Nga Boldnews.al
Në diplomaci për të thënë një jo të fortë është e vështirë, ndaj vijon të njihet ai qëndrimi më i butë, por me qëllim të njëjtë: Refuzim… Kjo i ndodhi kryeministrit Edi Rama në Berlin, para e pas takimit me kancelaren Angela Merkel, ishte mëse e qartë se kushtet shtesë të vendosura për hapjen e negociatave në fakt janë një refuzim i pastër që vendet e BE-së po i bëjnë jo Shqipërisë, por vetë Ramës.
Sipas mediave gjermane, të paktën janë shtuar edhe tri kushte të tjera që lidhen specifikisht me zgjedhjet e kontestuara dhe korrupsionin qeveritar. Në tavolinën e bisedimeve, përveç atij librit me pikturat me kuçedra të Edi Ramës, ishte edhe një dokument shtesë: rishikimi i aspektit moral dhe ligjor të votimeve të 30 qershorit (me pak fjalë nuk njihen), hetimi i thelluar dhe përgjegjësia për krimin elektoral, duke marrë në konsideratë dosjet 339 dhe 184 dhe së fundi edhe të dhëna domethënëse të luftës kundër korrupsionit.
Që të trija janë pengesa që këmbët e gjata të Ramës nuk i kapërcejnë dot, pasi mënyra qeverisëse e tij, e ndërtuar nga fillimi deri në fund, nuk nuk mund të ketë “sukses” pa bashkëjetuar me të trija elementet shtesë që sot po i vendos Brukseli, veçanërisht politika gjermane.
Kryeministri i kishte mundësitë që këtë barrë të shtuar që sot i ka vënë Berlini, e për rrjedhojë edhe vetë BE, ti fshinte njëherë e mirë që në fillim të këtij viti dhe ata as mos ekzistonin kurrë. Krizën në vend pas djegies së mandateve të deputetëve të opozitës dhe nisjes së protestave e mori jo vetëm me të lehtë, por edhe me ironi dhe përbuzje. Dosjet 339 dhe 184 që fshehin një pjesë të vogël të krimit të madh elektoral, në vend që ti kërkonte prokurorisë ti hetonte në detaje, ai bëri të kundërtën.
Gjithçka për ti mbyllur ato çështje, e madje arriti deri në atë pikë sa të merrte revansh kundër gazetarit gjerman dhe gazetës Bild që publikoi një pjesë të audiopërgjimeve ku shfaqet Rama, ish-ministra, deputetë, kryebashkiakë, drejtues policie dhe zyrtarë të lartë të pushtetit të Rilindjes që komunikojnë për të siguruar sa më shumë vota me elementë të rrezikshëm të botës së krimit.
Të gjitha këto mëkate ia zbuloi media jo e kontrolluar prej tij, por ato të rëndësishme ndërkombëtare, Zëri i Amerikës apo edhe disa portale këtu në vend që punojnë nën trysninë se një ditë Rama do i mbyllë gojën dhe lidhë duart me gjoba të rënda që do vijnë nga institucionet e kontrolluara prej tij.
Gazeta e njohur gjermane “Der Standard”, shkruante ditën e djeshme sesa e rrezikuar është liria e medias në Shqipëri. Gazetarja Adelheid Ëoelfl i referohet Edi Ramës në tri raste: kur thotë fillimisht se ai kërkon të ‘disiplinojë’ mediat online, më pas kur thekson se në Shqipëri janë mbyllur dy emisione kritike ndaj Ramës dhe në fund fare ajo thotë se Rama e etiketon median si kazan plehrash.
Padyshim që kjo metotë me përçmim dhe shantazh mbi median mund të lumturojë Fug-sat e tij, apo ministresha që e konsiderojnë Ramën si “Skëndërbe”, por kurrsesi nuk mund të pranohet nga mediumet ndërkombëtare, veçanërisht organizata botërore në mbrojtje të lirisë së shtypit.
Sot kryeministri është i rrethuar dhe sheh nga lart dëmet e shkaktuara prej vetes, që më së paku i rënduan fort shqipërisë. Gjithnjë e më shumë po i dalin fakte dhe të dhëna të kobshme se edhe në votimet e 30 qershorit, ai afroi pranë vetes personazhe me të shkuar të errët të botës së krimit, trafikantë droge apo falsifikatorë. Në administratën poshtë ka vendosur zyrtarë të cilët janë aq të majmur me afera, sa sot kanë nisur luftën e hapur brenda llojit.
Drejtues të hipotekave, Aluiznit, të Tatimeve, të Doganave apo të dhjetra inspektorateve gjobazhinjsh kërcënojnë e shantazhojnë shoshoqin për të ruajtur benefitet e padrejta që vijnë nga korrupsioni, trysnia dhe trafiku i influencës. Shumëçka ters e më ters në mënyrën e qeverisjes dhe krizën e madhe ekonomike që ka detyruar mbi 450 mijë shqiptarë që të emigrojnë, vetëm gjatë kohës së qeverisjes Rama 1 dhe 2.
Politikisht kryeministri Rama me kundërshtarët mendon se i ka vënë përpara me tre lëvizje në shahun politik, ndonëse në të vërtetë është një lojë kumari, ku Rama nuk ka në duar letrat e duhura, pasi ata që mendon se janë AS-a, thjesht i dalin me përzgjedhjen e tij “derra maç”. E gjitha analiza nuk të çon tjetër përveçse në një greminë të thepisur ku ka shkuar vendi, ndërsa kryeministri ynë ka humbur prej kohësh besimin e faktorit të rëndësishëm ndërkombëtar, duke mbajtur në duar si marioneta të pavlefshme disa ambasadorë që kanë “rilindur” brenda Rilindjes së Ramës, por fjala e tyre nuk “pi” më as ujin e ndotur të Tiranës.