Nga Boldnews.al
Gjashtë vite pushtet, janë pak, ai duhet të rrijë edhe më shumë, ka ende për të nxjerrë nga repertori i tij politik. Tani që i ka të gjitha në duar institucionet, të varura e të pavarura në letra, pushtet qëndror e lokal, kryeministri e ka të drejtën “hyjnore” që të qëndrojë edhe më gjatë në pushtet, deri sa ai të lodhet.
Është pjella e një sistemi hibrit 30-vjeçar që noton mes diktaturës, autoritarizmit dhe anarshisë, por mbetet më tipiku nga të gjithë liderët, që prodhuam, i mbajtëm dhe afishuam e ricikluam edhe atëherë kur duhet të zhdukeshin. Ka hyrë në librat e historisë, por edhe në ato Gines për shumëçka ka prodhuar vendi i vogël në këto gjashtë vite. Vetëm dy forma klasike ekzistojnë për të matur mënyrën qeverisëse; të brendshme dhe të jashtme, ndonjë metodë e “tretë” ende nuk është shpikur, ndaj kryeministri ynë duhet analizuar në këto dy aspekte.
Politika e brendshme
Pasi kishte shtrydhur Bashkinë e Tiranës për 11 vite, në periudhat 2000-2011, Rama mori qeverinë në vitin 2013, fitoi më shumë mandate bashkë me aleaten e shpallur LSI. Fuqia i erdhi nga Parlamenti, por edhe njolla e zezë e parë po prej tij do avitej. Në Parlamentin e viteve 2013-2017, solli të dënuar apo akuzuar për vrasje, prostitucion, grabitje të dhunshme dhe trafikantë droge.
I ricikloi këto syresh edhe në Bashki, në adminisratën e lartë shtetërore, në biznes, afera dhe kudo tjetër ku qarkullon paraja. Afishoi individë të dhunshëm, të vrazhdë dhe hajdutë me damkë, që paranë publike e konsiderojnë si pjesë të portofolit të tyre.
Sot, thuajse e gjithë ekonomia e vendit dhe tenderat publik janë në duart e dhjetë oligarkëve. Në gjashtë vite nuk ka asjellë qoftë edhe një kompani të vetme prestigjioze ndërkombëtare, edhe ata pak që ishin u larguan.
Po, u renditëm si vendi i parë në Europë për kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, duke kapur shifrat të çmendura dhe rekorde të pathyeshme si ato në vitet 2016-2017 me qindra tonelata dogë “Made in Albania”. Alarmuam fqinjët tanë në Itali dhe Greqi që zbarkuan me forca të shumta për ti venë fre histerizmit të kanabisit që mbillej, rritej, paketohej dhe trafikohej nën një mbështetje të fortë politike.
Eksodi masiv i të rinjve drejt europës është një tjetër rast për tu regjistruar në librat e historisë. Janë larguar në gjashtë vite rreth 450 mijë shqiptarë, në kërkim të azilit, apo emigrantë të paligjshëm që preferojnë të mbajnë radhë për një pjatë supë bashkë me fëmijët nëpër kampet e klandestinëve të luftës, sesa të qandrojnë në Shqipëri. Varfëria është mbjellë kudo, ndërsa bujqësia mëton nën një ekonomi të vogël familjare dhe bimë nëpër ara që thahen për pikën e ujit, edhe pse jemi vendi i dytë në Europë për rezervat hidrike.
Ai që proteston ka për haraç gazin lostsjellës. Kush ngre krye për të mbrojtur një shtëpi përdhesë të vë mbi shpinë dhunën e policisë, e pas pak ditësh mbi ato ngrehina që jetonin qytetarë të vorfën ngrihet një kullë, apo shtrohet një bulevard, që kushton një mal me lekë, shpesh nën dyshimin e ndarjes mes oligarkut, kryebashkiakut të kryeqytetit dhe shefit të madh të ekzekutivit.
Politika e jashtme
Këtu ai është edhe më brilant. Për pak, me idenë e tij dhe të homologut të Kosvës Hashim Thaçi, desh i vunë zjarrin Ballkanit dhe më gjerë, nën çmendurinë e ndryshimit të kufijve. Një thithje e fortë nga Berlini, nën diktatin direkt të kancelares Angela Merkel Ramës, Thaçit dhe Vuçiçit të paktën për disa kohë iu hoq nga duart shkrepësja që do ndizte fuçitë e mëdha të barutit ballkanik.
Në muajt e parë të qeverisjes ai pati një qasje pozitive ndërkombëtare, veçanrisht në Europë. U afruan projekt të zhvillimit rajonal, iu servir një mundësi për integrim në BE, por shpejt u kuptua nga liderët e vendeve të BE-së se përpara kishin një personazh të paqëndrueshëm politik. Prej tre vitesh Rama nuk ka kryer asnjë vizitë zyrtare të rëndësishme.
Ai ka marrë pjesë vetëm në takime të cilat Shqipëria duhet të jetë e pranishme për shkak të protokollit. Por si gjithnjë edhe në raste të tilla, ku fjala nuk i ka asnjë vlerë, ai bëhet me koshiencë gazi i botës, me veshje aspak dinjitoze për takime të tilla apo me ngjitje pas liderëve të europës që gjithnjë e bishtnojnë. Ramës i pëlqen të vëtëquhet “Lider Global”, por në Europë tashmë e njohin si “Pashain lokal” të Shqipërisë.
Për të gjitha këto Rama duhet të rrijë edhe më shumë në pushtet. Fundja ai është i veçantë. Është i gjatë 2 metër e 2 centimetra, ku një revistë Amerikane e cilësonte edhe si liderin më të gjatë të Europës. Piktor-basketbollisti (që në të dyja fushat kurrë nuk shkëlqeu), e meriton të qëndrojë edhe më gjatë, aq sa të bien nën këmbët e tij e gjithë ngrehina e ngritur mes pushtetit të trafikut dhe të bashkëpunëtorëve me të shkuar dhe tashme kriminale. Kjo është kosto që një ditë duhet paguar, edhe pse këtë haraç të madh sërish do e mbajnë mbi shpinë qytetarët.