Nga Boldnews.al
Mbyllni sytë dhe mendojeni veten në një protestë! Të kanë arrestuar padrejtësisht djalin, vëllain, kushëririn, mikun apo fqinjin që ndan hallet. Ulëret para policisë që t’i lirojnë dhe aty të afrohet një qytetar shqiptar që nuk ka bindjet si ti. Të nxjerr gishtin e mesit dhe të shan… E ç’dru do i jepnit, në ajër do e mbanit dhe kush e kush të godiste më shumë, atë qytetarin tënd, të një gjaku e një gjuhe.
Por ndodh që gishtin e mesit dhe fyerjet ti drejtojë ambasadori i OSBE-së në Tiranë Bernd Borchardt, i shoqëruar me bashkëshorten. Edhe ajo një bishë e vërtetë, pasi u kthye dy herë me hakërrim ndaj protestuesve, shumica prej të cilave gra të zonës së Unazës së Re. Ai nuk duroi kur protestuesit sapo e panë nisën në kor thirrjet “Rama ik”, ambasadori në reagim që i doli nga shpirti ngriti gishtin e mesit, protestuesit britën “Shame on you”, sërish Borchardt gishtin e gjatë të dorës së djathtë e ngre drejtuar turmës, shumica gra.
Protestuesit mbetën në vend, nuk reaguan, as tentuan ndonjë sulm. U sollën si “qytetarë të denjë”. Disa mendojnë se Borchardt tregoi veten, kulturën e mangët të tij, bindjen e verbër të një militanti politik nën oazin e Rilindjes, ndërsa banorët protestues u sollën me qytetari.
Ky është një lexim i përciptë, pasi ai nuk ishte një gjest emocional, por pikëpamja e një ambasadori, truri i së cilit thith vetëm bindje politike Rilindjeje dhe avull alkooli. Jemi një popull që tregojnë inferioritet ndaj të huajit, i “lëpihemi”, e shohim si më të ditur, si ta paprekshëm dhe mbi të gjitha tutemi edhe kur ata sillen si huliganë, si në rastin e Borchardt.
Mendojeni për një moment që ky ambasador të ndodhej në Britaninë e Madhe dhe do u nxirrte gishtin e mesit një turme protestuese. Si fillim me gjasë do përfundonte me disa lëndime trupore, më pas me sharja masive dhe do kërkohej menjëherë largimi i tij. Por ne e durojmë të huajin, vetëm se ai është “i jashtëm”, ndërsa me fqinjin, të afërmin tonë e më bashkatdhetarin shpesh nuk i durojmë shikimin, jo më gjestin fyes, e dërmojmë në dru dhe akoma më rëndë edhe kur i marrim jetën justifikohemi se “na e bëri borxh”.
Është po aq i rëndë reagimi i vakët i pjesës politike, që nuk doli zyrtarisht nga selitë partiake, por nëpërmjet facebook-ut trimëroheshin dhe lëshonin doza të forta reagimesh. Gjithashtu Këshillit të Ambasadorëve, që përbëhet nga ish-ambasadorë karriere dhe diplomatë të shuqar, (aq sa mund të nxjerrë vendi ynë të shquar), priti 24 orë për të pjekur një deklaratë që dënonin aktin e Borchardt, por fare butë, duke lënë të kuptohej se ndaj tij duhet të kishte masa disiplinore.
Një ditë pas atij gjesti të rëndë, Borchardt nga mbrëmja kaloi me bashkëshorten e tij në një supermarket me produkte “Bio” në Tiranë. E çfarë respekti i bënin punonjësit, por edhe qytetarët që disa e shihnin dhe shtangnin, të tjerë kujtonin gjestin e tij dhe nëpër dhëmbë diç thonin, por asnjë nuk reagoi. Duket se jemi qytetarë europianë, nganjëherë si engjëj, kur të godasin me shuplakë u kthejmë faqen tjetër, por këtë e kemi shtirje me shumicë dhe kompleks ndaj të huajit dhe më të fuqishmit.
Të gjithë me “kulturë të gjerë”,,, por kjo formë sjelljeje, inferioriteti të gërshetuar me frikë dhe hipokrizi, duket më së shumti me politikanët tanë. Nuk është kohë e largët ku Ministri i Turizmit Blendi Klosi me buqetë lulesh në duar takonte turistët spanjollë që u dhunuan nga Mihal Kokëdhima, në lokalin pa leje të këtij të fundit.
Mihali i Rilindjes nuk e kishte për herë të parë, sepse kishte zhdëpur keqas në dru shumë turistë shqiptarë, por askush nuk reagonte nga strukturat qeveritare, as policia, as prokuroria e aq më pak të gjente kohën për buqeta lulesh Klosi ynë. Kur u shfaq i huaji, u vu në lëvizje gjithë shteti. Mihalit ia shembën lokalin, e dergjën në burg sepse ky biri i Rilindjes kishte shkelur vijën e partisë, sulmoi të huajin.
A e emiamgjinoni dot sikur turma e revoltuar ti kishte dhënë qoftë edhe një të shtyrë Bochardt rebelit pasi ai nxorri gishtin e mesit? Tetë ministreshat e Ramës do vinin kujën, në konferenca të gjata shtypi, në sulm ndaj opozitës dhe me vizita të shpeshta në banësën dhe zyrën e Bochardit. Sepse ia kanë edhe një detyrim të madh zyrtarët e lartë të Rilindjes këtij burri diplomat në letra, por huligan në sjellje.
Ambasadori OSBE në kulmin e protestave studentore në Shqipëti u bëri thirrje studentëve protestues të dialogonin me Ramën, ashtu sikurse e kërkonte dhe vetë kryeministri me daljet bajate: “kur do flasim”. Është diplomati i vetëm nga radhët e të tjerëve, që hodhi tezën se Reforma Zgjedhore mund të miratohet pa opozitën reale, por me atë të vetëshpallur opozitare në parlamentin e cunguar dhe kontrolluar nga Rama.
Ai bëri deklarata të nxituara kundër protestave të opozitës, ku fliste për policë të plagosur por kur policia dërmoi me shkopinj gome dhe shkelma Sait Dollapin që kaloi dhjetë ditë në spital ai e konsideroi si normale, por vetëm pak orë më vonë u detyrua të korrigjojë deklaratën pas ndërhyrje nga Vjena ku ndodhet qendra e OSBE-së.
Mund të gjenden edhe të tjera qëndrime të hapura pro qeverisë, por nuk është e nevojshme, sepse ai e ka treguar në çdo rast që mbetet një diplomat i cili po mban me frymë artificiale një pushtet të denigruar brenda dhe jashtë vendit. Për të gjitha këto ti Borchardt na e bën mirë, gishti i mesit është pak, herë tjetër, meqë dole pa lagur, ke të drejtë të na tregosh krahun!