“Fiks Fare” denoncoi veprimet e disa institucioneve dhe një avokati, i cili në rolin e sekserit, ka penguar një vendim Gjykate që të shkojë në Hipotekë.
Për muaj me radhë, avokati Ermal Hamataj pranon se e ka bllokuar zbardhjen e një vendimi, që urdhëronte Hipotekën e Lushnjës që të mos regjistronte një pallat 13 katësh, pasi ishte ndërtuar duke përdorur dokumente të falsifikuara.
Madje, avokati Hamataj pranon se ka marrë para’ nga disa palë në të njëjtin proces dhe i kërkon një avokati tjetër që ta paguajë vetëm të tërhiqet nga kjo çështje. Me zë dhe figurë, avokati thotë se “zgjedh të paguhem për një çështje nga 3 palë”, duke hedhur hije të forta dyshimi për ndërtimin e pallatit shumëkatësh në qytetin e Lushnjës, me dokumente tërësisht false.
Madje, skandali thellohet edhe më tej, pasi dokumentet e falsifikuara ndodhen prej 5 vitesh në Kadastrën e Lushnjës, megjithëse u faktua nga prokuroria se ishte false. Deri më sot, asnjë institucion nuk denjon të asgjësojë këto dokumente, duke sorollatur dhjetëra familje të varfra në Lushnjë, të cilat megjithëse janë pronarë të ligjshëm të një trualli, po sorollaten.
Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” u ankua zonja Anda Çela, nënë e dy fëmijëve jetimë. Bashkëshorti i ka ndërruar jetë disa vite më parë dhe prej shumë vitesh po lufton me disa institucione, por edhe individë, për të drejtën e saj: t’u gjejë fëmijëve një strehëz!
“Ne kemi përfituar një tokë truall 1500 metra katrorë. Bashkëshorti im ka ndërruar jetë para babai të vetë. Xhaxhai i burrit tim të ndjerë me kushëririn, këtë pronë e kanë marrë dhe e kanë tjetërsuar. Me anë të dy kontratave të shitblerjes kanë dalë që këto dy akte janë të falsifikuara. Këtë dokumente janë falsifikuar në Tiranë te noterja Mimoza Sadushi. Këto dy kontrata sikur janë nënshkruar te Mimoza Sadushi” tha denoncuesja.
Në kontrata thuhej se trualli i shitej dy personave, por çështja është hetuar nga prokuroria dhe është vërtetuar falsifiteti.
“Prokuroria erdhi te Mimoza Sadushi dhe bëri këqyrjen te regjistri i noteres. Nuk rezultoi se janë bërë te noterja. Këto kontrata janë bërë në rrugë. Noterja thotë që skam nënshkruar këto dy kontrata” thotë denoncuesja.
Mësohet se Prokuroria vendosu pushimin e procedimit penal, por faktoi pikërisht falsitetin.
“Këta falsifikatorët vazhdojnë të përdorin këto kontrata në Hipotekë. Akoma tentojnë të regjistrojnë. Kam shkuar në Hipotekë. Edhe drejtori nuk më priti mirë në 6 maj, dhe më tha nëse del humbës, do e regjistrojë pallatin. Si mund ta regjistrojë kur unë jam në procese gjyqësore” thotë ajo.
Pas denoncimit, Fiks Fare bisedoi me noteren Mimoza Sadushi.
“Këto dy kontrata noteriale nuk janë hartuar në këtë zyrë. Është përdorur emri im si notere, por realisht nuk janë hartuar nga kjo zyrë noteriale” tha ajo, ndërsa shtoi se “ato mund të jenë përdorur, konstatoj se janë kontrata shitblerje, që mund të jenë përdorur edhe në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive”.
Në fund, thotë se Gjykata, apo persona të interesuar mund të denoncojnë në prokurori dhe të fillojë çështja dhe do të jetë prokuroria ajo që mund të kërkojë asgjësimin. Gazetarët pyetën edhe prokurorin që ka hetuar këtë çështje, Arben Dyla. Ai tha se “nuk mund asgjësojmë një provë, pasi vendimi i prokurorit nuk është i formës së prerë”.
Qytetarja shkoi edhe në zyrën e Kadastrës në Lushnjë, për të pyetur nëse janë apo jo dy kontratat. Drejtori i thotë se këto dy kontrata janë në Hipotekë. Ai i thotë se nuk mund të kthejmë ato vendimmarrjet dhe se “përderisa nuk ka sigurim padie, nuk ka Zot lartë që të na pengojë të veprojmë”.
Gazetarët morën kontakte me drejtuesin e Kadastrës. Sipas Kadastrës “pasuria rezulton në pronësi të z.Kalem Çela dhe z.Ramadan Baballëku. Dy kontratat ndodhen në Kadastrën e Lushnjës dhe Çela dhe Baballëku janë bërë pronar me këto dy kontrata. Kadastra nuk ka bërë regjistrimi e Lejes së Ndërtimit të pallatit, por ka krijuar korrespondencë me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe jemi në pritje të përgjigjes. Zonjën Anda Çela e kemi orientuar që duhet të paraqes sigurim padie për këtë pasuri nga Gjykata”.
Në fakt, Gjykata e Lushnjës ka vendosur në favor të ankueses, madje duke urdhëruar edhe asgjësimin e dokumenteve. Por, Apeli i Vlorës e riktheu për rigjykim sërish në Lushnjë. Aktualisht është provuar që kontratat janë false, por institucionet ia hedhin fajin njëra-tjetrës për ti asgjësuar! E gjithë kjo situatë zvarritet prej vitesh me radhë, duke i sjellë një dëm financiar dhe moral nënës së dy fëmijëve jetimë.
Pas investigimit të Fiks Fare ku u faktua se pallati ishte ndërtuar me letra të falsifikuara, përfaqësues të firmës i kanë shkuar zonjës Anda për të bërë marrëveshje. Ata i kanë ofruar metra katrorë, por zonja nuk ka pranuar.
“Më erdhi fillimisht një avokat, më tha se erdhi ne emër të firmës, më ofroi marrëveshje por nuk pranova. Më pas më erdhi një nga pronarët e firmës, edhe ai më ofroi marrëveshje. Madje më tha se ka blerë gjykatën, por edhe avokatët e mi. Unë këtë firmën e kam paditur tani për pastrim të parave. Vetë në prokurorinë e Lushnjës dhe më presin shumë keq. Po i blejnë të gjithë… Kam zgjedhur një zyrë avokatie Jurisprudenca, por edhe te kjo zyrë kanë shkuar për t’i korruptuar” thotë qytetarja.
Pas kësaj bisede, një avokat sekser, ne emër të firmës që bëri pallatin që u ndërtua me letra false, i shkon zyrës së avokatisë që zgjodhi zonja Anda. Ai i thotë që të mos padisin firmën “Zdravo”, pasi do qëndrojnë për vite me radhë. Tregon se ai ka marrë pagesa edhe nga disa trashëgimtarë edhe nga firma.
“Unë zgjedh të paguhem 3 herë, sesa 1 herë” thotë ai. Madje, i kërkon kësaj zyre që bëjë si ai, të bëjë marrëveshje me firmën dhe të marrë shpërblim”.
***
Bisedë mes avokatëve të zonjës Anda Çela, dhe avokatit në rolin e “sekserit”, Ermal Hamataj
Avokati sekser – Këto janë zyrat e kësaj…
Zyra e Avokatisë “Jurisprudenca” – Jurisprudencës…
Avokati sekser – Asqeriu nga 7 apo 8 barqe që ishin atje që duhet tu merrte firmat, është kufizuar me tre dhe ka lënë të tjerët jashtë. Një nga të cilët është edhe mamaja e Denisit…
Zyra e Avokatisë “Jurisprudenca” – Po Anda.
Avokati i Anda Çelës – Po.
Avokati sekser – Dhe sot që po flasim, ne jemi arsyeja se përse ata nuk po hipotekojnë dot pallatin, sepse kemi një vendim të formës së prerë që është pjesë dhe Hipoteka dhe Hipoteka ka refuzuar që të japë Hipotekën e pallatit. Tani, nuk e di, juve në ça situate jeni me ata, ju kanë kërkuar gjë, u keni kërkuar gjë.
Avokati i Anda Çelës – Nuk kemi folur fare ne, ne s’kemi kontakt me ta, po të kemi nga një…
Avokati sekser – Me kë, me “Zdravon”?
Avokati i Anda Çelës – Po.
Avokati sekser – Nuk do të ofrohet kush nga “Zdravo”, ti maksimumi do humbasësh gjyqin, ta them me garanci, siç e kanë humbur 3 herë ata deri tani. Kur e fillova gjyqin, u mundova të bëj gjyqin me bashkëpronarët, mos të përfshij investitorin në mes, sepse unë e di shumë mirë që investitorë se ka problem ato 3-4 mijë euro apo 5 mijë euro për të më rrëzuar mua vendimin në shkallë, apo 5 mijë euro për të ma rrëzuar në apel. Ore ju keni pjesë, në gjyq, keni “Zdravon”.
Avokati i Anda Çelës – Po.
Avokati sekser – Dhe i keni kërkuar detyrim për tu njohur bashkëpronar. Ke bërë dy objekte…
Avokati i Anda Çelës – Po pra, ka disa objekte, jo dy.
Avokati sekser – Ka disa, po unë po marr këtë që i intereson dhe këtij, se unë i kam parë dhe padinë dhe të avokates më parë, që ndenji 4 vjet dhe s’u mor vesh se ça bëri më mbrapa, punë e të tjerëve. Pra nuk të duhet shumë që të merresh me “Zdravon”, fare mirë mund të merreshe me Kalem Çelën. Kjo të jep të drejtë më mbrapa që…
Avokati i Anda Çelës – Po njëlloj do të merreshim me Zdravon më mbrapa ne!
Avokati sekser – Po jo, se harron faktorin ti që është një firmë ndërtimi karshi një indidivi që do të paguajë 12 milionë lekë, apo 2 milionë lekë, sa jam paguar unë, dhe s’kam mundësi që të jep lart e poshtë, tani flasim për realitetin se çfarë ndodh. Tani ideja është a keni ju mundësi të flisni me ata (firmën) hajde gjeni një marrëveshje që të bëjmë këta të tre bashkë dhe të vemi atje, ti themi o zotëri…
Avokati i Anda Çelës – S’duan ata se mua më thanë se ka vajtur dikush, nuk e di kush ka vajtuar që i ka takuar…
Avokati sekser – Unë.
Avokati i Anda Çelës – Ndoshta ke qenë ti.
Avokati sekser – Unë kam qenë.
Avokati i Anda Çelës – Dhe më thanë që nuk e pranojmë këtë pjesë të marrëveshjes.
Avokati sekser – Ideja është këtu që nuk po vazhdoj procedurën që ta lejojë atë zotërinë, madje i kam thënë që kam marrë të gjitha firmat. Sepse unë kam dhe interesin tim. Tani të themi realitetin, unë jam avokat, s’më intereson shumë nëse marrin shtëpi apo s’marrin shtëpi ata. Po nëse gjej mundësi të paguhem nga dy persona të bëj të njëjtën punë, apo se tjetrës i bie në qafë, unë zgjedh këtë që paguhem nga 3. Marrëveshja me “Zdravon”, se e them me “Zdravon” se atë e quajnë Ylli njëherë.
Avokati i Anda Çelës – Po Ylli, ç’rëndësi ka, s’e kam idenë fare.
Avokati sekser – Nejse, marrëveshja me Yllin është e tillë që nëse do dakordësojë që ai tu japë hyrje, askush nga këta s’do të ketë pretendime për tokën.
Avokati i Anda Çelës – Ça plani konkret ke përshembull, ma shpjego mua.
Avokati sekser – Plani im është që kemi tre fise, dy të cilat i kam xha dhe një që e keni ju, të vemi atje dhe ti themi o zotëri, ne duam, po ja fus kot, nga 30 mijë euro, nga 40 mijë euro.
Avokati i Anda Çelës – Pse i jep ai kur i ka kaq të sigurta, pse do patjetër marrëveshje?
Avokati sekser – Sepse, do ta them me sinqeritet pse e do marrëveshjen patjetër?
Avokati i Anda Çelës – Normalë.
Avokati sekser – Sepse në rastin aktual ku jemi ne, marrëveshjen ai e kërkon duke më bindur dhe mua që unë mos të vazhdoj me procedurën e regjistrimit të vendimit. Kam dy muaj që mbaj Vendimin e Apelit (të Vlorës), po e bllokoj të mos vejë në Hipotekë. Ai nuk hipotekohet kurrë, kurrën e kurrës.
Avokati i Anda Çelës – E ke gjykuar ti dhe ne mos të ngremë padi, kështu i bie?
Avokati sekser – Unë e kam gjykuar me palë të tjera.
Avokati i Anda Çelës – Edhe unë me palë të tjera e kam.
Avokati sekser – Po hiq “Zdravon” dhe jepi…
Avokati i Anda Çelës – Pse ta heq “Zdravon”?
Avokati sekser – Sepse përfitimi jot është që tërheqësh “Zdravon” që ti dalësh mbanë gjyqit. E mbyll situatën brenda dy muajsh në gjykatë. Unë nuk besoj që ti, apo zyra juaj apo kushdo tjetër është paguar më shumë nga ç’jam paguar unë.
Avokati sekser – Unë si avokat marr 2 mijë euro shtesë në pagë.
Avokati i Anda Çelës – Kush do ti japë këto 2 mijë eurot?
Avokati sekser – Ai i zoti punës. Hajde të bëjmë një marrëveshje, që ti ke marrë lekët e pagës merr dhe 2 mijë euro tani dhe atyre i lë të kënaqur dhe ikën, apo në Lushnjë dy vjet dhe ato që ke marrë ikin lart e poshtë. Hajde me mua, këto muhabet që po bëjmë bashkë, i bëjmë ballë për ballë me atë atje. Dhe vajta e takova dhe Yllin, i thashë këtu këtu puna tani, ta marr përsipër ta zgjidh me palët dhe unë në këtë mes nuk jam ai Lart, unë e bëj për përfitim për vete. Ore ti mere përsipër dhe zgjidhe tha, në vend më tha, hajde të bëjmë dhe ty një pagesë më tha. Sa do të jetë pagesa? Fillimisht më tha 2 mijë euro, pastaj më mbrapa do ta shikojmë në një moment të dytë. Ore ti e kupton, që ai ka një investim dy milionë euro atje dhe nuk po e hipotekon dot. Kanë filluar problemet me ata që kanë blerë hyrjet. Ka kaq kohë që ka mbaruar pallati, s’po merr dot Hipotekën. Unë kam dy muaj që vete në Vlorë dhe i them mos e zbardh vendimin Sokolit, se kam hall se do t’ja çoj Hipotekës. Dhe po vajti për hipotekim në Hipotekë s’kam ça bëj as unë. Kam nevojë… hajde i thash se nuk e mbaj dot në dorë, hajde ta zgjidhim. Dhe na doli problemi i kësaj (denoncueses), që ishte e pamundur të bëjë muhabet me atë. Ata këtë do të thonë, të takon 60 metra katrorë apo 70 metra, hajde të jap një hyrje 70 metra katrorë, më thuaj sa të bëjmë ndonjë lekë për ty vëllai, dhe ta mbyllim./TCH