Byroja Kombëtare e Kuvendit të Shqipërisë synon të marrë masa mbrojtëse ndaj protestave, që mund të zhvillohen në Shqipëri në vijim.
RRITJA E SIGURISË
Në vitin e ardhshëm, Kuvendi synon të investojë 80 milionë lekë të rinj për të blinduar dyert dhe dritaret e Kryesisë së godinës së seancave plenare. Kjo kërkesë vjen pas shqetësimeve të ngritura nga Garda e Republikës së Shqipërisë gjatë protestave të vitit 2019. “Për vitin 2020, duke pasur parasysh protestat dhe trazirat e ndodhura gjatë vitit 2019, është vënë në dukje dhe nga Garda e Republikës se mungojnë masat e sigurisë, si rrjeta metalike dhe xhama të blinduar. Kërkohet të vendosen dritare me xham të blinduar 186 copë dhe grila metalike 256 copë, në vlerë totale 57,1 milionë lekë. Vendosje dyersh të blinduara 47 copë, me vlerë 22.9 milionë lekë”, shkruhet në dokumentin e Byrosë së Kuvendit, të siguruar nga gazeta “Panorama”.
Këto nuk janë ndërhyrjet e vetme që në relacionin e Byrosë së Kuvendit kërkohet të bëhen në dy vitet e ardhshme. Në relacionin e planifikimit të buxhetit për dy vitet që vjen, byroja parashikon që të shpenzohen 161 milionë lekë të rinj për rikonstruksionin e godinës së Parlamentit, ku zhvillohen seancat plenare. “Godina e seancave plenare të Kuvendit është Monument Kulture i Kategorisë II, me kod II-046 dhe ndodhet brenda zonës së mbrojtur të qendrës historike të Tiranës. Rikonstruksione të pjesshme i janë bërë në vitin 2010 dhe hidroizolimi tarracës në vitin 2014, ndërsa planifikohet që, përveç ndërhyrjeve ndërtimore të domosdoshme, të kryhet dhe rikonstruksion në rrjetin elektrik, punime për sistemin MNZSH dhe punime ngrohje-ftohje ventilim”, shkruhet ndër të tjera në dokument.
INVESTIMET PËR DIXHITALIZIMIN
Me avancimin e proceseve teknologjike, në këtë relacion të Byrosë së Kuvendit sillet ndër mend nevoja për të investuar edhe në këtë sektor. Kryetarit të Kuvendit i është propozuar që të investohen rreth 26 milionë lekë të rinj për blerjen e aplikacioneve, që bëjnë regjistrimin e aktiviteteve të komisioneve parlamentare dhe seancave plenare. “Kuvendi i Shqipërisë, në arkivin e tij disponon dhe ruan 220 bobina dhe 2.999 audiokaseta, me regjistrim zanor, të cilat përfshijnë veprimtarinë parlamentare që nga viti 1991, deri në shkurt të vitit 2008. Pas këtij viti, regjistrimi zanor është realizuar me CD dhe DVD. Duke qenë se këto materiale degradojnë dhe bëhen të papërdorshme me kalimin e kohës, për shkak të mjedisit, hapësirave ku ruhen, zhvillimit me ritme të larta të teknologjisë etj., kërkohet projektimi dhe zhvillimi i aplikacioneve te dedikuara, për të ndjekur, ruajtur dhe administruar asetet mediatike dhe menaxhimin dixhital të tyre, për t’i mundësuar edhe publikut aksesin në çdo kohë. Për vitin 2019 janë planifikuar 15.9 milionë lekë dhe në vitin 2020 kërkohen 10 milion lekë për të përfunduar këtë projekt”, thuhet më tej në dokumentin e Byrosë së Kuvendit, të miratuar të enjten.
SHPENZIME LUKSI
Përpos investimeve në blindimin e dyerve e dritareve të Kuvendit dhe investimeve në teknologji, Byroja e Kuvendit të Shqipërisë ka propozuar edhe shpenzimin e 17 milionë lekëve të rinj në vitin 2020, për të blerë tri automjete dhe 6 milionë lekë në 2021 për të blerë dy automjete. “Në vetvete, ky projekt është në vazhdim, pasi është në kuadër të strategjisë së zëvendësimit të autoveturave të amortizuara, që kanë mbi 10 vjet përdorim dhe që janë bërë joeficiente në përdorim, pasi kërkojnë shpenzime mirëmbajtjeje gjithnjë e në rritje dhe nuk realizojnë qëllimin e institucionit (janë autovetura që shërbejnë për pritje e përcjellje delegacionesh, nuk sigurojnë kushte normale komode të udhëtimit etj.).
Në vitin 2017 janë blerë 3 autovetura me një vlerë totale 9.4 milionë lekë; Në vitin 2018 janë blerë 4 autovetura me një vlerë totale 35 milion lekë; Për vitin 2019 është vendosur nga Byroja përdorimi i 18 milionë lekëve për blerje autoveturash (nga 38 milionë lekë të akorduara nga buxheti), me të cilat është planifikuar të blihen 5 autovetura; Në vitin 2019 janë bërë kalime kapitale 8 autovetura, me vlerë fillestare 23,5 milionë lekë dhe vlerë të mbetur zero lekë;
Për vitin 2020 janë planifikuar 17 milionë lekë për blerjen e 3 autoveturave dhe në vitin 2021, blerja e 2 autoveturave në vlerë 6 mln lekë, duke e përfunduar kështu procesin e rinovimit të autoveturave të Kuvendit. Si rezultat i këtij projekti, në Kuvend nuk do të ketë autovetura të viteve para 2012″, thuhet më tej në dokumentin e Byrosë së Kuvendit.
KOMPLEKSI I RI PARLAMENTAR
Këto planifikime shpenzimesh, Byroja e Kuvendit thekson se do t’i anulonte në rast të miratimit të projektit për Kompleksin e ri Parlamentar. Sipas këtij dokumenti, Kompleksi i ri Parlamentar, me një afat ndërtimi për 4 vite, do të kapte një vlerë totale ndërtimi prej 11 miliardë lekësh. “Ndërtimi i Kompleksit të ri Parlamentar do t’u japë zgjidhje përfundimtare problematikave, që kanë të bëjnë me hapësirat dhe kushtet e pamjaftueshme për zhvillimin e aktivitetit normal të punës së Kuvendit të Shqipërisë, të cilat kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e punës dhe shqyrtimin e nismave ligjore në funksion të procesit ligjbërës dhe ushtrimit të funksionit të tij kushtetues. Krijimi i hapësirave dhe ambienteve të nevojshme, rritja e transparencës së Kuvendit dhe krijimi i standardeve europiane lidhur me zbatimin e teknologjive te reja, janë vetëm disa nga aspektet pozitive që synon të sjellë ky projekt për Kompleksin e ri Parlamentar”, thuhet mes të tjerave në dokumentin e Kuvendit.