Prova më e fortë e Prokurorisë, dhe që rrëzoi alibinë e protagonistëve të përfshirë në vrasjen e teknikut të kondicionerëve, Indrit Çelaj, ka qenë kamerat e sigurisë së një lokali pranë vendit të ngjarjes.
Grupi hetimor ka analizuar kapjet e tri kamareve të sigurisë, që kanë filmuar për afro një orë, nga ora 10:33 deri në orën 11:24, të gjitha veprimet e dyshimta të autorëve. Nëpërmjet këtyre pamjeve është bërë i mundur identifikimi i vëllezërve Griseldo dhe Alban Kusi, të dyshuar si autorë të dyshuar të vrasjes së 26- vjeçarit, Indrit Çelaj. Ndërsa është rrëzuar përfundimisht alibia e babait të tyre, Bujar Kusi, i cili pretendonte se djemtë e tij ndodheshin në plazh, te Gjiri i Lalzit me dy shoqe.
Në dosjen e Prokurorisë theksohet se Griseldo Kusi është filmuar në orën 10:27:30, kur shfaqet në fillim të rrugës, dhe me hap të shpejtë afrohet drejt lokalit. Diku në mes të rrugës dallohet se e afron dorën e djathtë, tek bën sikur i merr erë dhe e sheh me vëmendje.
Gjithashtu dallohet një si njollë e kuqe në brendësi të dorës së djathtë. Ndërsa Alban Kusi, në orën 11:24:16, ndodhet në pjesën e pasme të lokalit duke biseduar me shtetasin Agron H., dhe bën lëvizje dhe gjeste të pakontrolluara.
Më poshtë jepet kronologjia e plotë e vrasjes, sipas analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë.
KRONOLOGJIA E VRASJES, PAMJET E KAMERAVE TË SIGURISË
Nga veprimet e para hetimore doli se shtetasit Ferdinand Bakalli, Bujar Kusi, Ali Sula dhe Luan Çaka nuk kanë dhënë deklarime në përputhje me të vërtetën. Kjo është vërtetuar me pamje filmike, që nuk lënë vend për dyshime.
Konkretisht, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një DVR, te lokali i një shtetasi… Është përpiluar vendimi për kryerjen e ekspertimit teknik kompjuterik të DVR-së së sekuestruar. Nga ana e ekspertit kriminalist është përpiluar procesverbali ku thuhet se pamjet filmike, për shkak të kapacitetit të madh të tyre, u shkarkuan dhe vihen në dispozicion në DVD me kapacitet prej 25 GB, të cilat janë tërhequr në Institutin e Policisë Shkencore, Tiranë.
Është përpiluar procesverbali për këqyrjen e pamjeve filmike të DVR-së, ku pamjet filmike të këqyrjes fillonin me kamerën nr. 1, e cila monitoron pjesën e brendshme të lokalit me emrin “V…”. DVR shënon 11 minuta mbrapa orës reale.
Në orën 10:33, në lokalin me emrin “V…” hyn shtetasi i identifikuar nga ana jonë si Agron H., i cili shkon në banjën e lokalit për të larë duart dhe pas disa sekondash del nga banja duke shkundur duart, ku dallohet që i ka larë. Në orën 11:15, në lokal hyn shtetasi Ferdinand Bakalli, i cili futet në banjë dhe qëndron rreth 40 sekonda, pastaj del nga banja dhe largohet nga lokali.
Në orën 11:22:29, në lokal hyn shtetasi Agron H., i cili komunikon me kamerierin e lokalit dhe dikë tjetër, të cilin fokusi i kamerës nuk e kap. Në orën 11:27:08, në lokal hyn shtetasi E. Kusi, i cili drejtohet nga tavolina, të cilën fokusi i kamerës nuk e kap, ku mendohet se është ulur edhe shtetasi Alban Kusi.
Në orën 11:27:40, në lokal hyn shtetasi Agron Hasrama dhe shkon në drejtim të tavolinës ku janë ulur shtetasit Alban dhe E. Kusi, ku pasi qëndron dhe bisedon me ta për rreth 35 sekonda, ai largohet përsëri nga lokali.
Ora 11:32:22, shtetasit Alban dhe E. Kusi çohen dhe dalin jashtë lokalit. Më pas, këqyrja vazhdon me kamerën nr. 2, e cila është e vendosur në pjesën e jashtme të lokalit.
Ora 10:27:30, shtetasi Griseldo Kusi shfaqet në fillim të rrugës, me hap të shpejtë afrohet drejt lokalit dhe diku në mes të rrugës dallohet se e afron dorën e djathtë, tek bën sikur i merr erë dhe e sheh me vëmendje. Gjithashtu dallohet një si njollë e kuqe në brendësi të dorës së djathtë.
Ora 10:58:48, nga pjesa e pasme e lokalit dalin shtetasit Ferdinand Bakalli, Griseldo Kusi dhe Agron H.. Pasi bisedojnë për pak sekonda, Ferdinand Bakalli dhe Agron H. ikin me hap të shpejtë dhe në momente të caktuara me vrap, në drejtim të vendit të ngjarjes. Ndërsa Griseldo Kusi shkon në drejtim të pjesës së përparme të lokalit.
Ora 11:00:42, nga pjesa e përparme e lokalit dallohet shtetasi Bujar Kusi, i cili ikën me hap të shpejtë në drejtim të objektit, në të cilin ka ndodhur ngjarja.
Ora 11:01:19, nga fillimi i rrugicës del me vrap shtetasi Agron H., i cili shkon në drejtim të automjetit tip “Audi A8”, në dukje ngjyrë gri, në pronësi të shtetasit E. Kusi.
Ora 11:01:29, shtetasi Agron Hasrama komunikon nga dritarja e djathtë e mjetit tip “Audi” me personin ose personat që ndodhen në mjet.
Ora 11:04:41, nga rrugica në drejtim të lokalit, me shpejtësi vjen një automjet tip “Opel Corsa”, me ngjyrë gri, që figuron në pronësi të Ferdinand Bakallit. Nuk dallohet kush është në mjet.
Ora 11:05:57, nga rrugica e vendit të ngjarjes, në drejtim të lokalit, vjen me hap shtetasi Agron H..
Ora 11:15:05, nga rrugica që të çon në vendin e ngjarjes dalin shtetasit Bujar Kusi dhe Ferdinand Bakalli, të cilët ecin së bashku në drejtim të lokalit.
Ora 11:17:45, nga rrugica që të çon në vendin e ngjarjes, dalin shtetasit Alban Kusi dhe E. Kusi, të cilët drejtohen nga pjesa e përparme e lokalit.
Ora 11:21:20, nga rrugica që të çon në vendin e ngjarjes del shtetasi Luan Çaka, i cili është me personin e identifikuar si Agron H., të cilët komunikojnë me njëri-tjetrin dhe shkojnë në drejtim të lokalit, në pjesën e përparme.
Ora 11:23:42, shtetasi Alban Kusi, i shoqëruar nga shtetasi Agron H., lëvizin nga para lokalit dhe futen në pjesën e pasme të tij, ku pasi qëndrojnë për disa sekonda, dalin përsëri në drejtim të pjesës së përparme dhe dallohet se Alban Kusi komunikon në telefon. Më pas, këqyrja vazhdoi me kamerën nr. 3, e cila është e vendosur në pjesën e pasme të lokalit.
Ora 11:24:16, Alban Kusi dhe Agron H. ndodhen në pjesën e pasme të lokalit duke biseduar me njëri-tjetrin dhe shtetasi Alban Kusi bën lëvizje dhe gjeste të pakontrolluara. /Panorama.