Nga Boldnews.al
Kryeministri Edi Rama foli gjatë në Parlament, e tha hapur, pa drojë, por si një lider i madh rajonal e përtej rajonales. “Europa nuk na do, ne ishim dhe jemi gati, i kemi plotësuar kushtet”-tha Rama në lidhje me hapjen e negociatave me BE-në.
Nëse do ti marrim një e nga një “arritjet” që na parashtroi kryeministri, Europa ose na ka zili për ecurinë e madhe pozitive që ka Shqipëria, ose i ka të “lidhura sytë” për të konstatuar Shqipërinë që zhvillohet nga të gjithë anët…
Droga. Po, në bujqësi ne këmi ecur përpara, kanabis mbollëm masivisht në vitet 2016-2017, është mbjellë masivisht edhe përgjatë muajve të fundit. Europa nuk e sheh këtë pjesë të zhvillimit? A nuk i mjaftojnë që vetëm në një dorë të kapë në det në Greqi 2.5 ton kanabis? Pse nuk e quan zhvillim, madje me një hop cilësor në përfshirjen e grupeve të fuqishme kriminale edhe në trafikun e kokainës? A nuk e sheh Europa sesi Porti i Durrësit është kthyer në një magazinë të madhe narkotikësh? Çfarë do më shumë në këtë drejtim. Nuk i mjaftojnë grupet kriminale shqiptare, të lidhura me politikën drejtuese në vendin tonë?
Korrupsioni. Po si mundet që Europa mos e shohë zhvillimin tonë në fushën e korrupsionit? Koncesione rrugësh, abuzime në administratë, batërdi në hipoteka dhe legalizime. Zyrtarë të lartë të Rilindjes që notojnë mbi paranë e mitmarrjes, ministra e ish-ministra që shfaqen në çdo tender abuziv. A nuk është arritje e madhe kjo, që vjedhja është kthyer në sistem të pathyeshëm, abuzime me pronat publike është mënyrë qeverisjeje. Një kilometër rrugë këtu në Shqipëri kushton 20 milionë euro, ndërsa në atë Europën që duam të integrohemi kushton dyfish më pak dhe me cilësi edhe më të mirë. Ata janë pas në këtë drejtim, ne jemi edhe më të zhvilluar teksa paraja publike derdhet lumë, ku në fund shkon në rrjedhën ku kanë zënë pritë qeveritarët. Jemi vendi i dytë në Europë për burime hidrike, por ujë në çezma nuk kemi, e për më shumë e paguajmë shtrenjt, ndërsa nuk mungojnë edhe sugjerimet e zëvendëministrave të Ramës që i rekomandojnë qytetarëve që të lahen një herë në javë. Zhvillim është edhe ky, të zhulosur, por krenarë.
Emigrimi. Një popull që numëron 3 milionë banorë rezidentë, në gjashtë vite të qeverisjes së kryeministrit Edi Rama i kanë emigruar 450 mijë njerëz. Të gjithë të pashpresë që iu drejtuan Europës. Për qeverinë tonë ky është zhvillim, por ata nuk e shohin. Mijëra të rinj sot dergjen nëpër kampet e azilantëve në Gjermani, Francë, Belgjikë apo Holandë. Janë në pritje të vendimit që do merret për ta, ndonëse shanset për të qëndruar janë të pakëta. Europa i ka aty, e sërish nuk e sheh këtë “zhvillim” të madh që ia arritëm në vitet e qeverisjes Rama.
Demokracia. Ne jemi vend unikal në Europë që votën e nxjerrim në tregun politik, ku monopolin e shitjes dhe blerjes e ka Partia Socialiste. Ky është një zhvillim ekonomik në thelb, pasi një herë në katër vite në zgjedhjet Parlamentare apo lokale, qytetarët shqiptarë vihen në radhë për të shitur votën. Në Dibër ajo shkoi deri në 40 mijë lekë të vjetra copa, sa katër palë brekë, të ngjashme me ato të Shukri Xhelilit, që u kap në një aferë seksuale në këmbim të një vendi pune. Dhe kjo pak të duket moj Europë? Pak të duket që “çunat problematik” shëtisnin si “grupi i gatshmi FNSH-së” për të shantazhuar dhe dhunuar këdo individ që mendon ndryshe dhe nuk i jep votën Rilindasve?
“Ka vende në BE që nuk e duan zgjerimin. BE është në debat të brendshëm, të imponuar nga dinamike e brendshme për zgjerimin dhe të lidhura me një periudhë të tërë krize që ka marrë tatëpjetën që prej shëpërthimit të lumit të refugjatëve. Shqipëria është shumë më gati seç kanë qenë disa vende të tjera. Ata nuk janë gati”-tha Rama. Në të vërtetë ata nuk janë gati, sepse ne i kemi plotësuar të gjithë kushtet për të qenë në Europë me meritë, për të gjithë ata pika që u renditën.