Nga Ilir Kalemaj
Iku kot dhe hapja e shampanjës së radhës, ndërsa tam tamet qeveritare ngelën në tentativë. Commit to the reforms stupid!- ngelet motoja e vendeve të BE-së, që përkundër retorikës butaforike kryeministrore dhe sejmenëve të tij mediatikë, nuk marrin parasysh rolin e jashtëzakonshëm gjeopolitik, gjeostrategjik dhe ndonjë gjeo tjetër të Tiranës në fatin e mbramë të Ballkanit e më gjerë.
Gjithsesi kjo nuk e pengon Edi- the guy siç i tha së fundmi miku i tij Aleksandër të kthehet në një Schuman të shekullit të 21 dhe të jetësojë një mini-Shengen për të na mundësuar lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzëve në Serbi dhe më tepër anasjelltas pasi ata kanë shumë më tepër për të na eksportuar.
Kjo nuk është thjesht hipotezë në ajër por mjaft të shihet për referencë zbatimi i marrëveshjes ekzistuese CEFTA për levizjen e lirë të mallrave dhe shihet fare qartë se si ka përfituar Serbia në kurriz të Shqipërisë dhe ndonjë vendi tjetër nga rajoni në bilancin tregtar apo e dhëna tjetër se si këto vende në bllok ende e kanë të orientuar tregtinë në masë dërrmuese drejt vendeve të BE-së si Italia dhe Greqia dhe shumë më pak mes tyre. Për mos të folur për taksën e qeverisë së Kosovës ndaj Serbisë që e bën lëvizjen e fundit të shahistit Rama edhe më surreale.
Ja fusin pak kot kur marrin si shembull vendet e Beneluksit që krijuan treg të përbashkët mes vedi dhe madje dhe unifikim doganor qysh në periudhën mes dy luftërave botërore dhe shëebyen më pas si bosht qëndror i 6-çes fillestare që krijoi Traktatin e Qymyrit dhe Çelikut apo vendeve të Vishegradit që i kishin zgjidhur me kohë problemet territoriale mes tyre dhe nuk kishte fjala bie Hungaria një “Transilvani” sllovake të mëvetshme dhe sovrane në ato 3500 milje katrorë në kufi që e njihte ajo dhe nja 115 shtete botërore por e kontestonte fuqishëm Sllovakia nga ana tjetër. Madje dhe çështja e Transilvanisë “origjinale”, pra asaj që sot ndodhet në Rumani ka marrë me kohë dhe vakt zgjidhje të përhershme dhe nuk është objekt rishikimi kufijsh por trajtohet e shumta në kuadër të ruajtjes së të drejtave të minoritetit hungarez aty, ngjashëm me Vojvodinën në Serbi.
Gjithsesi, lajmi i mirë është se Kosova nuk ka veto për t’i bashkangjitur klubit tresh nëse ndryshon mendje tha me vetbesim Edi the guy, a thua po fliste për ndonjë republikë të Azisë Qëndore dhe jo Kosovën fqinje. Apo nga amnezia harroi mungesën e Malit të Zi dhe Bosnje-Herzegovinën që kanë rezerva po aq të forta për këtë klub të fortësh ballkanikë me konture të neojugosllavizmës. Që situata nuk është rozë as mes vendeve fiqnjë ballkanikë kjo nuk do as mend, as kalem. Mjafton të shohim radhën e gjatë të kushteve me të cilat Bullgaria i’a vë kufirin te thana Maqedonisë Veriore, të cilat mjaftojnë për ta shtyrë antarësimin e kësaj të fundit në “kalendat greke” edhe sikur negociatat të hapeshin nesër nga kjo e fundit.
Problemi është se kryeministri-ministër i jashtëm me profesion të mëparshëm piktor me shqyrtarin e tij zëvendës-ministër të komanduar ministër de facto nuk para i njohin punët e ngatërruara të Ballkanit dhe i shohin ravijëzimet territoriale dhe ndasitë etnike, religjioze, kulturore dhe lokale si bojëra të hedhura kùtùrù nëpër telajo. Në fakt, Shqipëria si një vend i vogël, me probleme të shumta që nisin nga konflikti i ashpër politik, anarkia institucionale, mungesa e funksionimit të shtetit të së drejtës apo ekonomia e paqëndrueshme nuk ka luksin mos të ketë dhe një politikë të jashtme efektive.
Kjo politikë e jashtme duhet të jetë e mirë-koordinuar me aleatët strategjikë dhe e aftë për të nxitur procesin e integrimit në BE dhe kapur stacionin e radhës pas tre dekadash të humbura në pyllin e paqartësisë, retorikës me xhiro bosh dhe mungesës së kohezionit dhe qëndrueshmërisë. Por përpara se të ketë një strategji dhe objektiva të qarta duhet investuar në një korpus diplomatësh të aftë, inteligjentë, të përkushtuar dhe me integritet pasi në fund të fundit komb-shtete periferikë në punët e botës, vetëm me burimet njerëzore mund të dalin në selamet dhe të kenë njëfarë kontributi të përfillshëm që do të ndërtojë dhe ruajë interesin kombëtar.