim.
Një taktikë e dështuar e Ramës për të bërë presion ndaj BE, kujtoj këtu qoftë edhe kur është shprehur që ne mund të kemi dhe alternativa të tjera, por këto dy ditë ka thënë se s’ka alternativë tjetër veç BE. Por, në fakt lojërat me Erdogan, me Shqipërinë e Madhe, lojëra që vajti në takimin me Vuçiç. Më vjen keq që kemi zbehur kartën rajonale, që ka qenë një nga më të fortat, dëgjoheshim seriozisht, madje na merrej edhe mendimi. Kjo nuk ndodh tani, po dalin aktorë të tjerë dhe ne, në mënyrë naive apo të qëllimshme ju japim një kartë vendeve si Serbia për të treguar një lloj lidershipi.
A ka PS sot dhe për cilat figura keni respekt?
Në planin njerëzor i dua dhe i respektoj kolegët e mi, me të cilët kemi ecur së bashku në situata edhe të vështira, në mënyrë të veçantë të opozitës së parë. Unë besoj se shumë aktorë të mazhorancës kanë shprehur, edhe lidhur me procesin e integrimit, kanë bërë gafa politike. Nuk mundet që deputetë të Parlamentit holandezë, t’iu drejtosh gishtin dhe t’iu thuash se shumë gjëra i kemi marrë nga ju. Ka një lloj papjekurie, edhe një lloj fantazimi, ku një forcë politike është në pushtet dhe frika se mos e humbet pushtetin. Kam pritur shumë nga mjaft kolegë, por jam e zhgënjyer. Edhe kur takohemi me mjaft shoqe, nuk ka një njeri që t’i thotë Ramës se kjo bëhet e kjo jo. Nuk ka asnjë gjë të keqe, nëse bëhet një grup dhe ia thotë. Nuk ka një PS në kuptimin e asaj që ne themeluam dhe që krijoi një përvojë pozitive të qeverisjes. Në ’97 ne morën mjaft vota, por qeverisëm me koalicion. Mandati i dytë i Ramës, që po qeveris vetëm, është më shumë me dështime.
A e keni takuar Edi Ramën apo të keni këmbyer SMS?
Nuk kam këmbyer mesazh, vetëm përmes ekranit. Nuk do të thotë se nuk e takoj. Kjo është përtej marrëdhënieve individuale. Unë me Ramën kam pas marrëdhënie institucionale, ja kam thënë kur ka gabuar. Nuk shpresoj që mund të kthejë kurs, Rama e ka kaluar çdo nivel të përfaqësimit të tij në politikë, ka gati 21 vite në politikë. Në një karrierë kaq të gjatë, pushteti ka dhe anë pozitive, por meqë jemi para një dështimi, jam kategorikisht kundër tregimit të gishtit. Fakti që Franca ka drejtuar procesin e Berlinit, do të thotë se mbetet e angazhuar.
Kush do të ishte një emër i denjë që mund të drejtonte vendin?
Ka shumë, intelektualë që flasim çdo ditë, që e duan këtë vend, që i mbështesim fuqishëm parimet e demokracisë dhe nuk i nëpërkëmbin ata. PS ka humbur identitetin. Rama ka devijuar nga programi dhe nuk mund të jetë lider i PS. Për mua një intelektual me vizion të qartë, që të punojë seriozisht, do ta zëvendësonte. Rama duhet të ikë, nuk do të ketë progres me të, vazhdon regresi, aq më pak me ministrat, si ky i Jashtëm, që nuk e merr njeri seriozisht. Rama e ka marrë për dore, ndaj është aty.