Petrit Vasili, nënkryetar i LSI-së, ka reaguar lidhur me situatën që ndodhet vendi pas tërmetit të djeshëm. Vasili i ka kërkuar Kryeministrit Edi Rama që të shpallë gjendjen e emergjencës civile, si dhe të ndërpresë show televiziv.
“Qeveria shqiptare sot ka konsumuar orë të tëra me kryeministrin shqiptar, mbi 4 orë në media, ndërkohë që shqiptarët të gjithë nuk kanë nevojë për të dëgjuar më mbledhje kilometrike, nuk kanë nevojë më për shown kilometrik. Kanë nevojë për komunikim operativ të menjëhershëm, fakte konkrete dhe njerëz në tërren”, tha Vasili.
Vasili theksoi se përderisa ky tërmet është i këtyre dimensioneve, i këtyre përmasave, i cili ka shqetësuar edhe opinionin ndërkombëtar, duhet të ishte shpallur gjendja e emergjencës civile.
“Shqipëria ndodhet dhe po kalon momente shumë të vështira pas një tërmeti, i cili nuk ishte parë dhe nuk ishte provuar prej gati 30 vitesh, një tërmet shumë i rëndë dhe besoj një histori, nga më tronditëset, me të cilën janë përballur qytetarët shqiptarë, të cilët sot duhet të jenë më solidarë se çdo herë me njëri-tjetrin, por njëherazi duhet të jenë dhe shumë të kujdesshëm se një ditë më parë për shkak të një situate, e cila solli një moment shumë të vështirë, por ende është një situatë, e cila kërkon një përkujdesje shumë të madhe për daljen prej saj sepse dhe ky është një moment tepër delikat dhe i vështirë.
Lidhur me përballimin e situatës, sigurisht që përgjegjësia kryesore, e drejtpërdrejtë është e qeverisë shqiptare. Qeveria shqiptare sot ka konsumuar orë të tëra me kryeministrin shqiptar, mbi 4 orë në media, ndërkohë që shqiptarët të gjithë nuk kanë nevojë për të dëgjuar më mbledhje kilometrike, nuk kanë nevojë më për shoën kilometrik. Kanë nevojë për komunikim operativ të menjëhershëm, fakte konkrete dhe njerëz në tërren. Nuk kanë nevojë shqiptarët që të kenë prefektet e tyre të mbledhur në mbledhje të pafundme të kryeministrit, por i kërkojnë të jenë atje në terren. Nuk i kërkojnë bashkitë të vijnë e të mblidhen së bashku dhe deputetët të bëjnë sikur bëjnë ndarjen e punës dhe kjo ndarje pune duhet të ishte mbaruar që mbrëmë në orën 11:00 apo 12:00 të natës apo më përpara dhe sot të gjithë duhet të ishin në terren.
Sot, nuk ka më nevojë që shqiptarët të shikojnë sesi kryeministri bën dhe inxhinierin e ndërtimit e specialistin e ndërtimit e të gjitha specialitetet e botës në vend që të bëjë detyrën e tij të organizimit dhe të organizimit të strukturave, të cilat kanë përgjegjësi shtetërore për të mbajtur situatën në kontroll dhe për të kaluar pasojat.
Qytetarët nuk kanë nevojë për të dëgjuar mbledhjet e kryeministrit, kanë nevojë për informacion sistematik, me një periodicitet çdo gjysëm ore që jepet nga një institucion i centralizuar, një shtab qendror i centralizuar që ka tagrin të informojë, i cili merr informacione jo vetëm nga burimet shtetërore, sigurisht të konfirmuara edhe nga institucionet e tjera edhe shkencore që informojnë mbi gjendjen, japin informacion real dhe të vërtetë të situatës, e cila duhet të jetë e pregatitur, e parapërgatitur. Kjo eviton sigurisht edhe panikun në ato raste ku ai mund të ishte i panevojshëm, por njëkohësisht është edhe një komunikim konkret për një popullat të tërë i cili ndodhet në alert.
Sigurisht që kjo situatë kërkon një solidaritet, por të zëvëndësosh punën e drejtpërdrejt në tërren, praninë e drejtpërdrejt në terren, përgjegjësitë konkrete të çdo trupe që operon në terren, trupe të ministrisë së Brëndshme, trupe të ministrisë së Mbrojtjes, trupe të Emergjencave Civile, trupa që ka të bëjë me shëndetësinë, gjithë trupa administrative e cila natyrshëm në momente emergjence merr detyra komplet të reja pasi i gjithë aparati shtetëror organizohet në fuksion të kësaj emergjence, ne dëgjojmë tani mbledhje të gjata sesi thonë ti shko andej, jo po më duket se është kështu dhe ti kalo andej”, tha Vasili.