Presidenti Ilir Meta ka reaguar përmes rrjeteve sociale lidhur me dëshminë që dha sot para Komisionit Hetimor parlamentar, lidhur me dekretet e tij për anullimin e datës 30 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve vendore.
Anullimi i zgjedhjeve me dekret presidencial, ishte shkaku që mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama, ngriti një komision hetimor për shkarkimin e Metës nga posti i Kreut të Shtetit.
“Shumë i lumtur që m’u dha sot mundësia të kthehem në Parlament pas një mungese gati dy vjeçare, për të rikonfirmuar edhe njëherë se deri në 24 korrik 2022, Institucioni i Presidentit do të jetë një kështjellë e pamposhtur në mbrojtje të Kushtetutës, demokracisë, pluralizmit, interesit kombëtar dhe atij publik, me qëllimin e vetëm anëtarësimin e shpejtë dhe pa vonesa të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, shkruan Meta në rrjet.