Qeveria miratoi vendimin për policimin vullnetar. Struktura të tilla kanë funksionuar në kohën e komunizmit, ose në vendet në diktaturë si p.sh në Kinën e Maos ose në ish-Bashkimin Sovjetik.
Propozimi për policët vullnetarë është bërë në 2017, kur propozohej një pr/ligj në Kuvend përmes të cilit kërkohet ngritja e strukturës së re që sipas propozuesve do të ishte një bashkim vullnetar i kontributeve të vetëofruara nga qytetarët, për t’i ardhur në ndihmë Policisë së Shtetit për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publik apo për përballimin e situatëve të emergjencave civile.
Në diktaturë përdorej “i gjithë populli ushtar”, sot në qeverisjen e Ramës do të kemi “i gjithë populli armik”.
Duket se pas punës vullnetare që ka nisur të aplikohet në disa nga bashkitë e vendit, tashmë me vendim qeverie do të kemi edhe policë vullnetarë.
Sipas vendimit, shërbimi i policimit vullnetar funksionon në mbështetje të strukturave vendore të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunon me këto të fundit me qëllim:
a) sigurimin dhe garantimin e rendit publik në aktivitetet me karakter masiv, si tubime, koncerte, festivale, aktivitete sportive dhe organizime fetare;
b) dhënien e ndihmës për menaxhimin e trafikut rrugor në qendrat urbane dhe rurale;
c) dhënien e ndihmës për rritjen e sigurisë publike pranë institucioneve arsimore;
ç) kontrollin e territorit, mbështetjen e patrullimit policor për parandalimin e krimit dhe ndërhyrjen ndaj shkeljeve të ligjit;
d) përballimin dhe menaxhimin e situatave të emergjencave civile, fatkeqësive natyrore, si dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit me karakter masiv.
Polici vullnetar e kryen veprimtarinë e tij nën mbikëqyrjen e punonjësit të Policisë së Shtetit, i cili caktohet nga drejtuesi i strukturës vendore.
Kryerja e shërbimit të policimit vullnetar është i papajtueshëm me funksionet e gjyqtarit, prokurorit, përmbaruesit gjyqësor, drejtuesit në strukturat politike, punonjësit në institucionet e sigurisë kombëtare apo publike, të shërbimit të provës, të policisë së burgjeve dhe të Gardës së Republikës.
Kriteret e përgjithshme të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë, si më poshtë:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar;
c) Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit apo i larguar nga administrata publike;
ç) Të ketë përfunduar arsimin e mesëm;
d) Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
dh) Të jetë i moshës nga 18 deri në 65 vjeç, në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën.
Kriteret e veçanta të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë, si më poshtë vijon:
a) Të ketë përfunduar trajnimin e detyrueshëm me vlerësim pozitiv, si dhe të jetë i certifikuar nga Akademia e Sigurisë;
b) Të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë.
Referuar vendimit, polici vullnetar ka të drejtë:
a) të njihet paraprakisht me të drejtat, detyrimet, përgjegjësitë e shërbimit të policimit vullnetar, si dhe me sanksionet në rast të mospërmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga ky vendim dhe nga kontrata individuale e vullnetarizmit;
b) të rimbursohet për shpenzimet e kryera gjatë orarit të shërbimit apo jashtë qendrës së banimit, në ndihmë të strukturave policore;
c) të pajiset me veshje, shenja dalluese dhe pajisje të tjera ndihmëse, të përcaktuara me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në përputhje me natyrën e aktiviteteve të vullnetarizmit dhe shërbimeve që do të kryejë;
ç) të kërkojë në mënyrë individuale vlerësim ose vërtetim pjesëmarrjeje për kontributin e punës vullnetare të dhënë prej tij nga struktura vendore e policisë;
d) të kryejë trajnime falas në Akademinë e Sigurisë, sipas programeve të miratuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Polici vullnetar gjatë shërbimit dhe/ose jashtë tij ka përgjegjësi:
a) të ndjekë programin e trajnimit të detyrueshëm;
b) të marrë pjesë në trajnime që organizon Policia e Shtetit, për të përmirësuar cilësinë e punës e të shërbimit;
c) të kryejë aktivitetin e vullnetarizmit i paarmatosur, në përputhje me rregullat, udhëzimet dhe kërkesat e etikës së punonjësve të Policisë së Shtetit;
ç) të ruajë sekretin profesional, si dhe konfidencialitetin e të dhënave personale, me të cilat njihet gjatë angazhimit, si polic vullnetar;
d) të zbatojë detyrat dhe udhëzimet e dhëna nga mbikëqyrësi në nivel vendor i Policisë së Shtetit, përveç rasteve kur:
i. janë në kundërshtim me ligjin;
ii. paraqesin rrezik për jetën dhe shëndetin e vullnetarit, si dhe atë të njerëzve të tjerë;
iii. konsiderohen moralisht të papranueshme nga ana e vullnetarit;
iv. vijnë në kundërshtim me kontratën e vullnetarizmit;
dh) të njoftojë përfaqësuesin apo mbikëqyrësin e Policisë së Shtetit, në lidhje me pasojat, kur ndodhet përpara zbatimit të urdhrave që mund t’i shkaktojnë dëme të shëndetit ose jetës së tij.
Gjatë shërbimit, polici vullnetar mban përgjegjësi për dëmin e shkaktuar nga veprimet e tij të kryera në kundërshtim me ligjin.
Polici vullnetar kryen shërbime publike në mbështetje të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është përgjegjëse për përzgjedhjen, trajnimin, organizimin, drejtimin dhe trajtimin e policit vullnetar, duke u siguruar që:
a) të trajnojë paraprakisht kandidatët që do të certifikohen si të aftë për të kryer detyra në ndihmë të Policisë së Shtetit;
b) të sigurojë kushte normale pune për policin vullnetar, gjatë kryerjes së detyrave në bazë të kontratës së shërbimit vullnetar;
c) të ruajë dhe të sigurojë konfidencialitetin e të dhënave dhe mbrojtjen e privatësisë së policit vullnetar;
ç) të rimbursojë shpenzimet e kryera nga polici vullnetar gjatë punës vullnetare, sipas akteve nënligjore në fuqi për trajtimin me dieta, njëlloj si punonjësit e policisë;
d) të lëshojë vërtetim me shkrim për kohën e punës që ai ka shërbyer si polic vullnetar;
dh) të ofrojë bazën e nevojshme materiale për kryerjen e aktivitetit të vullnetarizmit;
e) të sigurojë plotësimin e kushteve të nevojshme për respektimin e të drejtave të policit vullnetar;
ë) të trajtojë policin vullnetar sipas përcaktimeve të bëra në nenin 106 të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar;
f) të pajisë policin vullnetar me dokument identifikimi, lidhur me statusin që ai gëzon, sipas modelit të përcaktuar me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.