Nga Ledio Braho
Kushtetuta parashikon shtatëmbëdhjetë organe kushtetuese që funksionojnë në Republikën e Shqipërisë dhe për shkak të këtij fakti mund të themi se janë dhe organet më të rëndësishme në vend. Është pikërisht zgjedhja dhe funksionimi i këtyre organeve që garantojnë edhe zbatimin e parimeve kushtetuese në vend, siç është ai i ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor; zgjedhjet e lira, të barabarta, të përgjitshme e periodike; sovraniteti i popullit; pluralizmi politik; liria e besimit; prona private; ekonomia e tregut; liria e veprimtarisë ekonomike; si dhe të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Është mënyra e zgjedhjes, përcaktimi i mandateve dhe pavarësia/ndërvarësia mes këtyre organeve që garantojnë edhe zbatimin e parimeve kushtetuese në vend.
Nga një statistikë e thjeshtë, janë shtatëmbëdhjetë organe kushtetuese ku vetëm nëntë prej të cilave janë zgjedhur në përputhje me Kushtetutën dhe nga këto pesë janë zgjedhur pa pjesëmarrjen e opozitës. Katër prej këtyre organeve i përkasin pushtetit gjyqësor, më konkretisht Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe dy organet që janë me mandat të përkohshëm dhe kanë për kompetencë vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend – institucionet e Reformës në Drejtësi.
Nga tetë organet e tjera kushtetuese, tre prej tyre janë tërësisht jofunksionalë, ku përfshihet Gjykata Kushtetuese, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Prokuroria e Posaçme (SPAK), që sërish i përkasin pushtetit gjyqësor, madje Gjykata Kushtetuese, për shkak se zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën intepretimin përfundimtar të Kushtetutës duke ju nënshtruar vetëm kësaj të fundit, ka një rol specifik në hierarkinë e organeve kushtetuese.
Nga pesë organet e tjera kushtetuese që mbeten, duhet të theksojmë që gjykatat nuk janë në funksionalitet të plotë për shkak të mosfunksionimit të Gjykatës së Lartë dhe për shkak të vakancave në gjykatat e shkallëve të para dhe ato të apelit. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe e Gjykatës së Lartë si dhe mosfunskionimi i duhur i gjykatave të shkallëve të para dhe atyre të apelit ka ardhur si pasojë e mënyrës së zbatimit të vettingut sipas parimit top-down (nga lartë poshtë) që sjell si rezultat shkatërrimin e sistemit, por që nuk parashikon zgjidhje tranzitore dhe pikërisht kjo po ndodh në Shqipëri.
Organ tjetër që është edhe më thelbësori në një republikë parlamentare është Kuvendi, që për shkak të djegies së mandateve nga opozita e bashkuar, nuk ka në përbërje të tij 140 deputetë dhe nuk mundet objektivisht ta arrijë këtë numër deri në fund të kësaj legjislature. Sa i përket Kuvendit, nuk duhet lënë pas dore as sjellja parlamentare dhe politike e “opozitës së re” që për çështje si ajo e komisionit hetimor për veprimtarinë e Presidentit të Republikës apo ashpërsimin e një sërë veprash penale duke amenduar K.Penal, ka mbajtur të njëjtin qëndrim me mazhorancën. Një Kuvend i tillë, si objektivisht për shkak të numrit, por edhe subjektivisht për shkak të linjës politike të mbajtur, e bën atë që të mos jetë përfaqësues i sovranit në kuptimin kushtetues të tij.
Qeverisja vendore ushtrohet nga kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë, tashmë të dalë nga votimet e 30 qershorit që nga ana e opozitës së bashkuar dhe Presidentit të Republikës nuk njihen si organe legjitime. Po ashtu edhe raporti i OSBE-ODIHR ka hedhur shumë hije dyshimi në lidhje me ligjshmërinë e votimeve të 30 qershorit duke e lidhur edhe me mungesën e Gjykatës Kushtetuese si i vetmi organ kompetent për gjykimin dekretit të Presidentit, linjë kjo që u mbajt edhe nga Gjermania në lidhje me kushtet që u vendosën për hapjen e negociatave.
Prokurori i Përgjithshëm është gjithashtu një organ kushtetues i zgjedhur në kundërshtim me Kushtetutën dhe me mandat të përkohshëm që po shndërrohet në të përhershëm. Roli i këtij organi është thelbësor në përfaqësimin e akuzës dhe për aq kohë sa shumica e akuzave në shumë dosje që i përkasin lirisë së votës apo hetimit të “peshqëve të mëdhenj” janë devijuar nga hetimi serioz me absurditete procedurale, tregojnë më së miri që zgjedhja e këtij organi në kundërshtim me Kushtetutën shkon vetëm në një drejtim – mungesën e pavarësisë së tij kushtetuese.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) është një tjetër organ kushtetues, krijimi i të cilës është shtyrë pafundësisht dhe ende nuk ka një afat konkret se kur do fillojë funksionimi. Pavarësisht vullnetit në dukje për nisjen e funksionimit të SPAK, mjafton një logjikë e thjeshtë që për aq kohë sa funksionarët publikë që do të hetohen prej saj janë pjesë e mazhorancës qeverisëse, është pikërisht kjo e fundit që nuk e ka vullnetin për një Prokurori të Posaçme të pavarur dhe të trajnuar nga partnerët ndërkombëtarë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në cilësinë e institucionit më të lartë të kontrollit ekonomik e financiar, ka sot në detyrë një kryetar që i ka mbaruar mandati që në dhjetor të vitit 2018, pra sërish një institucion kushtetues me mandat tej parashikimeve kushtetuese dhe nga sa duket për aq kohë sa do të ketë mosmarrëveshje me Presidentit të Republikës dhe mazhorancës, do të vazhdojë i njëjti kryetar tej afatit.
Nga analiza sa më sipër, del qartë që pushteti gjyqësor është jofunksional në hallkat e tij më kryesore ose me të emëruar vetëm nga mazhoranca qeverisëse dhe në rastin e Prokurores së Përgjitshme jemi në kushtet e një emërimi antikushtetues. Pushteti legjislativ është monopartiak për aq kohë sa për çdo iniciativë ligjore apo procedurë parlamentare që ka nevojë për shumicë të cilësuar ajo arrihet lehtësisht. Pushteti ekzekutiv (Këshilli i Ministrave), për herë të parë në historinë e tij, ka në përbërje më shumë se tridhjetë përqind të anëtarëve të tij të pavotuar nga populli dhe pa një karrierë politike të provuar.
Ajo se çka është edhe më domethënëse në këtë sistem institucional të larguar më shumë se kurrë tashmë nga sovrani, është fakti që sistemi zgjedhor proporcional me lista të mbyllura dhe me një mungesë të theksuar transparence në financimin e partive politike të cilat nuk karakterizohen as nga zgjedhjet demokratike brenda vetes, tregon më së miri që “demokracia” në Shqipëri vazhdon thjesht për inerci dhe për shkak të mungesës së reagimit popullor.
Shqipëria sot është në kushtet e krizës kushtetuese më të thellë që vendi ka njohur gjatë periudhës tranzitore, është hera e parë që vendi për më shumë se dy vite nuk ka një Gjykatë Kushtetuese që të garantojë të drejtat kushtetuese të individit dhe të organeve. Vullneti i mazhorancës për të shkarkuar të vetmin organ kushtetues që i ka dalë kundër në uzurpimin e të gjitha pushteteve dhe zëvendësimi sa për sy e faqe i opozitës reale me atë fiktive, tregon se Shqipërisë jo vetëm që nuk do t’i hapen negociatat me BE, por do t’i vendoset gozhda e fundit në arkmortin e demokracisë së brishtë që ka pasur deri para pak kohësh.
Demokracitë lindin dhe zhvillohen nga vota e lirë. Nëse mund të ketë dialog politik për datën e zgjedhjeve, kurrsesi nuk mund të ketë dialog politik për hetimin dhe ndëshkimin e kujtdo që cënon lirinë e votës. Shqipëria sot ka nevojë për një prokurori dhe pushtet gjyqësor të pavarur që të hetojë dhe ndëshkojë ata që cënojnë lirinë e votës si baza e demokracisë dhe Kushtetutës. Në të kundërt edhe pak kohë do duhet të kalojë që nga kriza kushtetuese të kalojmë te pyetja retorike “Quo vadis Kushtetuta?”.