Gjeneral-lejtënant, Rrahman Parllaku, “Hero i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, në 100-vjetorin e lindjes tregon luftën e brendshme për pushtet që zhvillohej në Partinë e Punës se cili do të ishte pasardhësi i Enver Hoxhës.
Në një intervistë të gjatë për gazetën “Panorama“, gjeneral Parllaku hedh dritë mbi atë që ndodhi me të ashtuquajturin grupi puçist në Ushtri, ku qëllimi i kësaj goditjeje ishte dobësimi i fuqisë së Mehmet Shehut në parti, duke eliminuar mbështetjen e tij në Ushtri. Sipas tij, edhe pse i gjithë debati në kupolën e partisë u bë për disa teza të reja të strukturimit të Ushtrisë, qëllimi ishte dobësimi i Mehmet Shehut nga Hysni Kapo, i cili me sa duket ishte i besuari më i madh i Enver Hoxhës.
Gjeneral Parllaku tregon se fshesën e hekurt në Ushtri e përgatiti Hysni kapo, ndërsa që nga Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çako e të tjerë, u shkarkuan dhe u shpallën armiq pa i hyrë ende një analize të thellë në parti.
Ju keni qenë pjesë e strukturave drejtuese të PPSH, por dhe një nga të dënuarit nga udhëheqja e partisë. Si shpjegohet që kur u dënuan Beqir Balluku dhe të tjerë me grupin e Ushtrisë, Mehmet Shehu, Hysni Kapo e të tjerë që kishin qenë bashkë, nuk reaguan?
Intrigën mes Beqirit dhe Mehmetit e kurdisi Enveri, me projekttezat për Ushtrinë. Nga maji i 1973 deri në qershor të 1974 u bë sikur u zbulua që një grup në Ushtri kishte punuar jashtë dijenisë së partisë, duke ia mbajtur asaj të fshehtë ato në lidhje me të ardhmen e Ushtrisë sonë. Kjo nuk ishte e vërtetë, sepse unë ua kisha dërguar edhe shefit të Sigurimit të Ushtrisë, por dhe përfaqësuesit tonë të lartë në Komitetin Qendror të partisë, Dilaver Poçit, siç ia kisha dërguar komandave për propozime dhe vërejtje projekttezat. Pra, kishte dijeni të plotë. Por u sajua dhe u inskenua sikur kjo ishte bërë fshehurazi. Për të diskutuar për gjendjen në Ushtri, ishte raporti që unë kisha bërë se gjendja nuk ishte e mirë.
Në Byronë Politike do të diskutohej raporti i Drejtorisë Politike që ngrinte problemet e gatishmërisë luftarake, por dhe të marrëdhënieve në ministri, Beqiri, Petriti dhe gjendja jonë atje me ndryshimet organizative që ishin bërë, që varësia e komandave dhe e drejtorive të llojeve të armëve që deri në atë kohë ishte në varësi të ministrit, i kalonin të gjitha Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe ato kompetenca që kishte Shefi i Shtabit, më kaluan mua si zv.shef i shtabit. Ministri kishte në kompetencë vetëm zv. shefin e shtabit dhe Arif Haskon, si zëvendësministër për prapavijën. Të gjitha të tjerat kaluan në varësi të shefit të shtabit dhe kjo e shkarkoi ministrin nga drejtimi efektiv i Ushtrisë. Dhe këtu lindën ato fërkimet në ministri. Dhe për t’i analizuar këto, u thirr një mbledhje byroje.
Si ishte klima në këtë mbledhje?
Hysni Kapo i thotë Hito Çakos që dhe Rrahmani të ftohet në mbledhjen e Byrosë. Ato ditë, unë isha në stërvitje me grupin e ministrit në Leskovik, komandantë, komisarë, shefa shtabesh të korpuseve etj. Më lajmërojnë që të vij në Tiranë. Byroja kishte shkarkuar Beqir Ballukun. Mora në telefon Petrit Dumen, i cili ishte shef i shtabit dhe zëvendës i parë i ministrit dhe ai më tha të telefonoj ministrin, por ministri s’kishte as telefona, asgjë. Mora Hiton dhe më thotë që të nesërmen të jem në orën 10:00 në Kryeministri. Në Kryeministri shkova bashkë me Muhamet Prodanin. Te Mehmet Shehu gjejmë dhe Hysni Kapon. Nuk ishte bërë mbledhja e Byrosë Politike, por Byroja kishte ngarkuar Hysniun dhe Mehmetin që të thërrisnin Beqirin, Petritin, Hiton dhe mua, dhe të jepnim llogari para tyre. Hysniu dhe Mehmeti kishte mbaruar punë me Beqirin, Petritin dhe Hiton. Në këtë takim kishte dalë akuza se projekttezat ishin bërë pa dijeninë e partisë, madje duke ia fshehur asaj. Si hyrje të bisedës, Mehmet Shehu më pyeti sesi po shkonte stërvitja. Pastaj, Mehmeti më tha: O Rrahman, a di gjë ti për një material që është përgatitur? -“Si nuk di,-i thashë. -Materiali është përgatitur, e kishim lënë për diskutim një vit më parë, nuk u diskutua sepse nuk donte Petriti me Beqirin. Unë ua kam çuar të gjithë komandantëve, komisarëve dhe shefave të shtabeve, drejtorive, janë përgatitur dhe kanë lënë materialin me shkrim”. Më pas më pyeti: Cili është mendimi yt për këtë material? Unë i thashë se kam dhënë mendimet e mia një vit më parë, tani nuk e kam materialin përpara që të flas konkretisht. Kam nxjerrë 11 pika, nga të cilat 5 apo 6 janë pozitive dhe të tjerat janë vërejtje dhe në fund kam konkluduar se materiali, pa u parë nga një grup oficerësh të nivelit të lartë të përgatitjes, nuk duhet të shtrojë në ushtri, duhet të ripunohet. Kështu e kam gjykuar atëherë. -Po ti Muhamet,-e pyeti Mehmeti, Muhamet Prodanin? Unë,- tha Muhameti,-e kam gjykuar si material jo të përshtatshëm për Ushtrinë, si material që kishte nuanca armiqësore etj.
Morën masa ndaj jush?
Të nesërmen shkova në Shkodër për të drejtuar stërvitjen e korpusit të Shkodrës me një grup oficerësh nga Shtabi i Përgjithshëm. Nga aty më kërkojnë të shkoj në Durrës se do bëhej analiza e materialit. Ishte data 9 korrik 1974. Ishte thënë paraprakisht që nuk do thuhet sesi është materiali, por duhej diskutuar rreth tij. Kur hipëm në autobusin që do na çonte në pallatin e Mbretit në Currila, Petrit Dume, sapo hipi, na tha:
Kur të vijë Beqiri, mos u ngrini në këmbë! Ky ishte lajmërimi se diçka e keqe po ndodhte. Atje zuri vend Byroja Politike pa Enverin në tribunë. Pasi ishim ulur të gjithë, Beqir Ballukun e sollën të shoqëruar nga dy persona. E hapi mbledhjen Mehmeti, ku prezantoi qëllimin pse ishte mbledhur ai takim, për diskutimin e materialit. Fjalën ia dha Beqirit, i cili argumentoi sesi e ka bërë këtë material. Por filluan pyetjet dhe ngacmimet siç ndodh kur duan që një njeri ta dënojnë dhe disa ndërhyrje nga presidiumi. Më pas filluan diskutimet. Oficerët nuk ishin shumë kritikë, pse është bërë materiali, nuk jemi pyetur e të tjera si këto, por nuk po e dënonin Beqirin. Nga presidiumi filluan ndërhyrjet nga Mehmet Shehu, Spiro Koleka, Rita Marko e të tjerë që si e gjykoni ju këtë material. Të tjerët ishin pak më të përmbajtur, si Hysniu.
Ju çfarë thatë në fjalën tuaj?
Unë, ditën e parë, nuk diskutova, edhe pse ishte thënë që për materialin ka punuar Rrahmani. Në darkë, na thërret Mehmeti në çadrën e tij në Durrës. Më thotë: O Rrahman, i dëgjove kritikat? Po, i thashë. Do diskutosh, më tha. Patjetër, i thashë, që do të diskutoj. Por mua nuk po më jepej materiali që kisha përgatitur një vit më parë, me 11 konkluzionet e mia. Sekretaria kishte marrë urdhër të mos ma dorëzonte materialin. Hileja ishte që unë të ngrihesha, të flisja dhe të thosha ndonjë gjë që do të binte kundër meje. Unë i thashë Mehmet Shehut se i kam dhënë mendimet atëherë kur m’u kërkua. Thashë edhe në Kryeministri që dua mendimet e mia se atëherë kam gjykuar sipas materialit. Ndryshe unë do flas gjëra jo shumë të sakta. Ai më pyeti se përse unë nuk e kisha materialin dhe i thashë që s’po ma jepnin. Ai dha urdhër që menjëherë të më dorëzohej materiali që unë kisha dorëzuar një vit më parë në Ministrinë e Mbrojtjes. Veli Llakaj dhe të tjerë kishin thënë që ne e dimë aftësinë e Beqirit, por materialin e ka përgatitur Beqiri. Me materialin unë shkova në mbledhje të nesërmen. Aty thashë se ky është materiali që kam dorëzuar me vërejtjet e mia rreth projekttezave. Nëse unë do të isha autori i projekttezave, a do të bëja unë vërejtje për to?! Autori nuk bën vërejtje për materialin e tij. Këtu u largova nga autorësia e materialit. Që kur u ktheva nga stërvitja, gjeta urdhrin e shkarkimit si zëvendësshef i shtabit të përgjithshëm, isha shkarkuar nga të gjitha detyrat. Mbaroi mbledhja dhe Mehmeti bëri konkluzionin në çadrën e madhe të aktivit. Ai argumentoi se përse u ngarkua Beqiri në atë moshë si ministër dhe pse duhet të merrej ai përsëri me punët e Ushtrisë. Në përfundim të fjalës së tij, ai nuk dënoi askënd. “Beqir Ballukut nuk i japin asnjë oficer,-tha Mehmeti,-sepse oficerët janë besnikë të partisë”. U drejtua nga unë dhe tha se edhe Rrahmani, megjithëse ka qenë me Beqirin, e ka shpërndarë materialin në të gjithë kuadrot e Ushtrisë në mënyrë që të mos krijonte çoroditje ideologjike në ushtri. Unë e kisha shpërndarë materialin me urdhrin e të dyve, si të Beqirit, ashtu dhe të Petritit. Pra, përfundimi i mbledhjes ishte që nuk pati dënime, as për Beqir Ballukun.
Çfarë ndodhi më pas?
Në Plenumin e Pestë u ngritën disa kundër meje, sidomos Veli Llakaj e të tjerë. Në Plenum u ngrit Vito Kapo, e cila propozoi përjashtimin tim nga Plenumi i KQ të PPSH. I thanë Halim Ramohitos që të propozonte shkarkimin tim. Halimi tha: Çfarë ka bërë Rrahmani që të propozoj përjashtimin e tij nga KQ? Vitoja bëri dhe një gjë tjetër. Ajo tha se propozonte që Beqir Balluku të shkonte në gjyq. Deri në ato momente ishte propozuar që Beqiri të përjashtohej nga partia dhe nga të gjitha funksionet, por jo të shkonte në gjyq.
/Marrë nga Panorama/