Presidenti Ilir Meta nuk ka asnjë koment lidhur me draft raportin e Komisionit të Medias të publikuar dje në media.
Në një intervistë për Ora News Meta deklaroi: “Kam zero koment. E kam shteruar me kohë edhe si President dhe institucion mbrojtjen e shkëlqyer parimore që i kemi bërë Kushtetutës dhe pluralizmit politik sipas Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut”.
Intervista u dha nga qyteti i Krujës, ku kreu i shtetit ndodhej me rastin e festës së Ashures.
Intervista
Ora News: Zoti President sot erdhët në Krujë për festën e ashurës. Një mesazh?
Ilir Meta: Është një ditë e mrekullueshme sepse lidhet edhe me ditën e turizmit dhe ku ka një vend më të përsosur dhe me harmoni sa i takon turizmit natyror, historik dhe kulturor të besimeve sesa Kruja. Aq më tepër që sot është edhe dita e ashures dhe patëm kënaqësinë dhe privilegjin me kryegjyshin botëror për ta festuar sëbashku edhe me komunitetin e mrekullueshëm të Krujës.
Ora News: Përveç festës së ashures dhe mesazhit që ju dhatë kemi interes t’ju pyesim edhe për çështjen e ditës që është opinioni i Komisionit të Venecias. Në fakt duhet të dilte nesër, ka rrjedhur në shtyp që dje, keni një koment?
Ilir Meta: Kam zero koment për këtë çështje sepse e kam shteruar me kohë edhe si president, por edhe si institucion mbrojtjen e shkëlqyer dhe parimore të Kushtetutës, pluralizmit politik, të drejtës së zgjedhjes sipas vetë Këshillit të Europës, Konventes Europaine të të drejtave të Njeriut, sipas detyrimeve të pashmangshme që burojnë nga marrëveshja e Shqipërisë me BE për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, edhe sipas vetë vendimit të qartë që ka marrë Gjykata e Strasburgut për të sqaruar se zgjedhje nuk do të thotë procedurë dhe proces mekanik votimi, pra pa alternativë, por do të thotë mundësi për të ndikuar, për të zgjedhur, zgjedhje në kuptimin substancial. Jemi të qartë për këtë çështje dhe lidhur me idenë e një drafti që ka rrjedhur është gjëja më e parëndësishme.
Kur stafi ynë do të qartësohet se cili është drafti, i cilës datë është, apo do të vijë siç qarkulloi me data të ndryshme, përsëri përgjigja e institucionit të Presidentit do të jetë publike dhe për këtë draft dhe do të jetë në dispozicion të qytetarëve, të të gjithë partnerëve ndërkombëtarë dhe në dispozicion të të gjithë anëtarëve të Komisionit të Venecias. Por nuk ka asnjë shqetësim. Shqetësimi zero. Presidenti i Republikës ka kam bërë zero shkelje të Kushtetutës dhe ka bërë një mbrojtje të shkëlqyer të Kushtetutës dhe të pluralizmit politik.
Ora News: A i trembet Venecias kreu i shtetit?
Ilir Meta qesh: Si mund ti trembet Venecias Luani i Artë i Venecias të paktën për këtë vit. Të jeni të sigurtë se Luani i Artë i Venecias për këtë vit do të jetë siç e ka mbajtur premtimin deri më 24 korrik.
Ora News: Vazhdoni ti qëndroni kësaj date?
Ilir Meta: Kjo është një gjë ka përfunduar. Askush të mos lodhet dhe të mos merret me datën 11. Nuk ekziston data 11. Data 11 ekziston për ata që duan të zgjasin krizën, ta thellojnë atë dhe që duan të mbulojnë shumë probleme të tjera. Për presidentin Meta ka vetëm një datë të rëndësishme, data 18, në mënyrë që Shqipëria të ketë mundësi të çelë ecë drejt çeljes së negociatave dhe të plotësojë të gjitha detyrimet që janë të qarta dhe qënuk duhet të shtohen më. Apeli im është që të gjithë të përqëndrohen në zgjidhjen e krizës dhe të marrin shembull nga presidenti në respektimin e Kushtetutës dhe parimeve të saj të cilat janë të shenjta për mua.
Çmimi “Luani i Artë
Më 13 korrik 2019 Presidenti Ilir Meta u vlerësua në Venecia me Çmimin Ndërkombëtar “Luani i Artë”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributeve të tij për promovimin e demokracisë dhe pluralizmit politik, për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, për promovimin e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare, si edhe për forcimin marrëdhënieve italo-shqiptare”.