Nga Erl Kodra
Përgjatë jetës, çdo njeri merr dhe jep me ata që i gjenden pranë; ata ndajnë së bashku hapësirën, emocionet, dhimbjet, zhgënjimet dhe shpresën. Gjithçka ndodhë nëpërmjet fjalës, kuptimit. Kësisoj, njeriu është produkt i mjedisit ku rritet; familjes, lagjes, shkollës dhe qytetit. Një pjesë e mirë e formimit tonë vjen nëpërmjet mediave, veçanarisht sot, kur marrëdheniet e komunikimit publik kanë marrë një zhvillim të jashtëzakonshëm.
Në vendin tonë, komunikimi publik është një histori terrori, me plot kuptimin e kësaj fjale. Kësisoj, si në Shqipërinë tonë rrallë ka ndodhur në faqe të dheut. Përgjatë 45 viteve të terrorizmit enverian, shqiptarët u ushqyen me një lloj helmi antinjerëzorë, të aftë që të tjetërsojë një pjesë të mirë të shoqërisë. Me gjasë, pjesës më të dobët, u vdiq gjithçka humane brenda vetes, për të mbijetuar vetëm ekzistenca fizike, një lloj monstre e pandjeshme dhe makabre, që endej në mes nesh, duke shkatërruar jetë njerëzore, fëmijë, gra dhe burra. Bota e qytetëruar e ka të vështirë të perceptojë drejt përmasat e asaj tragjedie mentale që kanë kaluar shqiptarët. Brezi i pesëdhjetvjeçarëve të sotëm e kupton mirë se çfarë është fjala, çka do të thotë të mundesh t’i thuash mendimet e tua lirëshëm, edhe mes të afërmëve dhe miqëve, pa frikën se bash njeriu që të hiqet si vlla, nuk është një lloj përgjuesi biologjik, që fjalët e tua nuk do t’i raportojë tek operativi i Sigurimit të Shtetit. Koordinimi i frikshëm i terrorit me propagandën shfrenuese, nga mëngjesi në darkë, në çdo qelizë ku jetonin qenie të gjalla njerëzore, përfundimisht e ktheu Shqipërinë në një ferr gjigand, ku fshiheshin kujtimet dhe ndërgjegja, atë çka Zoti krijoi për miliarda vjet. Futja me përdhunë deri në skutat më intime të njeriut shkatërroi breza të tërë shqiptarësh, shpërfytyroi natyrën njerëzore, duke kapur kulme që nuk janë arritur në asnjë vend tjetër të botës.
*
Po çfarë merr sot publiku shqiptar nëpërmjet emetimeve publike të mediave audiovizive, nga gazetarët dhe përpunuesit e opinionit? Çfarë u serivirin gazetarët çdo mbrëmje, çdo ditë, në çdo formë të mundëshme komunikimi, qoftë edhe nëpërmjet platformave të tjera, rrjeteve sociale apo portaleve pafund? E dini se çfarë lemerie vjen në gjuhën shqipe, nëpërmjet pikave të komunikimit publik, në çdo dritare që gjendet brenda hapësirës ku jetojmë? E ndjeni se çfarë ngjyrash ka morali për të mirën dhe të keqen, që serviret nëpër tavolinat ku nuk mungon gjurulldia, për vlerat e “larta” të rilindjes ramiste, se si e majta e ka ndritur historinë e këtij kombi të lashtë?
Ndërsa shkruaj këto rradhë, më vijnë ndërmend togfjalësha, ligjërata dhe diskurse, që vërshojnë në formacione luftarake nga çdo ekran, pastaj shumëfishohen nëpër dritaret e vogla të televizioneve “informative”, pastaj nëpër portalet pafund, pastaj nëpër faqet e rrjeteve sociale të mercenarëve mediatik, e kështu ne gjendemi në një mjedis të pashpresë, se mund t’i mbijetojmë këtij agresioni të pafund. I përhumbur, njeriu i shkretë nuk e di se nga t’ia mbajë që t’i ikë Fatos Klosave që rëndomë gjenden në çdo hapësirë komunikimi.
Po kush e zotëron hapësirën dhe territorin prej ku mund të agresosh shqiptarët me këto broçkulla antihumane? Në të vertetë e gjithë hapësira publike ndodhet nën një lloj pushtimi absolut, krejt brezi i frekuencave ndodhet nën zotërim, prej ku nisen dronet që bombardojnë papushim mendjet e njerëzisë. Kësisoj, perceptimet turbullohen, mashtrimet fitojnë, shpirti dekurajohet, sepse, gjithçka zotërohet prej atyre, ose bijëve të atyre, ose sektit të atyre, ose rracës së atyre që nuk kanë lidhje me dinjitetin dhe humanizmin njerëzor.
E dini se çfarë më shtyu t’i rikthehem kësaj teme? Po e tregoj.
Dritan Hila, një “gazetar” i vjetër me hapësira të bollshme në frekuencat publike, një ish zyrtar publik, biri i një eksponenti të lartë të Sigurimit të Shtetit (për çudi, të gjithë gazetarët e “mëdhenj” shqiptar kanë lidhje direkte me Partinë e Punës ose me Sigurimin e Shtetit), njëkohësisht edhe burri i Rudina Xhungës, një tjetër gazetareje të shquar të mediave tona, paturpësisht, i sulet një gruaje të re profesioniste, në jetën e saj, në punën e saj, sepse mjekja e re kishte refuzuar, madje kishte denoncuar publikisht Ministrin që Qesh Pandeli Majko, që ka përdorur emrin dhe fotografitë e saj, pa miratim paraprak, pa leje, dhe në shkelje të çdo rregulli, për të bërë propagandë perfide, për përmbushjen profesionale që mjekja e re ka arritur në Gjermani, që në të vertetë, nuk ka lidhje me ndonjë meritë të qeverisë shqiptare.
Dritan Hila, ky burrë që drejton një emision publik qesharak, një lloj arene ku ndeshen “gladiatorët” e mendimit publik shqiptar, nuk di të ndalet, por i kërkon gruas së re të kthejë lekët që financat publike paskan paguar për arsimimin e saj (nga taksat e Dritan Hilës), sepse sipas tij kjo grua e re shqiptare, nuk ka të drejtë të arsimohet në Shqipëri, dhe nga dijet e fituara të përfitojë një vend tjetër!!!
Ky burrë rrondokop, që nuk është në gjendje të ndërtojë arsyetime që kanë sens llogjik as moral, nuk e kupton se fjala është përgjegjësi publike, që nuk ke të drejtë ta shpërdorosh atë, që nuk mund ta përdorësh kundër një gruaje të re që jeton jetën e saj, që përmbushë karrierën e saj profesionale, që ka të drejtë të emigrojë, ka të drejtën e lirisë së levizjes, ka të drejtën që t’i shërbejë ambicieve të saj, dhe mbi të gjitha, ka të drejtë të mbrojë dinjitetin e saj të shkelur nga Ministri që Qesh, ka të drejtë të mbrojë imazhin e saj, fotografitë e saj, dhe askush në këtë botë, sa kohë që ajo jeton jetën e saj pa marrë një angazhim publik ose politik, nuk mund të përdorë emrin dhe fotografinë pa lejen e saj.