Në aeroportin e Rinasit janë mbledhur familjarë të azilantëve që po depërtohen nga Franca. Kërkesa e tyre, kryesisht për azil ekonomik, është refuzuar për të disatën herë dhe autoritet kanë vendosur deportimin e tyre drejt Shqipërisë. Pritja e familjarëve zgjati për disa orë, edhe pse mbërritja e tyre ishte njoftuar në orën 14:00 gjatë ditës së djeshme, pasi të deportuarit i dërguan për të dhënë edhe deklaratën e tyre në rajon.
Në mesin e të deportuarve ishin edhe një familje e re nga Veriu i Shqipërisë, një çift i ri, së bashku me vajzën e mitur jo më shumë se 5 vjeç. Gruaja dukej e vendosur për të mos u kthyer më, por tha se i shoqi kishte gjetur tashmë punë dhe do të provonte sërish të rikthehej në Francë. Për t’u aprovuar kërkesa për azil ekonomik ishte thuajse e pamundur.
Franca po e refuzon hapjen e negociatave për Shqipërinë, nën argumentin se shqiptarët renditen të parët për sa i përket numrit të azilkërkueseve.
Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë vitit 2018 numëroheshin 9,655 azilkërkues nga Shqipëria në Francë, duke u renditur kështu nacionaliteti i dytë më i madh, pas afganëve.
Numri azilkërkuesve nga Afganistani, i cili nuk konsiderohet një vend i sigurt, sikurse është Shqipëria, ishte 10,340 me një diferencë shumë të ulët me Shqipërinë.
Në 2017-n, shqiptarët renditeshin të parët në Francë si azilkërkues me 12,130 aplikime, duke shënuar rekord aplikimesh, që prej të dhënave të para historike që ka Eurostat mbi azilkërkuesit.
Që prej 2008-s në Francë kanë aplikuar për azil mbi 45 mijë shqiptarë. Pjesa më e madhe e aplikimeve janë përqendruar gjatë 3 viteve të fundit, me 29,290 aplikime, sa 65% e totalit të aplikimeve në dekadën e fundit.
Trendi gjatë shtatë muajve të parë të 2019-s ka qenë sërish në rritje, me një mesatare prej 834 aplikime në muaj. Nga janari deri në korrik numëroheshin në total 5,835 aplikime nga shqiptarët në Francë, 25% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Edhe pse refuzohen, shqiptarët nuk dorëzohen lehtë, numrin më të lartë të kërkesave për rishikim
Ndonëse ishin të dytët për sa i përket numrit të aplikimeve kanë shanset më të ulëta, krahasuar me vendet e tjera të origjinës që kanë aplikuar në Francë, me vetëm 1.3% të kërkesave të pranuara nga aplikimet e bëra për herë të parë dhe 5.3% të totalit të kërkesave të rishikuara. Numri i aplikimeve të reja gjatë 2018-s nga shqiptarët ishte 8,311, prej këtyre kërkesave janë pranuar vetëm 74, ndërsa janë refuzuar 5,742.\
Ndonëse kanë një normë shumë të lartë të refuzimit, shifrat tregojnë se shqiptarët nuk dorëzohen në lehtë. Në fazën e dytë të rishikimit të kërkesave, aplikimet nga shqiptarët janë më të lartat. Tek rishikimet, aplikuan në total 6,396 shqiptarë, ku u pranuan 155 dhe u refuzuan 2,762 të tjerë.
Në krahasim me Shqipërinë, Afganistani që është u rendit si vendi i parë më numrin më të lartë të aplikimeve për aplikimet për herë të parë kishin një normë pranimi prej 13.3%, ndërsa në rishikimin e kërkesave norma e pranimit të kërkesave ishte 50.3%.
Gjatë vitit 2018 aplikuan për azil në Francë 114,507 individë të kombësive të ndryshme. Të parët në botë për kërkesat për azil në BE, në raport me popullsinë
Në 6 muajt e parë të vitit janë larguar mesatarisht për çdo 100 mijë banorë 55 shqiptarë. Ky është numri më i lartë krahasuar me vendet që në vlerë absolute renditen të parët për kërkesat për azil, por sigurisht të parët edhe në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Thuajse me dy herë më pak aplikime se Shqipëria renditet Siria, ku sipas përllogaritjeve të “Monitor”, duke u bazuar në numrin e popullsisë, kanë aplikuar për azil mesatarisht 29 sirianë për çdo 100 mijë banorë të Sirisë.
Në vend të tretë renditet sërish një vend europian, Gjeorgjia, ku sipas përllogaritjeve në gjashtë muaj, për çdo 100 mijë gjeorgjianë kanë aplikuar për herë të parë 15 individë për azil. Sipas një artikulli të Deutsche Welle, aplikimet për azil nga Gjerogjianët u trefishuan në 2017-n, kryesisht në Gjermani, pas heqjes së vizave. Shteti gjerman mbetet tërheqës për ta për shkak të pagave të larta dhe standardeve më të mira të jetesës. Situata u bë shqetësuese, saqë qeveria e Gjeorgjisë mori masa vitin e kaluar për të luftuar migrimin ilegal të gjeorgjianëve.
Në vendin e 4-të dhe të 5-të renditen Venezuela dhe Afganistani, me përkatësisht 10 aplikime për 100 mijë banorë. Pas Kosovës, renditet një tjetër vend i Ballkanit Perëndimor. Në gjashtë muajt e parë të 2019-s aplikuan për azil nga Maqedonia e Veriut për çdo 100 mijë banorë 7 azilantë, duke u renditur në vendin e 7-të. Në vendit e tetë dhe të nëntë renditen me 5 aplikime për 100 mijë banorë Iraku dhe Kolumbia.
Më pas renditen dy vende të tjera të Ballkanit Perëndimor si Serbia dhe Bosnjë – Hercegovina, me 4 dhe 3 aplikime për çdo 100 mijë banorë. Turqia, Irani dhe Mali i Zi përllogarit 2 aplikime për çdo 100 mijë banorë, ndërsa Pakistani dhe Nigeria, 1 aplikim për çdo 100 mijë banorë./Monitor